Mesdheu kërcënohet nga një sëmundje shkatërruese bimore: Diçka e tillë s’është parë me dekada!

Lajme

Mesdheu kërcënohet nga një sëmundje shkatërruese bimore: Diçka e tillë s’është parë me dekada!

Më: 5 shkurt 2017 Në ora: 12:29
ilustrim

Një sëmundje shkatërruese që vitin e kaluar goditi të lashtat në Sicili, mund të zgjerohet më 2017 në Mesdhe e të kërcënojë të mirat e fermerëve të vegjël, paralajmërojnë ekspertët.

Organizata e Ushqimit dhe e Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO), u bën thirrje vendeve të Evropës dhe të Afrikës Veriore të marrin masa që sëmundja e drithërave të mos shndërrohet në epidemi shkatërruese.

Vitin e kaluar, sëmundja kishte prekur mijëra hektarë të fushave të grurit në Sicili.

“Diçka të tillë s’kemi parë që pesë a gjashtë dekada”, ka thënë për Reuters, eksperti nga Qendra Ndërkombëtare e Misrit dhe e Grurit (CIMMYT), David Hodson.

Analizat e CIMMYT-it dhe e Universitetin Aarhus në Danimarkë, të publikuar në revistën Nature, thonë se epidemia shkaktohet nga një infeksion fungal që për disa javë mund të shkatërrojë tërë të lashtat (nëse nuk parandalohet me kohë).

“Është shumë agresive”, paralajmëron Biagio Randazzo, agronom i cili i pari e ka vënë re këtë sëmundje.

Kjo e keqe mund të përhapet me erë gjatë këtij viti, ndërsa shtetet që do të preken thuhet se janë Greqia, Shqipëria, Libia dhe Tunizia. Por, ende ka shpresë se këta organizma nuk kanë mundur të mbijetojnë temperaturat e ulëta të këtij dimri.

Patologu i bimëve nga FAO, Fazil Dusunceli, thotë se sëmundja mund të godasë sidomos bujqësitë e vogla në Afrikën e Veriut.

“Për ta parandaluar epideminë duhet përdorimi i hershëm i fungicideve, por shumë bujq nuk kanë para e as dituri për përdorimin e tyre”, thotë ai. “Është mirë që të gjithë ekspertët të punojnë në këtë drejtim”.

Në shtetet në zhvillim, miliarda njerëz varen nga drithërat si ushqimi dhe financimi i tyre kryesor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat