Ndërpritet seanca fillestare në gjyqin për nxitje të urrejtjes

Lajme

Ndërpritet seanca fillestare në gjyqin për nxitje të urrejtjes

Më: 27 mars 2017 Në ora: 19:11
Zyrtari i Komunës së Deçanit, Asim Cenaj

Zyrtari i Komunës së Deçanit, Asim Cenaj, akuzohet për nxitje të urrejtjes ndaj komunitetit serb.

Dhjetëra qytetarë janë mbledhur spontanisht para Gjykatës në Deçan për të protestuar kundër gjykimit të Asim Cenajt, zyrtar komunal, i akuzuar për nxitje të urrejtjes ndaj komunitetit serb.

“Kjo është një protestë spontane e qytetarëve por që kjo realisht reflekton revoltën e çdo qytetari të Deçanit që ka të bëjë në mbështetje të një të drejte njerëzore që njeriu ka të drejtë që të kërkojë të dijë për fatin e familjarit të tij të zhdukur”, tha Agron Berisha, një qytetar i Deçanit.

Agron Berisha paralajmëroi protesta masive ne rast së Asim Cenaj vazhdon të ndiqet me këtë aktakuzë nga institucionet e drejtësisë.

Kurse salla ku po mbahej seanca fillestare ishte e stërmbushur me qytetarë.

Në fillim të seancës, Kujtim Kërveshi, avokat i të akuzuarit, u ankua se Prokuroria nuk ia ka ofruar provat të përkthyera në gjuhën që klienti i tij e kupton.

“Katër provat të cilat prokuroria i ka ofruar në dy gjuhë të huaja për klientin tim, njëra nga to nuk është gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës dhe duhet të përkthehet detyrimisht. Po këto prova i nderuari gjyqtar para kësaj duhet përkthehen,” tha ai.

Ndërsa, prokurori i rastit, Muharrem Bajraktari, tha se mungesa e një përkthyesi në institucionin prej nga vjen ka bërë që disa prova të mos përkthehen.

“Duke qenë se nuk kemi përkthyes për këto gjuhë në kuadër të prokurorisë, çdo kërkesë e tillë duhet t’i drejtohet përkthyesve të licencuar nga gjykata. Kështu që një kërkesë e tillë ndoshta është në veprim ose nëse nuk është që sot e fillojmë për ta realizuar”, tha prokurori.

Kurse, gjyqtari i rastit, Sulltan Dobraj. tha se deri më tani asnjë kërkesë për përkthimin e këtyre provave nuk ka ardhur nga Prokuroria në Gjykatë.

Kështu që, gjyqtari mori vendim që seanca fillestare të ndërpritet dhe e njëjta të vazhdojë më 26 prill.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat