Dita botërore kundër abuzimit dhe trafikimit të drogave

Lajme

Dita botërore kundër abuzimit dhe trafikimit të drogave

Më: 26 qershor 2017 Në ora: 07:13
ilustrim

Dita e 26 qershorit simbolizon Ditën Botërore kundër abuzimit dhe trafikimit të drogave.

Historia e përdorimit të substancave psikoaktive apo drogat, daton më shumë se 2000 vjet më parë. Duke filluar që nga format e para primitive të organizimeve sociale të individëve në grupe apo komunitete, prezenca e drogave ka qenë pjesë e përditshmërisë së tyre, kryesisht gjatë ritualeve fetare, gjuetive dhe në bankete festash. Njeriu, si një qënie njerëzore me dëshira të pashmangshme për të përjetuar emocione të forta dhe përjetime perceptive të cilat shkojnë përtej mundësive normale dhe aftësive vetjake, ka bërë që individët të zhvillojnë një marrëdhënie të qëndrueshme me drogat përtej kohës, hapësirës dhe kontekstit kulturor apo social.

Ndikimi dhe funksionimi i këtyre substancave psikoaktive në organizëm nuk njiheshin deri në fillim të shekullit të 20-të. Sot, mjekët, biologët, neuroshkencëtarët dhe profesionistët nga disiplinat e tjera në këtë fushë, kanë arritur të zbulojnë mekanizmin fiziologjik që ndodh në trupin tone, gjatë përdorimit të drogave dhe të kuptojnë përse individët krijojne varësi ndaj disa substancave psikoaktive.

Substanca të paligjshme, të cilat mund të shkaktojnë probleme të theksuara shëndetësore, sociale dhe ligjore, konsiderohen: kanabisi (hashash, marijuana), kokaina, metaamfetaminat (ekstazit), opiatet (heroina, morfina, metadoni), halucinogjenet (LSD, kërpudhat magjike) si dhe sedativët në formë spray. Në vitin 1987, Kombet e Bashkuara (UN) kanë caktuar 26 Qershorin si Ditën Botërore të Luftës Kundër Trafikimit dhe Abuzimit me Drogat. Për vitin 2014, Zyra e Kombeve të Bashkuara Kundër Trafikimit të Drogave dhe Krimit (UNODC) ka publikuar fushatën e saj sensibilizuese, ku theksi i vihet parandalimit dhe trajtimit të çrregullimeve që vijnë si pasojë e përdorimit dhe abuzimit me substancat e paligjshme. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO), të paktën 15.3 milionë persona në të gjithë botën kanë probleme si rrjedhojë e përdorimit të drogave. Në vitin 2004, OBSH vlerësoi se 0,7 % e barrës globale të sëmundjeve ndodh si pasojë e përdorimit të kokainës dhe opioideve dhe se në disa shtete kosto sociale nga përdorimi i substancave të paligjshme ishte diku në 2% e GDP.

Sipas të dhënave të UNODC, rreth 200 milionë persona përdorin drogë të paktën një herë në vit. Nga këta, 25 milionë konsiderohen si të varur nga drogat. Çdo vit, 200.000 persona vdesin nga sëmundje që janë të shkaktuara nga përdorimi i drogave. Në Shqipëri nuk ka të dhëna të matshme në lidhje me numrin e përgjithshëm të përdoruesve. Sipas studimeve të ekspertëve në këtë fushë (ISHP, 2011), gjykohet se, numri i personave të cilët kanë përdorur të paktën një herë substanca psikoaktive të paligjshme variojnë midis 40.000- 60.000. Ndërsa numri i personave të cilët kanë patur probleme si pasojë e përdorimit dhe abuzimit me substanca të paligjshme (PDU) në të gjithë vendin është diku te 5000-7500. Nga këta, numri i përdoruesve intravenoze varion mes 4000-6000.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat