Dëshmitarët rrëfejnë momentet e vrasjes së dy vëllezërve Ramaj

Lajme

Dëshmitarët rrëfejnë momentet e vrasjes së dy vëllezërve Ramaj

Më: 1 nëntor 2017 Në ora: 20:22
Pamje nga seanca e gjykimit për vrasjen e vëllezërve Ramaj

Dy dëshmitarë okularë kanë rrëfyer sot në Gjykatën e Pejës për vrasjen e dy vëllezërve, Rexhep e Burim Ramajt, që ndodhi në gusht të vitit të kaluar në Shaptej të Deçanit.

Për këtë vrasje të dyfishtë akuzohen babë e bir, Salih e Durim Lushaj, nga po i njëjti fshat.

Dëshmitari Mustafë Ramaj tregoi se ka qenë në vendin e ngjarjes në momentin kur ndodhi vrasja e dyfishtë.

Ramaj tha se ditën kritike kishte shkuar për ta thirrur Gani Ramajn për të shkuar për ngushëllime në një fshat tjetër.

Derisa po shkonte te Ganiu, dëshmitari tha se i ka parë dy vëllezërit,  Rexhep e Burim Ramajn, që po qëndronin para shtëpisë së Rexhepit.

“Ka dalë Gania dhe kam kërku me shku me pa në një fshat. Jemi bërë bashkë me ata djemtë (Rexhepin e Burimin) te dyert e shtëpisë së Rexhepit. Deri sa kemi qenë duke qëndruar aty Burimi ka qenë i ulur cuc”, tha Mustafë Ramaj.

Dëshmitari më pas tregoi edhe momentin kur me veturë kishte kaluar andejpari i akuzuari Durim Lushaj.

“Durimi ka kalu me veturë, unë e kam përshëndetur. Ai ka shku te shpija e Dervish Lushajt, e ka kthyer veturën. Pastaj ka dalë prej kerrit”, tha ai.

Me pas ai tregoi se çfarë i kishte thënë Burim Ramajt i akuzuari Durim Lushaj pasi kishte dalë nga vetura e tij.

“Kur u dalë prej kerrit i ka thanë Burimit tri here ren: Çka t’kom borxh? U afru ngat Burimit, e Burimi u çu në këmbë. Kemi hy në ndërmjet unë dhe Gania mos m’i lanë me ba fjalë”, theksoi dëshmitari.

Përgjigjet e dëshmitarit revoltojnë prokuroren

Më pas dëshmitari tregoi kur të akuzuarin Durim Lushaj e kishte larguar Rexhep Ramaj për të mos u fjalosur me vëllain e tij, Burimin.

“Rexhepi e ka largu Durimin në anën tjetër, jo me bo fjalë por me largu”, tha dëshmitari.

Gjatë dëshmisë Mustafë Ramaj tregoi edhe për momentin kur kishte ardhur në vendngjarje edhe i akuzuarit tjetër, Salih Lushaj.

“Salihu iu ka afru Rexhepit e Durimit kur ka ardhë. Nuk i kam pa armë asnjërit. Kur erdh Salihu ndodhi kjo, krisi arma”, tha dëshmitari.

Pasi kishte dëgjuar krismat e armëve dëshmitari tregoi se kishte parë të shtrirë përtokë Rexhep Ramajn.

“Rexhepin e kam parë të shtrirë në tokë. Durimi e Salihu janë shku në anën tjetër te Burimi. Aty më pas janë dëgjuar sërish krisma”, tha dëshmitari.

Mustafë Ramaj se në kohën kur dy vëllezërit ishin të shtrirë në tokë ka parë të akuzuarit duke u larguar me veturë.

Në shumicën e pyetjeve dëshmitari shpeshherë u përgjigj se nuk ka mundur ta shihte mirë rastin pasi që kishte qëndruar prapa veturës.

“Nuk e di”, u përgjigj disa herë dëshmitari derisa ballafaqohej nga prokurorja me deklaratat e tij të dhëna në Prokurori dhe Polici.

Kjo bëri që prokuroja të revoltohej në një rast dhe iu drejtua dëshmitarit me fjalët: Mos rrej!

“Edhe atëherë kam qenë i humbur edhe tash jam i humbur”, tha dëshmitari para trupit gjykues në disa raste derisa merrej në pyetje rreth rastit.

Dëshmitari tregon si u përpoqën t’i ndajnë

Dëshmitari i radhës ishte Arben Beqiraj.

Ai tregoi se në ditën kritike ishte kthyer nga puna rreth orës 18:00 dhe se me Burim Ramajn e kishin lënë të pinin kafe në Deçan.

Beqiraj tregoi edhe momentet kur kishte dëgjuar fjalosjen mes Durim Lushajt dhe Burim Ramajt derisa po kalonte andejpari.

“Kam qenë diku 50 metra larg. E kam parë kerrin kur është kthyer tek dera e Dervishit edhe u ndal para derës se Rexhepit. Te dera kanë qenë Gania, Rexhepi, Burimi, Mustafa dhe Adonisi. U dal Durimi, unë s’jam ndal të parën herë. Kam vazhdu me shku tek shpia e Fatonit. Më pas u ktheva se e pash se diçka nuk është në rregull sepse dëgjova fjalë me tone të acaruara. Durimi iu kish afru Burimit, unë pastaj i kam ndarë bashkë me Rexhepin”, tha dëshmitari, Arben Beqiraj.

Ai tregoi se rastin e parë nuk i kishte parë duke u përleshur por vetëm kur i akuzuari Durim Lushaj e kishte rënduar me fjalë Burim Ramajn.

“Rri urtë se ta jepi plumb i ka thanë Burimit Durimi”, tha ai.

Dëshmitari tregoi edhe kur në vendngjarje kishte ardhur edhe babai i Durim Lushajt, Salihu.

“Kur u ardh Salihu me ka shtyrë mua dhe Rexhepin se ka mendu qe ne po fjalosemi me Durimin. Unë jam rrëzuar nga e shtyra e Salihut dhe jam ra me bërryl. Pasi jam rrëzuar nuk kam insistuar më t’i ndaj por kam vazhduar në drejtim të shtëpisë time”, tha dëshmitari.

Ai tha se pasi kishte filluar të largohet nga vendi i ngjarjes me biçikletë kishte filluar përleshja mes Lushajve dhe Ramajve, por dëshmitari tha së nuk i kishte parë se kush me kënd përleshej.

Pasi kishte bërë 20 metra në drejtim të shtëpisë, Arben Beqiraj tha se i kishte dëgjuar disa të shtëna të armëve të zjarrit.

“Pas 20 metrave kam dëgjuar krismat, kam dëgju ma shumë se një krismë. Krismat kanë qenë të herëpashershme. Pasi jam kthyer fillimisht i kam parë duke u larguar Salihun dhe Durimin, ndërsa në vend të ngjarjes i kam parë të shtrirë Rexhepin dhe Burimin”, tha dëshmitari Beqiraj.

Dëshmitari po ashtu tha se nuk kishte dëgjuar me herët se Salih e Durim Lushaj të kenë pasur telashe me Rexhep e Burim Ramajn, por me kushëririn e tyre, Dervish Lushajn.

Përplasja e prokurores dhe avokates

Gjatë seancës së sotme ka pasur përplasje mes prokurores së rastit, Valbona Disha-Haxhosaj dhe avokates Kosovare Kelmendi, që mbron të akuzuarin Salih Lushaj.

Përplasja filloi kur avokatja derisa po i bënte pyetje dëshmitarit Mustafë Ramaj, kryetari i trupit gjykues, Sali Berisha, e pyeti mos është nervoz.

“Mos po bëheni nervoz sikur prokuroja?”, i tha kryetari i trupit gjykues avokates Kelmendi.

“Jo, jo, nuk jam nervoz si prokurorja. Unë i zgjedh fjalët”, tha avokatja Kosovare Kelmendi.

Ky deklarim i avokates nuk i pëlqeu prokurores, e cila tha se ndihet e ofenduar. Prokurorja tha se nëse avokatja nuk kërkon falje do largohet nga seanca.

“Le të kërkon falje ose e ndërprej seancën. Nuk toleroj këso fyerjesh”, tha prokurorja Disha-Haxhosaj.

Më pas trupi gjykues kërkoi 5 minuta pauzë dhe pas pauzës bëri publik vendimin.

“Kryetari i trupit gjykues nuk i jep pëlqimin prokurores ta lëshojë sallën e gjykimit pa lejen e trupit gjykues dhe e njofton të njëjtën se nëse vepron në mënyrë arbitrare pa lejen e trupit gjykues, trupi gjykues do ta njoftojë për veprimin e saj Kryeprokurorin e Shtetit dhe njëkohësish do kërkojë përjashtimin e saj në çështjen në fjalë”, tha kryetari i trupit gjykues.

Prokurorja tha se do të vazhdojë të qëndrojë në seancë për hir të punës që ka bërë rreth këtij rasti.

“Me qenë se është në pyetje për mu përjashtu, kjo është arsyeja që do vazhdoj të rri. Për shkak të punës që kam bërë në këtë rast nuk dëshiroj të jem e përjashtuar nga kjo lëndë. Do vazhdoj të jem në seancë, por avokatja të ketë kujdes në fjalët e saj”, tha prokurorja Valbona Disha Haxhosaj.

Vërejtje për sjellje “provokuese” ndaj prokurores iu dhanë edhe avokates Kosovare Kelmendi nga trupi gjykues.

“Kryetari i trupit gjykues po ashtu i bënë vërejtje mbrojtëses të të dëmtuarit Salih Lushaj, avokates Kosovare Kelmendi për sjellje provokuese me fjalët se nuk bëhem nervoz si prokurorja”, tha kryetari i trupit gjykues.

Seanca e radhës e këtij gjykimi do mbahet me 13 dhe 14 nëntor të këtij viti./Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat