Zyrtarët shtetërorë të Beogradit ende nuk kanë reaguar ndaj votimit të përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare.
Por, ata kanë reaguar ditëve të fundit duke i paralajmëruar shqiptarët që të mos marrin një vendim të tillë si paralele ndaj asociacionit të Komunave me shumicë serbe që pritet të themelohet në Kosovë.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur veprim të papërgjegjshëm politik dhe të papranueshëm.
“Serbia di si të reagojë - me urtësi dhe mençuri. Nëse është e nevojshme ta tregojë fuqinë, mos keni dert, sepse gjithsesi do ta tregojë”, ka theksuar Vuçiq.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri serb Ivica Daçiq, me tone të ashpra i ka porositur këshilltarët komunalë shqiptarë “të mos luajnë me zjarr”.
“I paralajmërojmë që të shtunën në Preshevë të mos bëjnë ndonjë paralele me Bashkësinë e komunave serbe në Kosovë. I paralajmërojmë që të mos luajnë me zjarr dhe ta respektojnë kushtetutën dhe rendin e Serbisë”, ka thënë Daçiq.