Tërnava fton të ruhet islami i pastër e të mos devijohen parimet e tij

Lajme

Tërnava fton të ruhet islami i pastër e të mos devijohen parimet e tij

Më: 25 qershor 2017 Në ora: 05:30
Naim Ternava

(E plotësuar) - Besimtarët myslimanë në Kosovë sot po kremtojnë festën e Fitër Bajramit.

Shënimi i kësaj feste ka nisur sot në orët e para të mëngjesit në të gjitha xhamitë në Kosovë, ndërkohë që manifestimi qendror është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Festa e Fitër Bajramit ka pasuar muajin e shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit, sipas besimit islam, agjërohet 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.

Mesazhin kryesor për festën e Fitër Bajramit e ka adresuar myftiu i Kosovës, Naim Tërnava. Duke u uruar të gjithë besimtarëve festën e Fitër Bajraimit, ai ka bërë thirrje për paqe dhe tolerancë, mirësisë e dashuri ndërmjet njerëzve.

“Në këtë ditë feste e krenarie që rikujton edhe shëmbëlltyrën e njeriut më të dashur të Zotit, shëmbëlltyrën e Muhamedit a.s, i cili botës i solli paqe, lumturi dhe harmoni duke reflektuar në vazhdimësi ndjenjën e vëllazërisë dhe barazisë mes njerëzve, emri i të cilit është sinonim i paqes, i dritës, udhëzimit, harmonisë dhe arsimit”.

“Nisur nga kjo kërkoj nga ju që të largoheni nga çdo punë e ligë dhe të shtrini dorën e pajtimit, ta ndihmoni njëri tjetrin të përkujdesen për të varfëritë e për jetim”, ka thënë Tërnava.

Ai ka shtuar se ka një rrugë të vetme dhe ajo është rruga e paqes, harmonisë dhe respektit në mes njerëzve.

Myftiu Tërnava në mesazhin e tij ka bërë që të ngritët zëri dhe të ruhet islami i pastër dhe të mos devijohen parimet e tij.

“Dashakeqët e njerëzit e shitur duke përdorur strategji prej më të ndryshmëve arritën të fusin në mesin tonë njerëz të cilët në emër të fesë së pastër islame mbollën paqartësi e urrejtje mes besimtarëve duke shtrembëruara dhe keqinterpretuar parimet e pastra e të drejta islame meteza jo reale. Për ta ruajtur porosinë hyjnore dhe mësimet e Muhamedit a.s nga çdo kush që devijon ato duhet ta ngremë zërin dhe të themi që islami është i pastër nga çdo gjë e ligë që tashmë i vishet islamit”.

Tërnava një mesazh të veçantë ka adresuar edhe për liderët politikë të Kosovës. Ai ka kërkuar nga ata që të lënë anash interesat dhe të punojnë në të mirë të vendit.

“Të punojmë bashkë dhe pa hile në çuarjen përpara të proceseve në të mirë të vendit të atdheut tonë. Në këtë ditë festë apelojmë me urtësinë e zemrës tek të gjithë faktorët politikë që të lënë anash interesat partiake personale e grupore e të angazhohen në ruajtjen e unitetit veprues në të mirë të vendit dhe popullit, sepse para vetit kemi shumë sfida”, thekson Tërnava.

Bashkësinë Islame dhe të gjithë besimtarët mysliman në Kosovë i kanë uruar edhe udhëheqësit më të lartë të institucioneve dhe partive politike të Kosovës.

Image

Falja e Namazit të Fitër-Bajramit në Prishtinë

Manifestimi qendror për festën e Fitër-Bajramit për Republikën e Kosovës po mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku Namazi i Fitër-Bajramit falet në ora 05:37 minuta.

Manifestimi ka filluar në ora 04:15, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit ishte ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga Ekrem Maqedonci.

“Namazi i Fitër – Bajramit falet në ora 05:37 minuta të cilit do t'i prijë, Sabri Bajgora-kryeimami i BIK-ut. Hytben e Fitër - Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili do t’u drejtohet opinionit të gjerë me mesazh për këtë festë”, thuhet në njoftim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat