22 të arrestuar për drogë në shkolla, tre prej tyre nxënës

Lajme

22 të arrestuar për drogë në shkolla, tre prej tyre nxënës

Më: 30 tetor 2017 Në ora: 16:57
Ilustrim

Policia e Kosovës në funksion të zbatimit të planit “Stop drogave në shkolla” ka vazhduar aktivitetet e saj gjatë periudhës kohore 23 tetor deri më 29 tetor.

Kjo javë, sipas Policisë, ka rezultuar me gjithsej 22 persona të dyshuar të arrestuar, prej tyre tre nxënës të shkollave të mesme.

Në kuadër të këtij plani Policia ka njoftuar se në fushën e parandalimit janë realizuar vizita dhe kontakte me personelin e shkollës, në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante, janë mbajtur ligjërata, janë shpërndarë fletushka dhe janë angazhuar zyrtarë policorë për patrullime rreth shkollave.

Në fushën operacionale janë kontrolluar persona të cilët kanë frekuentuar në zonën e sigurisë 300 m rreth shkollave, po ashtu janë kontrolluar vetura, lokale dhe vende tjera të dyshuara.

Sipas Policisë për periudhën raportuese janë realizuar 225 vizita dhe kontakte me personelin e shkollave, 437 patrullime rreth shkollave, janë kontrolluar 459 persona, 194 vetura dhe 18 lokale, janë mbajtur gjashtë ligjërata në shkolla, 460 nxënës pjesëmarrës dhe janë shpërndarë 170 fletushka.

Sipas planit për realizimin e aktiviteteve janë angazhuar zyrtarë policorë nga drejtoritë rajonale të Policisë, stacionet policore, Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Preventivë, Drejtoria për Inteligjencë dhe Analizë dhe Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë./Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat