Porosia e Haradinajt për Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Lajme

Porosia e Haradinajt për Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Më: 14 maj 2017 Në ora: 19:45
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në një tubim në Podujevë, ku ka thënë se tashmë po shihet që Brukseli, duke aluduar kështu në Bashkimin Europian, s’po mundet t’i përfundojë çështjet në mes Kosovës e Serbisë, ndaj ka ftuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ta bëjnë një gjë të tillë.

Apo, siç ka thënë Haradinajt, shqiptarët përsëri mund t’i marrin gjërat në dorën e tyre.

“Brukseli duhet të vendos – të na tregojë që a mundet t’i përfundojë punët mes Kosovës e Serbisë. Unë po besoj që nuk mundet, për këtë arsye po kërkoj nga Uashingtoni që t’i kthehet Ballkanit”, pohoi Haradinaj.

“Uashingtoni është mirë t’i mbyllë gjërat mes Kosovës e Serbisë. Nëse ata nuk vijnë për të na ndihmuar, atëherë ne nuk duhet thjeshtë të presim, por duhet t’u prijmë punëve tona. Ne nuk e kemi luksin të presim kush e di sa. Ne duhet t’u tregojmë se që 20 vjet u sollëm si është më së miri. Mos harroni, Serbia ende e ka Kosovën në Kushtetutën e vet. Nëse ata s’na largojnë nga Kushtetua e tyre, përse mos ta bëjmë edhe ne një nen në Kushtetutë për popujt e shpërngulur nga tokat shqiptare dikur atje”.

Lideri i Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës shtoi se Kosova është e vërtetë që e ka KFOR-in, këtu, madje ai pohoi se edhe ushtria e Shqipërisë është “e jona”, por tha se Kosova duhet të bëhet me ushtrinë e saj sa më parë që të jetë e mundur.

Haradinaj ka folur edhe për akuzat e Serbisë përmes Interpolit që e lanë disa muaj në Francë, derisa gjykimi përfundoi në gjykatën e Colmarit dhe u dëshmua se Serbia s’ka prova të reja për të.

“Në rastin tim Brukseli ka dështuar, e ka lejuar Serbinë të lazdrohet, siç ka bërë edhe disa herë më parë. Por, kush janë këta njerëz që po na gjykojnë? Aleksander Vuçiq ka qenë njeri i Sheshelit, Vuçiq është po ai njeri që kundër ligjeve të Serbisë shpërndante postera të Ratko Mlladiq-it. Pastaj Tomislav Nikoliqi është një njeri që bëjnë hajgare me të, varrmihës  i thonë. Ai po ashtu po thotë ‘vij unë me djem të mi në luftë’. Por, në Bruksel askush nuk lëshoi zë, pasi janë mësuar ta lejojnë ashtu. Ndërsa Ivica Daçiq është njeri që ende qanë për Slobodan Millosheviqin”, ka thënë Haradinaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat