Rusia vë veton ndaj rezolutës së OKB-së për Srebrenicën - Bota Sot
Rusia vë veton ndaj rezolutës së OKB-së për Srebrenicën

Lajme

Rusia vë veton ndaj rezolutës së OKB-së për Srebrenicën

Më: 8 korrik 2015 Në ora: 20:48

Rusia i vendosi veton sot rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që e cilëson gjenocid masakrën kundër myslimanëve në Srebrenicë nga serbët etnikë.

Rezoluta, e hartuar nga Britania e Madhe dhe e mbështetur nga shumë vende përfshirë këtu SHBA-në, ka marrë 10 vota pro, ndërsa katër vendet e tjera përfshirë Kinën, aleaten e vjetër të Rusisë në këshill, abstenuan.

Përpara votimit kundër projektligjit i dërguari rus në OKB e quajti projektligjin një “dokument shkatërrimtar” që nuk ndihmon në pajtimin dhe i kërkoi këshillit “të mos e hedhë propozimin e draftit për votim”.

Projektligji, që ishte planifikuar të votohej të martën, u shty për të mërkurën pasi Rusia kërcënoi me veto dhe Kina kërkoi për më shumë kohë derisa anëtarët e këshillit të arrinin një konsensus.

Rezoluta, e prezantuar me rastin e 20-vjetorit të masakrës në Srebrenicë të Bosnjës ka zemëruar Serbinë qe refuzon ta quajë “gjenocid”.

Beogradi dhe serbët e Bosnjës e kanë quajtur rezolutën si nxitëse dhe përçarëse, ndaj dhe i kërkoi Rusisë që të vendosë veton.

Përveç kundërshtimit, kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç tha të martën se këtë fundjavë do te mbajë një shërbese përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të masakrës.

“Qeveria vendosi që unë ta përfaqësoj Serbinë në Srebrenicë”, tha Vuçiçi pas një mbledhje emergjente të kabinetit.

Vendimi u arrit pasi Beogradi mori garancinë e Rusisë se ajo do te bllokonte rezolutën e OKB-se.

Më 11 korrik 1995, forcat serbo-boshnjake mësynë në Srebrenicë, e populluar nga boshnjakë myslimanë dhe vranë rreth 8 000 burra dhe dëbuan gratë, fëmijët dhe të moshuarit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...