Sëmundje vdekjeprurëse e bagëtive në Evropën Jugore, AUV thotë se do të marrin masa

Lajme

Sëmundje vdekjeprurëse e bagëtive në Evropën Jugore, AUV thotë se do të marrin masa

Më: 13 maj 2023 Në ora: 14:48
Foto ilustrim

Sëmundja hemorragjike epizootike, e cila mund të jetë fatale te gjedhet, është identifikuar për herë të parë në Evropë, njofton agjencia franceze Ansa.

Sëmundja nuk është e transmetueshme te njerëzit.

Ndërsa, në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës në Kosovë kanë thënë se pas njoftimeve zyrtare nga Organizata Boterore e Sëmundjeve të kafshëve do të merren edhe masat e duhura parandaluese.

Ansa vë në dukje se në kontinent ka mbërritur një specie mushkonjash, përmes së cilës transmetohet virusi, kjo është “pasojë e ndryshimeve klimatike”.

Rastet e para të sëmundjes virale janë zbuluar në vjeshtën e vitit 2022 në Sardenjë dhe më pas në Siçili, sipas Anses.

Më pas, raste të tjera të sëmundjes vdekjeprurëse u identifikuan në Andalucia, Spanjën jugore.

“Tek gjedhët, sëmundja potencialisht fatale shkakton ethe, anoreksi, çalim dhe shqetësime në frymëmarrje”, informoi agjencia franceze.

Sëmundja hemorragjike epizootike është regjistruar për herë të parë në vitin 1955 në drerë në Virxhinia, SHBA. Në vitet në vijim virusi është përhapur në Azi, Australi dhe Afrikë.

“15 vjet më parë nuk e imagjinonim që sëmundja mund të arrinte një ditë në Evropë”, shpjegoi studiuesi Stefan Ziedara.

“Përhapja e saj është një pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimit të klimës që lejon mushkonjat vektore të mbijetojnë në zonat (evropiane),” shtoi ai.

Megjithatë, zyrtarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës në Kosovë kanë thënë se nuk ka ndonjë rast të evidentuar në vendin tonë dhe rajon.

Madje, zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi theksoi për KosovaPress se AUV është duke i zhvilluar planet kombëtare të hulumtimeve diagnostike.

Dhe sipas tij, pas njoftimeve zyrtare nga Organizata Botërore e Sëmundjeve të kafshëve do të merren edhe masat e duhura parandaluese.

“Për momentin nuk kemi raste të evidentuara në vendet fqinje. Po ashtu nuk kemi njoftime zyrtare që edhe në vendet tjera është prezent kjo sëmundje. AUV është duke i zhvilluar planet kombëtare të hulumtimeve diagnostike. Pas njoftimeve zyrtare nga Organizata Boterore e Semundjeve te kafshëve do të merren edhe masat e duhura parandaluese”, theksoi Thaçi.

Hipoteza më e mundshme është se mushkonjat kaluan Mesdheun të transportuar nga era.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat