Viktimat e Srebrenicës nderohen në Sarajevë para ceremonisë së varrimit

Lajme

Viktimat e Srebrenicës nderohen në Sarajevë para ceremonisë së varrimit

Më: 10 korrik 2015 Në ora: 09:41

Më shumë se 2,000 njerëz morën pjesë në një ceremoni në Sarajevë për të nderuar viktimat nga Srebrenica, eshtrat e të cilëve do të prehen ditën e shtunë, me rastin e 20 vjetorit të gjenocidit.
Ceremonia ditën e enjte para ndërtesës së presidencës boshnjake u mbajt për nder të 136 viktimave të masakrave të korrikut 1995, eshtrat e të cilëve do të varrosen gjatë përkujtimores në Srebrenicë.

Suhra Sinanoviq, kryetarja e shoqatës së viktimave “Nënat e Podrinjes”, tha për BIRN-in se ishte tronditëse që edhe pas kaq shumë kohësh, vazhdonin të varroseshin njerëz.

“Kanë kaluar 20 vjet nga lufta dhe ne vazhdojmë të gjejmë ende njerëzit tanë të dashur. Disa po varrosen këtë vit, disa ende nuk janë gjetur... me qindra,” tha Sinanoviq, burri i së cilës u vra në masakra.

Në ceremoni morën pjesë anëtarë boshnjakë dhe kroatë të presidencës trepalëshe të Bosnjës dhe Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq dhe Dragan Çoviq, udhëheqësi mysliman fetar në vend, Husein Kavazoviq, dhe përfaqësues të autoriteteve lokale, raporton Kallxo.com.

Izetbegoviq tha se mohimi se masakrat përbënin gjenocid ishte ende i zakonshëm dhe kësaj gjëje duhet t’i jepet fund.

“Ajo që po ndodh tani është mungesë respekti për viktimat,” tha Izetbegoviq.

Kryetari i bashkisë së Srebrenicës Camil Durakoviq tha se pa pranuar gjenocidin, nuk mund të ketë pajtim të vërtetë.

“Gjëja më e vështirë është të jesh boshnjak në Srebrenicë. Ne duhet të jetojmë me mohimin dhe na duhet të vazhdojmë të jetojmë kështu çdo ditë”, tha Durakoviq.

Ambasadorja amerikane në Sarajevë, Maureen Cormack, mori pjesë gjithashtu në ceremoni dhe tha se ajo do t’u bashkohej marshuesve që aktualisht janë nisur për në Srebrenicë për të shënuar përvjetorin.

“Gjenocidi është krimi më i urryer dhe duhet të dënohet. Do të marr pjesë nesër në marshimin paqësor për të nderuar viktimat,” tha Cormack.

Këtë vit, eshtrat e 136 viktimave do të varrosen në memorialin e Srebrenicës në Potoçari.

Midis tyre janë 18 të mitur; më të miturit ishin 16 vjeçar kur u vranë. Viktima më e moshuar, Jusuf Smajloviq, u vra kur ishte 75 vjeç.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat