Miliarderi norvegjez ofron 5 mijë dhoma hoteli për refugjatët

Lajme

Miliarderi norvegjez ofron 5 mijë dhoma hoteli për refugjatët

Më: 13 shtator 2015 Në ora: 13:46

Petter Stordalen, pronar i Nordic Choice Hotels, e bëri këtë njoftim nëpërmjet një postimi në “Tuiter”, pak ditë më parë, kur shkruante se ofronte fjetje për “emigrantët e përkohshëm që kanë nevojë”

Një biznesmen norvegjez, i cili ka në pronësi një nga rrjetet më të mëdha të hoteleve në Skandinavi, ka ofruar për emigrantët që mbërrijnë në vendin e tij 5 mijë dhoma falas.

Petter Stordalen, pronar i Nordic Choice Hotels, e bëri këtë njoftim nëpërmjet një postimi në “Tuiter”, ku shkruante se ofronte fjetje për “emigrantët e përkohshëm që kanë nevojë”.

Stordalen ua ka bërë të ditur ofertën e tij autoriteteve të emigracionit në Norvegji. Ata janë përgjigjur se e vlerësojnë ofertën e biznesmenit dhe “do t’i përdorim hotelet e tij nëse situata është urgjente”.

“Gjëja më e rëndësishme tani për tani është gjetja e një strehe afatgjatë për refugjatët”, i ka thënë gazetës “Newsweek” Christine Wilberg, drejtuese e Departamentit për Pritjen e Emigrantëve.

Stordalen u ka thënë medieve vendase se drama e refugjatëve në Europë i shqetëson të gjithë dhe ka shtuar se do të mbulojë edhe shpenzimet e ushqimit për refugjatët që strehohen në hotelet e tij.

Stordalen e ka themeluar rrjetin e hoteleve “Nordic Choice Hotels” në vitin 1990 dhe sipas revistës “Forbes”, vlera e tyre arrin në 1.53 miliardë dollarë, çka e ka vendosur atë në vendin e shtatë të listës së më të pasurve në Norvegji.

Sipas statistikave të autoriteteve vendase, numri i kërkesave për azil në Norvegji pritet të arrijë në 16 000 deri në fund të vitit 2015, ndërkohë që një vit më parë atje kërkuan azil 11 480 të huaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat