Administrata e Trumpit, edhe një flakaresh për Serbinë dhe Nikolliqin

Lajme

Administrata e Trumpit, edhe një flakaresh për Serbinë dhe Nikolliqin

Më: 26 shkurt 2017 Në ora: 21:06
Tomisllav Nikolliq

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Britania e Madhe i kanë përgatitur presidentit të Serbisë një befasi të hidhur, në mbledhjen e nesërme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Publiku serb ka pasur pritje të mëdha pas zgjedhjes së Donald Trumpit president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shpresuar se administrata e re në Shtëpinë e Bardhë do të ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës.

Por, së fundmi, presidenti i 45'të i SHBA'së dhe njerëzit e tij më të afërt i kanë shtypur bindshëm shpresat e serbëve.

Fillimisht, ambasadorja e SHBA’së në OKB, Nikki Haley, deklaroi haptas se Kosova duhet të bëhet pjesë e OKB’së, e më pas, kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, publikoi një fotografi të një takimi që kishte pasur me numrin një të Amerikës, në Uashington.

Këto dy goditje, siç i quajtën mediat serbe, ia kujtuan Serbisë se Kosova, për SHBA’në, është kapitull i mbyllur, dhe se ajo do të vazhdojë ta trajtojë Kosovën si shtet i pavarur.

Por, duket se këtu nuk përfundojnë goditjet nga SHBA për Serbinë. Një flakaresh tjetër pritet ta marrë Serbia dhe presidenti i saj, Tomisllav Nikolliq, në Nju-Jork, të hënën.

Shtetet e Bashkuara, si dhe Franca e Britania e Madhe, kanë vendosur të përfaqësohen në mbledhjen e radhës së Këshillit të Sigurimit të OKB’së me zyrtarë të nivelit të tretë.

Krejt kjo në shenjë revanshi, pas vendimit të Serbisë për ta çuar presidentin në këtë mbledhje, dhe jo ambasadorin e saj në OKB apo ministrin e Jashtëm të vendit.

Në mbledhjen e së hënës të KS të OKB’së, SHBA’ja, Franca e Britania e Madhe nuk do të përfaqësohen as nga ambasadorët e tyre në OKB, e as nga zëvendësambasadorët.

Serbia duhej të përfaqësohej nga ambasadori i saj, por me dërgimin e presidentit në Nju-Jork për mbledhjen e radhës të KS të OKB’së, duket se shteti serb ka vendosur të përfaqësohet në nivelin politik.

Si rezultat, Nikolliq do të bisedojë me zyrtarë më të ulët amerikanë, francezë e britanikë, meqë këtë mbledhje do ta bojkotojnë ambasadorët e tyre dhe vartësit e tyre të parë. 

Republika e Kosovës, në këtë mbledhje, do të përfaqësohet nga Vlora Çitaku, ambasadore e shtetit në Uashington.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat