Gjuriç thotë se i përkrahin serbët në Qeverinë Haradinaj

Lajme

Gjuriç thotë se i përkrahin serbët në Qeverinë Haradinaj

Më: 9 shtator 2017 Në ora: 15:18
Marko Gjuriq

Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe, se atyre u është dhënë mbështetja e Presidentit të Serbisë, e Qeverisë dhe institucioneve, në luftën për mbijetesën e popullit në Kosovë.

Kësisoj, ai ka thënë se do të mbështesin vendimin e tyre për të hyrë në qeverinë e kryesuar nga Ramush Haradinaj,.

Lista Serbe para votimit të Qeverisë qëndroi në Beograd për takime konsultuese me zyrtarët e lartë atje.

Seanca e jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë së Kosovës është thirrur për në orën 16:00, ndërsa votimi pritet të bëhet kur deputetët e Listës Serbe të kthehen në Kosovë.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic ka thënë se nuk kanë ndryshuar qëndrimin ndaj Ramush Haradinajt derisa ka deklaruar se serbët do ta marrin vetë vendimin për të hyrë ose jo në Qeverinë e re të Kosovës.

“Vendimin për pjesëmarrjen eventuale në Qeverinë e Kosovës mund ta marrin vetëm serbët, të cilët ruajnë ekzistencën e popullit të tyre në Kosovë”, ka thënë Vucic, në një bisedë me gazetarë në Beograd.

Lista Srpska pritet të jetë pjesë e Qeverisë së Kosovës në koalicion me PAN’in. Madje, u janë ndarë edhe tri ministri në Qeverinë e udhëhequr prej Ramush Haradinajt.

Në krejt këtë situatë, Vucic ka thënë se qëndrimi i Shtetit të Serbisë mbetet i njëjtë për ish-Komandantin e UÇK’së, Ramush Haradinajt.

“Beogradi zyrtar nuk ndryshon qëndrimin ndaj Ramush Haradinajt”, ka shtuar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat