Bjeshkët e Nemuna e Sharri me ligj shndërrohen në parqe kombëtare

Lajme

Bjeshkët e Nemuna e Sharri me ligj shndërrohen në parqe kombëtare

Më: 13 dhjetor 2012 Në ora: 17:02

Ligjvënësit e Kosovës kanë miratuar sot ligjet për parqet kombëtare Bjeshkët e Nemuna dhe Sharri.

Këto dy territore të Republikës së Kosovës shquhen me vlera dhe raritete natyrore, me numër të madh të ekosistemeve të rëndësishme pyjore dhe ekosisteme të tjera të ruajtura dhe me karakteristika të pasura hidrologjie, gjeomorfologjike dhe peisazhore, që kanë rëndësi shkencore, edukativo-arsimore dhe turistike-rekreative.

Parku kombëtar Bjeshkët e Nemuna përfshin sipërfaqen prej 62.488 hektarësh dhe shtrihet në territorin e komunave të Gjakovës, Junikut, Pejës dhe Istogut, ndërsa kufijtë janë të përcaktuar me këtë ligj.

Me amendament të shtuar, janë hequr brengat e banorëve për çështje pronësore, pasi këto të drejta si dhe denacionalizimi do të rregullohen me ligje të veçanta dhe nuk janë subjekt i këtij ligji.

Me këtë ligj në këtë park janë vendosur regjimet mbrojtëse sipas zonës së parë (pjesë e territorit me veçori të jashtëzakonshme natyrore dhe gëzon karakterin e mbrojtjes strikte), zona e dytë (pjesët e territorit që karakterizohen me ekosisteme dhe vlera tjera të natyrës, ku mund të ushtrohen veprimtaritë që nuk janë në kundërshtim më qëllimet e mbrojtjes), zona e tretë (pjesë ku lejohet shfrytëzimi i qëndrueshëm, e paraparë për ndërtim të objekteve për pushim, rekreacion e turizëm dhe nevojat e banorëve për shfrytëzim të kufizuar të të mirave të natyrës) dhe zona e ndikimit (hapësira prej 50 metrave nga kufiri i Parkut, që shërben për parandalimin e ndikimeve të dëmshme). Këtë park do ta administrojë Drejtoria për Administrimin e PK “Bjeshkët e Nemuna”, e cila do të themelohet në vitin 2014 nga MMPH.

Ndërkaq, PK “Sharri” përfshinë sipërfaqen prej 53.469 ha dhe shtrihet në territorin e komunave të Kaçanikut, Shtërpcës, Suharekës, Prizrenit dhe Dragashit. Edhe ky park i nënshtrohet regjimeve të mbrojtjes sipas zonës së parë, të dytë, të tretë dhe zonës së ndikimit, të rregulluara me këtë ligj. Administrimin e këtij parku do ta kryejë Drejtoria për Administrimin e PK “Sharri”, që do të themelohet brenda gjashtë muajsh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat