Përkundër kërcënimeve nga Beogradi, Lugina sot themelon Asociacionin - Bota Sot
Përkundër kërcënimeve nga Beogradi, Lugina sot themelon Asociacionin

Lajme

Përkundër kërcënimeve nga Beogradi, Lugina sot themelon Asociacionin

Më: 12 shtator 2015 Në ora: 07:26

(E plotësuar) Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, ka thënë se sot (e shtunë) në Kuvendin e Preshevës do të merret vendimi për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë shqiptare.

Ai ka deklaruar ky asociacion do të jetë i njëjtë me asociacionin e komunave me shumicë serbe. “Teknikisht jemi përgatitur. Janë ftuar të gjithë zyrtarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Në orën 11:00 do të fillojë seanca e shqiptarëve në Kuvendin e Preshevës, në të cilën do të merret edhe vendimi për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë shqiptare në Luginë të Preshevës. Jemi duke e zbatuar parimin e reciprocitetit. Nëse serbët në Kosovë do të kenë asociacion të komunave të tyre, atëherë edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës do ta kenë asociacionin e tyre”, ka thënë Musliu.

Sipas tij, Serbia nuk do të mund ta ndalojë vullnetin e popullit për bashkimin e komunave me shumicë shqiptare. Në këtë kontekst, ai ka thënë se as Evropa nuk mund të përdorë standarde të dyfishta.

“Shqiptarët nuk po luajnë me zjarrin, por po shkojnë drejt zgjidhjes së problemit të tyre. Forma dhe mënyra më e mirë për ta zgjidhur problemin është ajo nëpërmjet vullnetit të popullit. I kemi referendumin, luftën e UÇPMB-së dhe marrëveshjen e Konçulit, prandaj të gjitha këto janë bazë për vendimin e asociacionit të komunave me shumicë shqiptare në Luginë të Preshevës. Evropa nuk mund të veprojë me standarde të dyfishta, pra ndryshe për serbët në Kosovë e ndryshe për shqiptarët në Luginë të Preshevës”, është shprehur Musliu, duke shtuar se me vendimin për krijimin e asociacionit do të njoftohen edhe Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasadat e akredituara në Beograd, si dhe Kosova e Shqipëria.

Ai ka vlerësuar se krijimi i asociacionit të komunave me shumicë shqiptare do ta përmirësojë mirëqenien sociale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Ky bashkim i komunave do të rezultojë me bërjen e një fondi të përbashkët për zhvillimin e Luginës së Preshevës. Do të ketë të punësuar më shumë shqiptarë dhe natyrisht do të bëhet zgjidhja e oficerëve shqiptare të policisë. Pra, asociacioni ka për qëllim përmirësimin e mirëqenies sociale të shqiptarëve në Luginë, sepse për këtë çështje do të ndodhë bashkimi i komunave shqiptare. Ky bashkim do të rezultojë me një zhvillim politik, ekonomik, social dhe kulturor për Luginën e Preshevës”, ka thënë Musliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...