Rruga katërmujore e Kosovës për anëtarësim në UNESCO

Lajme

Rruga katërmujore e Kosovës për anëtarësim në UNESCO

Më: 9 nëntor 2015 Në ora: 11:39

Saga katërmujore për pranimin e Kosovës ose jo në agjencionin e OKB-së për arsim, shkencë dhe kulturë (UNESCO), (ndoshta) do të përfundojë sot.

Ishte 16 korriku i këtij viti, data kur Kosova kishte aplikuar për tu bërë pjesë e UNESCO-s.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme (MPJ), Hashim Thaçi, pati deklaruar për media asokohe se “ky veprim vjen pas një konsultimi me partnerë dhe pas 130 takimeve me delegacione të UNESCO-s që janë zhvilluar vetëm këtë vit”, duke shtuar se “presim që në nëntor të hyjmë në këtë organizatë shumë të rëndësishme”.

Shefi i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, pasi që Kosova pati aplikuar në këtë agjencion, pati deklaruar se “përgëzon ministrin e Jashtëm, ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për një punë të madhe dhe me përkushtim”.

“Në takime me liderë evropianë dhe botërorë kam marrë zotime se Kosova do të përkrahet fuqishëm në këtë proces. Jemi zotuar, po ashtu, se edhe ne do të përmbushim detyrimet tona ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Ky është një zhvillim i rëndësishëm diplomatik për Kosovën”, ka theksuar Mustafa.

Kosova, shteti më i ri evropian, me pavarësinë e shpallur para shtatë vitesh, në 17 shkurtin historik 2008, deri tash është njohur nga më se 110 vende anëtare të OKB –së.

Ndryshe, në punimet e sesionit të 38 të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, që po mbahet në Paris, pritet të votohet ose jo që Kosova të jeta anëtare me të drejta të plota të kësaj organizate.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Petrit Selimi, ka thënë në media se shtyrja e vendimit për Kosovën është sikur edhe ndalimi i hyrjes së Kosovës në UNESCO.

Lufta për çdo votë në Asamblenë e UNESCO-s ka vazhduar gjatë gjithë periudhës së fundit në Paris nga aleatët e Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Britania e Madhe që po lobojnë për anëtarësimin në këtë organizatë dhe krahu kundër Kosovës, Serbia, Rusia dhe aleatët e tyre, që po përdorin çdo mjet kundër anëtarësimit.

Votimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) është sot në orën 11:30, në Paris, ndërsa aleatët e Kosovës po përpiqen të bindin 195 anëtarët e UNESCO-s se Kosova e meriton anëtarësimin në këtë agjenci të specializuar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Edhe në momentet e fundit, pak para votimit, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë thënë se janë duke e vazhduar lobimin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat