Aktivitete studentore me rastin e 5 vjetorit të pavarësisë

Lajme

Aktivitete studentore me rastin e 5 vjetorit të pavarësisë

Më: 14 shkurt 2013 Në ora: 12:16

Studentët e Universitetit të Prishtinës kanë filluar aktivitetet e tyre me rastin e 5-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe 43-vjetorit të themelimit të këtij universitetit. Ata sot u pritën nga rektori Ibrahim Gashi, i cili tha se këto dy data kanë një histori të përbashkët, duke theksuar se Universiteti i Prishtinës ka qenë pjesë e pandashme e të gjitha lëvizjeve për çlirim dhe shtet ndërtim.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, tha para studentëve se ky institucion i arsimit të lartë që nga themelimi i tij 43 vjet më parë ka qenë pjesë e pandashme e të gjitha lëvizjeve politike dhe të rezistencës për lirinë e vendit. Ai shprehu konsideratë të lartë për të gjithë studentët dhe profesorët që kanë dhënë kontributin e tyre për zhvillimin e Universitetit dhe çlirimin e Kosovës. Gashi iu foli studentëve për historikun dhe rëndësinë e Universitetit që ka pasur në rajon.
“Që në decenien e parë Universiteti i Prishtinës arriti që të jetë një nga tri universitetet më të mëdha dhe prestigjioze në shtetin e atëhershëm të Jugosllavisë. Për një periudhë shumë të shkurtër UP u bë sinonim i një tempulli të dijes i cili i arsimonte jo vetëm rininë e Kosovës, por edhe rininë shqiptare nga rajoni”, tha Gashi.
Rektori Gashi, gjithashtu foli edhe për rolin e rëndësishëm që ka pasur Universiteti i Prishtinës, duke iu paraprirë proceseve nëpër të cilat po kalonte Kosova.
“Universiteti i Prishtinës u bë simbol i rezistencës, u bë institucioni që e mbajti segmentin e një pushteti paralel. Beteja për arsimin dhe universitetin ishte beteja për Kosovën. Pra e gjithë bota e njihte Kosovën përmes Universitetit paralel, përmes arsimimit paralel”, tha Gashi.
Përfaqësuesit e studentëve bënë të ditur se aktivitetet e tyre me rastin e dy përvjetorëve, atë të pavarësisë së Kosovës dhe themelimit të Universitetit të Prishtinës i kanë filluar dje, për të vazhduar sot edhe në kompleksin memorial Adem Jashari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat