Shqiptari i Kosovës arrestohet në Serbi, kjo është arsyeja

Lajme

Shqiptari i Kosovës arrestohet në Serbi, kjo është arsyeja

Më: 9 tetor 2017 Në ora: 10:23
Ilustrim

Media e Beogradit sot njofton se afër Kurshumlisë, Serbi, është arrestuar një shqiptar nga Kosova.

I arrestuari, të cilit nuk i tregohet emri, akuzohet se në fshatin Kosaniçka Raça në dalje të kufirit me Kosovën, afër Merdarit, ka vënë dy zjarre.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se nuk kanë asnjë informacion për këtë arrestim.

“Serbët zakonisht i dërgojnë lajmet nëpërmjet ndërkombëtarëve, por nëse ne sigurojmë informacione do t’i publikojmë”, ka thënë Kelani.

Siç kanë thënë banorë të këtij fshati për median serbe, zjarri i parë ka ndodhur në një shtëpi të pabanuar në rrugën Merdar- Kurshumli e më pas edhe në objektin ndihmës në të cilin është djegur një sasi e madhe sane.

“Zjarret, siç kemi marrë vesh nga Policia, i ka shkaktuar shqiptari nga Kosova i cili të shtunën në mbrëmje e ka kaluar ilegalisht kufirin në Merdar”, ka thënë për këtë portal serb këshilltari komunal i Kurshumlisë, Goran Bojoviq.

Sipas kësaj medieje, Policia e ka zënë dhe e ka arrestuar autorin e zjarreve, shqiptarin, i cili, thuhet, ka pranuar t’i ketë vënë zjarret.

Edhe pse policia nuk ka dhënë detaje rreth këtij arrestimi, jo zyrtarisht thuhet se i arrestuari do të merret sot në pyetje në prani të përthyesit pasi ai nuk e di gjuhën serbe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat