Arrestohen dy persona për vrasjen e Ferdinand Gjinit nga Gjakova

Lajme

Arrestohen dy persona për vrasjen e Ferdinand Gjinit nga Gjakova

Më: 2 mars 2017 Në ora: 17:31
ilustrim

Lajmin e arrestimit e bëri të ditur për KALLXO.com zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit Liridona Kozmaqi.

“Ju informoj se rasti për të cilin keni pyetur ka të bëjë me vrasjen  Ferdinand Gjinit, e cila ka ndodhur më 26.06.2014 tek ura që lidh fshatin Llukë dhe Prapaçan, për të cilën çështje është dënuar Gjon Pnishi nga fsh. Neck K. Gjakovës me 18 vjet burgim për vepër penale të vrasjes së rëndë”, tha Kozmaqi.

Policia në raportin e përditshëm bëri të ditur sot se ka arrestuar dy persona në fshatin Llukë e Epërme të Deçanit, pa saktësuar se për çfarë rasti ka ndodhur ky arrestim.

KALLXO.com kontaktoi zëdhënësin e Policisë Rajonale të Pejës Xhevat Ibrajn për ta pyetur nëse arrestimet kanë ndodhur për vrasjen e Ferdinand Gjinit, por Ibraj sugjeroi kontaktimin e prokurorisë.

Por tregoi për KALLXO.com se arrestimi i këtyre dy personave lidhet me vrasjen e Ferdinand Gjinit.

“Prokuroria është kompetente të flasë lidhur me rastin”, tha Ibraj.

Zëdhënësja e prokurorisë Kozmaqi, tregoi se arrestimi i dy personave ndodhi pasi rasti i Gjon Pnishit, të gjykuarit për vrasjen e Ferdinand Gjinit u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Sipas Kozmaqit, Prokuroria Themelore në Pejë autorizoi Njësitin e Krimeve të Rënda në Prishtinë për të vërtetuar pretendimet e Gjon Pnishit.

“Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore operative-gjurmuese për këtë rast, kjo prokurori ka lëshuar aktvendimin për ndalimin e A.S. dhe M.S. dhe me dt. 01.03.2017 kundër tyre ka marrë aktvendim për fillim e hetimeve me dyshimin se kishin për të kryer vepër penale vrasje e rëndë e kryer në bashkim kriminal”, tha Kozmaqi.

Ajo deklaroi se Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar paraburgim për të arrestuarit me inicialet A. S. dhe M. S.

Ferdinand Gjini ishte vrarë në orët e hershme të mëngjesit  të 23 qershorit 2014 me breshëri plumbash të kallashnikovit më mes fshatrave Llukë e Prapaçan të Deçanit.

Sulmi me armë zjarri kishte ndodhur tri- katër metra pasi Gjini kaloi urën mes këtyre dy fshatrave.

Gjini ishte duke drejtuar makinën e tij “Passat” me ngjyrë të kaltër në momentin tragjik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat