Gazetari nga Shqipëria e quan Rashicën tradhtar

Lajme

Gazetari nga Shqipëria e quan Rashicën tradhtar

Më: 16 gusht 2016 Në ora: 14:52
Andi Bushati e Milot Rashica

Gazetari i njohur nga Shqipëria, Andi Bushati, e ka kritikuar vendimin e Milot Rashicës për të luajtur për Kosovën.

Në vazhdim mund ta lexoni kolumnen e tij të plotë:

“Nuk besoj se kur vendosën ta pagëzonin birin e tyre me emrin e një prej qyteteve më të shëmtuara të Shqipërisë komuniste, prindërit e Milot Rashicës do ta kishin imagjinuar se biri i tyre futbollist do të refuzonte një ditë të luante për flamurin e “dheut amë”.

Por kjo gjë tashmë ka ndodhur.

Me shkëlqimin, talentin, egon dhe kapriçot e veta, Miloti është bërë ylli i një eksodi futbollistësh nga Shqipëria për te Kosova. Lajmin e bujshëm të braktisjes së kombëtares prej tij duket se e kanë ndjekur aty për aty edhe veterani Alban Meha dhe premtuesi Herolind Shala.

Natyrisht, megjithëse për kombëtaren shqiptare, me futbollistë kosovarë (Etrit Berisha, Lorik Cana, Mërgim Mavraj, Arlind Ajeti, Berat Gjimshiti, Debatik Curri, Amir Abrashi, Burim Kukeli, Migjen dhe Vullnet Basha, Taulant Xhaka, Ermir Lenjani, Valdet Rama, e Shkëlzen Gashi), ky lajm ka efektin e një bombe, ai mund të pranohej si një zgjedhje e lirë njerëzish të lirë. Rashica, Shala, Meha dhe kushdo tjetër janë në të drejtën e tyre të zgjedhin flamurin që duan.

Ata mund të kenë ambicien për të shënuar emrin për herë të parë në reprezentacionin e vendit më të ri në UEFA dhe FIFA. Ata mund të yshten nga patriotizmi për ti dhënë një dorë njohjeve të reja të Kosovës. Ata mund të ëndërojnë të jenë gurë themeli në krijimin e identitetit të ri Kosovar. Arsyet mund t’i kenë të shumta.

Për këto, ata mund t’i thonë “jo” një skuadre që sapo mori pjesë në Euro 2016. Në emër të tyre, ata, mund të vendosin të këndojnë një himn që mezi iu gjet teksti dhe të nderojnë flamurin blu me gjashtë yje. Natyrisht duke aspiruar gdhendjen e emrit në aventurën e një shteti të ri të gjitha këto ia vlejnë.

Por, megjithatë, në historinë që kemi dëgjuar deri më tani duket sikur ka diçka që nuk shkon. Sepse zgjedhja e Milotit, Albanit dhe Herolindit më shumë sesa një zgjedhje nga idealizmi, i ngjan një vendimi të marrë nga mërzia. Të tre ata, futbollistë të talentuar dhe me përvojë si në rastin e Mehës, apo yje që priten të shndërrimin siç pretendohet të jetë Rashica, nuk qenë pjesë e skuadrës që udhëtoi për ngjarjen më të madhe të futbollit shqiptar, drejt Francës. Ata nuk u bënë pjesë e humbjes përbashkuese të Marsejës dhe fitores mbresëlënëse të Lionit.

Dhe vendimi i tyre, ashtu si kohë më parë ai i portierit Ujkani, i ngjan një hakmarrjeje prej futbollistësh të pagdhendur. Ata duket sikur po shkojnë drejt Kosovës prej inatit dhe jo prej idealizmit. Nëse është kështu, zgjedhja e tyre është shumë më e trishtueshme sesa ajo e Shaqirit, Xhakës, Berhamit e Mehmedit, që shpesh i kemi vërshëllyer në stadium dhe i kemi etiketuar si tradhtarë.

Bukëshkalë apo jo, shqiptarët e Zvicrës së paku kanë pasur një motiv: një jetë më të mirë, një revansh në vendin që e njohën si bij emigrantësh dhe një portofol më të mbushur. Mirë ose keq, “tradhtia” e tyre, megjithëse mund të përçmohet është e kuptueshme, kurse dezertimi Milotit, Albanit dhe Herolindit është i trishtë, pikërisht sepse është i pakuptueshëm. Ata nuk janë “tradhtarë” se po ndërrojnë një skuadër shqiptare me një tjetër, se do ti përkulen flamurit blu me gjashtë yje, apo se do të këndojnë himnin që mezi iu gjet tekst.

Ata janë të tillë për tjetër gjë. Mbi të gjitha, për një ligj të pashkruar të sportit që kanë zgjedhur të praktikojnë, që nënkupton frymën e ekipit dhe sakrificën e individit në emër të tij. Duke përplasur të inatosur derën e kombëtares së Shqipërisë, këta kosovarë të mirë, më shumë sesa skuadrën prej nga u larguan, e dëmtuan vetveten. Ata treguan se janë të paaftë për të sakrifikuar.

Prandaj, e kam të pamundur ta kuptoj zgjedhjen e tyre, aq më tepër kur ajo vjen nga një i ri, që ka mbajtur për dy dekada me vete emrin Milot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat