Tri ditë pas vdekjes së tre vjeçares, institucionet po heshtin

Lajme

Tri ditë pas vdekjes së tre vjeçares, institucionet po heshtin

Më: 8 qershor 2016 Në ora: 17:58
Ilustrim

Kanë kaluar tri ditë që kur në Prizren vdiq vogëlushja tre vjeçare, Xheneta Gashi, nga shembja e shtëpisë ku ajo po luante, ndërsa fajin për rastin nuk po e merr askush.  Institucionet përgjegjëse po heshtin, përderisa ato që merren me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, sikurse është Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, thonë se kërkesat e tyre për intervenime kanë hasur në vesh të shurdhër.

Te shtëpia që u shembë  ditë më parë dhe i mori jetën vogëlushes tri vjeçare, Xheneta  Gashi, rruga vazhdon të mbetet e bllokuar. Ndonëse njihej si më e frekuentuara  në qytetin e Prizrenit,  aty nuk po kalojnë as këmbësorët e as automjetet.  

Po bëhen tri ditë dhe ende fajin për këtë tragjedi nuk po e merr askush mbi  vete. Institucionet që merren me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore thonë se janë rreth 13 objekte të ngjashme që janë para shembjes, e të cilat paraqesin rrezik për qytetarët.

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren e ka një listë të dokumentuar me numrin e objekteve që paraqesin rrezik permanent.

Drejtori, Samir Hoxha, i tha Radio Kosovës, se alarmi që ka bërë për dy vite radhazi  nga institucionet lokale dhe qendrore nuk është marrë parasysh.

Por, nuk  janë vetëm shtëpitë në rrugën “Marin Barleti” në një gjendje të tillë. Samir Hoxha thotë se  në shumë lagje të qytetit shtëpitë e vjetra po paraqesin rrezik.

Ai madje hapur fajëson Komunën e Prizrenit dhe Ministrinë e Kulturës, për të cilat thotë se nuk kanë ndarë asnjë cent të vetëm për të intervenuar në ato objekte.

Hoxha shprehet këmbëngulës në kërkesat e tij që objektet e tilla të meremetohen urgjentisht, në të kundërtën, ai  nuk e përjashton mundësinë e shembjes së tyre dhe paraqitjen e ndonjë viktime tjetër.

Ndërkaq, edhe Këshilli për trashëgimi kulturore i Qendrës Historike ka reaguar pas tragjedisë së ndodhur në Prizren.

Ky këshill fajëson institucionet për mosmarrjen e masave të duhura me kohë, ndërsa shoqëria civile po e kërkon dorëheqjen e të parit të Prizrenit, e subjektet politike opozitare u bëjnë thirrje institucioneve të drejtësisë që të merren me rastin. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat