Marrëveshje bashkëpunimi mes universitetit “Isa Boletini” dhe atij të Tetovës

Lajme

Marrëveshje bashkëpunimi mes universitetit “Isa Boletini” dhe atij të Tetovës

Më: 9 tetor 2017 Në ora: 16:19
Alush Musaj dhe prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar i Universitetit të Tetovës, Arbër Çeliku

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe Universiteti i Tetovës, do të shkëmbejnë përvojat e tyre dhe kapacitetet që kanë për studentët dhe stafin akademik.

Për këtë qëllim është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy universiteteve nga rektori, Alush Musaj dhe prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar i Universitetit të Tetovës, Arbër Çeliku.

Musaj me këtë rast njoftoi prorektorin Çeliku për rrjedhat në Universitetin “Isa Boletini”, të arriturat dhe sfidat.

“Përkundër rrethanave ia kemi dalë që të konsolidohemi shpejt si universitet, ndërsa bashkëpunimet që kemi me universitetet në rajon dhe në botë na kanë ndihmuar shumë, duke hapur mundësi për studentët dhe stafin tonë akademik, të cilët janë bërë pjesë e projekteve të ndryshme ndërkombëtare”, ka thënë Musaj.

Sipas tij, me bashkëpunimin që po fillon me Universitetin e Tetovës, po arrijnë që të kenë marrëveshje bashkëpunimi me të gjitha universitetet shqipfolëse në rajon.

“Jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin që kemi me universitetet në rajon dhe gjithandej nëpër botë. Presim që bashkëpunimi me Universitetin e Tetovës të jetë i frytshëm”, tha ai.

Ndërsa, prorektori Çeliku theksoi se do të ofrojnë krejt mundësitë e tyre si një universitet që tashmë ka krijuar një traditë të mirë dhe një stabilitet në të gjitha aspektet.     

“Jemi të hapur të shqyrtojmë mundësitë për bashkëpunim në sfera specifike që janë të veçanta për universitetet tona”, theksoi Çeliku.

Gjatë këtij takimi u tha se qëllimi i kësaj marrëveshje është zhvillimi i bashkëpunimit akademik në nivelin e studimeve universitare, si dhe zhvillimi i aktiviteteve kërkimore, shkencore dhe kulturore ndërmjet dy universiteteve.

Në kuadër të marrëveshjes thuhet se palët mund të zhvillojnë aktivitete të tjera me interes të përbashkët, si shkëmbimi i stafit akademik dhe administrativ, shkëmbime studentësh, aktivitete dhe publikime të përbashkëta në kërkim shkencor dhe të ngjashme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat