Miratohet Deklarata për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi (Video)

Lajme

Miratohet Deklarata për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi (Video)

Më: 12 shtator 2015 Në ora: 12:16

(E plotesuar) Këshilltarët komunalë të tri komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, kanë miratuar me unanimitet themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare të Luginës së Preshevës. Në mbledhjen e përbashkët të këshilltarëve komunalë ishin të pranishëm 43 këshilltarë, ndërsa mbledhjen e bojkotuan dy partitë opozitare - Partia për Veprim Demokratik e Riza Halimit dhe Unioni Demokratik Shqiptar i Ramiz Zylfiut.

Në mbledhjen e mbajtur në Kuvendin e komunës së Preshevës u tha se asociacioni po themelohet në shenjë reciprociteti me themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Drejtuesit e partive shqiptare në Luginë akuzuan pushtetin serb se nuk ka bërë asgjë për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve të Luginës, madje me dhunë dhe terror kanë tentuar të largojnë shqiptarët nga Lugina e Preshevës.

Kryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa tha para këshilltarëve komunalë të Luginës se sot është ditë historike, sepse këshilltarët komunal të kuvendeve të tri komunave me shumicë shqiptare kanë mbështetur miratimin e një vendimi historik, i cili hap rrugë proceseve politike jo vetëm në Luginë, por edhe në Kosovë, Shqipëri, Evropë dhe instanca tjera ndërkombëtare.

Ai tha se Asociacionin po e themelojnë si reciprocitet ndaj themelimit të Asociacionit t ë komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Mustafa: Asociacioni po themelohet në shenjë reciprociteti me serbët e Kosovës

“Është normale, e logjikshme, proporcionale dhe reciproke sepse nga njëra anë është pjesa veriore, ndërsa pjesën lindore në Luginë me shumicë shqiptare, nëse do të vlejnë ngritja në një shkallë me të lartë madhërie për serbët në veriun e Kosovës pse mos të vlej kjo edhe për shqiptarët në Luginës. Është një parim i reciprocitetit dhe logjikës së shëndosh për të cilën padyshim as kori diplomatik ndërkombëtar asnjëherë nuk ka mundur të thotë jo se atje meritojnë serbët të ngritën në nivelin me të lartë të drejtave të tyre në Kosovë, ndërsa ju në Preshevë duhet të mbeteni në shkallë me të ulët të të drejtave elementare, si individuale po ashtu edhe kolektive”, tha Mustafa.

Kreu i Preshevës, theksoi se çdo ditë janë nën trysninë e vazhdueshëm si të deklaratave kërcënuese të politikanëve në Beograd, e lere më për veprimet e tyre me të cilat asnjëherë nuk kanë bërë që shqiptari të ndihet komod, i lirë, i barabartë me të tjerët.

Më i ashpër në qëndrime ishte kryetari i Këshillit Nacional Shqiptar Jonuz Musliu, sipas të cilit qëllimi kryesor i Serbisë ka qenë pastrimi etnik dhe marrja e tokave shqiptare. Ai tha se asnjëherë Serbia nuk është interesuar që t’i zgjidh problemet e shqiptarëve, edhe pse kërkuan edhe në vitin 1968, 74-tën, 81-shën, 99-tën, 2001, dhe me 2006.

Musliu: Ky vendim është i gjithë shqiptarëve, u munduam të jemi unikë

“Për këto përpjekje, populli është i vetëdijshëm, sepse rrugë tjetër nuk ka, formë tjetër nuk ka, përpos zgjidhjes së problemit politik, ajo është bazament për zgjidhjen e problemit të shqiptarëve....ky akt, ky vendim, ky vullnet është i gjithë shqiptarëve. Ne kemi bërë përpjekje që të jemi së bashku, unik, edhe liderët tjerë, edhe Halimin, edhe Zylfiun, sepse është akt i gjithë shqiptarëve. Nuk mund të themi se ndryshe jetojnë një pjesë e shqiptarëve, ndryshe jetojnë një pjesë tjetër. Sepse gjendja është e njëjtë për gjithë shqiptarët...Çdo liderë që ka ngritur simbolin kombëtar ka ftesë për gjyq, çka, ky shtet çdo herë mendohet me dhunë, me terror për t’i larguar shqiptarët nga Lugina, por jo, shqiptarët janë të vendosur të jetojnë këtu, sepse vend tjetër nuk kanë, tokë tjetër nuk kanë, ky është vendi i tyre’, tha Musliu.

Musliu nuk la pa kritikuar edhe Bashkësinë Ndërkombëtare, për të cilën tha se nuk mund të funksionoj me dy standarde, ndryshe për serbët në Kosovë, e ndryshe për shqiptarët e Luginës.

Kryetari i Bashkimit Demokratik të Luginës (BDL) Skënder Destani, tha se partia e tij e mbështetë themelimin e Asociacionit, ndonëse ai personalisht është kundër themelimit të asociacioneve etnike. Madje, tha se është edhe kundër marrëveshjes së arritur në Bruksel nga përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit.

Ai ka kritikuar përçarjen e spektrit politik në Luginë, duke shprehur skepticizmin nëse do të mund të zbatohet ky vendim, nëse edhe këshilltarët e dy partive opozitare, PVD-së dhe UDSH-së nuk do t’i bashkohen këtij Asociacioni.

Destani: Për BDL-në e papranueshme përçarja e spektrit politik në Preshevë

“Aprovimi i marrëveshjes në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit dërgoi Luginën që në reciprocitet të realizojnë një të drejtë të tyre ashtu siç do ta realizojnë edhe serbët e Kosovës. Po e shoh sot se në këtë Kuvend nuk janë të gjithë këshilltarët shqiptarë që për BDL-në është e papranueshme, sepse mendojmë që asociacioni është dashur, apo vendimi për themelimin e këtij asociacioni të sillet me konsensus dhe jo të përçahet sepse dyshojmë në implementimin e këtij vendimi, nëse edhe në të ardhmen do jemi të përçarë”, tha Destani.

Kryetari i Komunës së Bujanocit Nagip Arifi tha se propozim drafti për themelimin e Asociacionit është i bazuar në të drejtën universale për të drejtat e njeriut që është miratuar qysh në vitin 1948, në përputhje me referendumin e vitit 1992 dhe marrëveshjen e Konçulit të viti 2001. Ai shtoi tha se themelimi i Asociacionit erdhi pas marrëveshjes së fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku serbët e Kosovës do të themelojnë Asociacionin e tyre.

Arifi: Duam ta marrim atë që na takon

“Tash pas marrëveshjes së fundit të Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Kosovës erdhëm në përfundim se deh ne shqiptarët duhet ta hartojmë një dokument i cili do të na shpie për një jetë me të mirë të shqiptarëve të Luginës. Nuk do e zgjas shumë, por do e them një thënie latine, të jetosh me nderë, mos i bëjë dëmë askujt, merre atë që të takon. Prandaj ne do të jetojmë me nderë, nuk do i bëjmë dëmë askujt do të marrim atë që na takon”, theksoi Arifi.

Pas miratimit të vendimit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare në Luginën e Preshevës, do të formohen edhe organet tjera, për të hartuar statutin e Asociacionit dhe të gjitha funksionet tjera.

***

Deputetët e Kuvendeve te tri komunave shqiptare ne Serbine jugore (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) ashtu siq ishte paralajmeruar sot me flamurin kombëtar ne ballë te kuvendit , me shumice votash kane miratura themelimin e Asociacionit te Komunave Shqiptare ne Serbi.

Deputetet e tri komuneve shqiptare me shumicë votash i thanë PO Asociacionit te Komunave Shqiptare-AKSH-së. Nga numri i përgjithshëm i deputetët 100 per qind (43) votuan për, dmth pa kundershtime dhe pa absteniem.

Votimet u zhvilluan ne nje atmosfere tejet te tensionuar dhe presion sa nga qeveria e Beogradit po aq edhe nga forcat e medha policore dhe ushtarake qe shtrihehsin ane e kend qytetit të Preshevës dhe ne malet e Karadakut.

Pas miratimit të ketij asociaconi nga kuvendaret shqiptare kryetari i KKSH-së Jonuz Musliu i ka deklaruar agjencise se lajmeve “Presheva jonë” se “ky proces ështe nje akt historik qe edhe shqiptaret e Lugines te kene AKSH-ne e tyre, eshte jo vetëm përgjigjie e reciprocitet me statusin e serbëve ne Kosovë por edhe imperativ i kohës për nje perespktivë me të mire te shqiptareve të Lugines se Preshevës drejt integrimeve evropiane..”

Mblidhen shqiptarët e Luginës, gati për votimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare -AKSH
Pas nje debati prej nje bati gati nje oresh eshtë kërkuar pauzë 10 minuta në pjesën e parë të seancës.

Ndonëse janë paralajmëruar që do të jenë 66 këshilltarë, deri më tani në sallë janë prezent 44 prej tyre. Këshilltarët e Kuvendit Komunal Presheva dhe Bujanoci pritet që pas orës 11:00 të të themelojnë Asociacionin e Komunave me shumicë shqiptare në Serbi. Asociacion do të jetë i ngjashëm për nga përmbajtja dhe fuqia me atë që do ta themelojnë serbët në Kosovë, ndërsa, sipas përfaqësuesve nga Lugina e Preshevës, Asociacioni shqiptar ka mbështetjen e Kosovës dhe të Shqipërisë.

Shqiptarët sytë kah Presheva, Lugina sot nen tytat e forcave serbe shpallë Asociacionin

Shqiptarët e Luginës së Preshevës sot mund ta shkruajnë historinë.Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, ka thënë se sot (e shtunë) në Kuvendin e Preshevës do të merret vendimi për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë shqiptare.

Ai ka deklaruar ky asociacion do të jetë i njëjtë me asociacionin e komunave me shumicë serbe. “Teknikisht jemi përgatitur. Janë ftuar të gjithë zyrtarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Filloi mbledhja për formimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi

Ka filluar para pak çastesh mbledhja e Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës, të cilët do të bisedojnë për krijimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi.

Mbledhja po mbahet në Kuvendin e Komunës së Preshevës dhe në të marrin pjesë përfaqësues të shqiptarëve të Luginës.

Zyrtarët serbë reaguan me zemërim ndaj paralajmërimeve të udhëheqësve politikë të shqiptarëve për të themeluar asociacionin e komunave me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, tha se shqiptarët në Serbi nuk bën të jenë të diskriminuar, por ata duhet ta respektojnë kushtetutën e saj.

“Ua tërheq vërejtjen që të shtunën në Preshevë të mos bëjnë ndonjë paralele me Asociacionin e komunave serbe në Kosovë. Ua tërheq vërejtjen të mos luajnë me zjarrin dhe të respektojnë kushtetutën dhe rendin e Republikës së Serbisë. Fakti që Serbia është për bisedime nuk do të thotë se është e dobët, përkundrazi ajo është e fuqishme, më e fuqishme në 20-30 vjetët e fundit”, citohet të ketë thënë ai.

Udhëheqësit e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, thanë se të shtunën do të diskutojnë për gjendjen në atë zonë dhe do të themelojnë Asociacionin e këtyre tri komunave, ngjashëm me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që do të krijohet në bazë të marrëveshjes së arritur më 25 gusht në Bruksel në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përfaqësuesit shqiptarë kanë kërkuar në vazhdimësi trajtim të njëjtë për ta sikurse për serbët në Kosovë.

Udhëheqësit politik të zonës thonë se situata në Luginë vazhdon të jetë e paqëndrueshme që nga viti 2001 kur mori fund konflikti ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në zonë.

Ata shume herë kanë shfaqur shpresën që edhe procesi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të krijojë hapësirë për përmirësim të gjendjes në atë zonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat