Kërcënimet e radikalëve islamik, me porosinë e Serbisë

Lajme

Kërcënimet e radikalëve islamik, me porosinë e Serbisë

Më: 5 qershor 2015 Në ora: 09:41

Një kërcënim nga ISIS-i për shqiptarët vjen pikërisht në ditën kur në Kosovë po jepte mesazhet për ta luftuar pikërisht ISIS-in dhe radikalizmin e terrorizmin, emisari presidencial i Shteteve të Bashkuara për Koalicionin Global kundër Shtetit Islamik, gjenerali John Allen.
A thua pse ndodhi ky akordim i çuditshëm dhe pse ndodhin në luftën politike të shqiptarëve në vazhdimësi, këso reagime të pakëndshme.
Në kohën që i dërguar special amerikan vjen të sjellë mesazhet se Kosova po ia arrin të tregohet në luftën kundër terrorizmit dhe se duhet të vazhdojë të mbështesë një politikë të këtillë, del pikërisht një shqiptar që kërkon ta lëndojë koalicionin politik dhe diplomatik të shqiptarëve me perëndimin.
Në vazhdimësi serbët në të kaluarën ia kanë dalur që të gjejnë njerëz që i kundërvihen figurave kombëtare shqiptare. Në vazhdimësi politika rugoviane është sfiduar nga njerëz që si prej qiellit paraqiteshin, kinse me një dashuri hyjnore për Kosovën e shqiptarinë dhe donin të rrënonin gjithë imazhin e ri, dhe të lartësuar për shqiptarët dhe Kosovën. Andaj nuk mund të mos shihet në këtë kontekst edhe reagimi në internet i këtyre luftëtarëve radikal, të cilët thjesht e kanë përjashtuar veten nga identiteti shqiptar, dhe ofrojnë një asimilim tjetër për shqiptarët.
Po, ta kishin me gjithë mend dashurinë njerëzore, dashurinë për atdhe e shqiptari, ata si thuhet tashmë gjerësisht në popull do të merreshin me veri e me Maqedoni, e kudo shqiptarët ishin viktima. Por, ata thjesht janë vënë në anën e padëshirueshme, dhe pavetëdijshëm, po u shërbejnë edhe armiqve tradicionalë në Ballkan.
Shqiptarët në më shumë se dyqind vjet janë viktima të propagandës se nuk janë shqiptarë, por fundamentalista të osmanizmit dhe islamizmit arabik (xhihadist, e tani edhe të ISIS), dhe kur ky imazh ka filluar të bie me çlirimin e Kosovës nga Serbia, është po kjo që ia ka dalë të ndërtojë mekanizma në Kosovë dhe jashtë saj e ndihmuar nga aleat në këto çështje, që ti nxjerrë shqiptarët jashtë Kosovës, por edhe në Kosovë të bashkëfinancojë me aleatët e saj, grupe radikale.
Por, këto të fundit pas arrestimeve të bëra vitin e kaluar, kanë filluar të ulen si tendencë dhe që të mos ketë më shfaqje të hapura di viteve më parë. Pra, Kosova po i kthehet normalitetit, rrjedhës së jetës së saj ndër shekuj, ku për shqiptarët esenciale për paqe dhe pajtim ka qenë shqiptaria dhe jo dallimi fetar, shembull, që vazhdojmë ta manifestojmë si shembull në botë. I. M.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat