Tringë Smajli në pullë postare

Lajme

Tringë Smajli në pullë postare

Më: 3 nëntor 2014 Në ora: 12:06

Posta e Kosovës ka lëshuar në qarkullim pullën postare që i kushtohet njërës prej luftëtareve më të shquara shqiptare Tringë Smajli.

Tringa ishte vajza e bajraktarit famëmadh Smajl Martini (Ivezaj). Ajo u lind në vitin 1870, në Grudë, në periudhën e rëndësishme të përpjekjeve të shqiptarëve për të ruajtur trojet etnike.

Në luftën për mbrojtjen e trojeve shqiptare, në vitin 1883, ranë heroikisht dy djemtë kreshnikë të Smajl Martinit , Zef e Gjon Smajli, duke e lënë ketë fisnik pa asnjë djalë.

Pas kësaj sakrifice familjare, Tringa dha betimin dhe dha fjalën se do të bëhet burrneshë, trim e fisnik, si i ati. Ajo veshi çakçirët e xhamadanin, në vend të stolive në brez ngjeshi alltinë e rripin me fishekë, ndërkaq në krah vuri armën.

Shumë shpejt në kuvende e luftëra filloi të njihet si një luftëtare që i ka hije fjala e pushka. Urtia e trimëria e saj në luftën për marrjen e Majës së Deçiqit inspiroi poetin e atdhetarin Gjergj Fishta i cili thotë: ” Tringa ja kalonte çdo mashkulli më të mirë në Urti e në Trimni “.

Për aktivitetin e saj patriotik kanë shkruar edhe gazeta prestigjioze perëndimore.

Kjo atdhetare, përpos flijimit personal, shkriu tërë pasurinë familjare për hapje të shkollave shqipe. Ajo njihet në popull edhen si Tringa e Grudës apo Tringa e Maleve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat