Sot shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Lajme

Sot shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Më: 22 nëntor 2017 Në ora: 08:14
Ilustrim

Sot në Maqedoni shqiptarët shënojnë 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 107 vjet më parë në Kongresin e Manastirit. Kjo festë është paralajmëruar të jetë tradicionale dhe sa më shumë të marrë jehonë në mbarë trevat shqiptare.

Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.

Në Manastir, në atë kohë, kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurt për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar.

Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.

Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.

Për shqiptarët e Maqedonisë kjo ditë është ditë feste dhe nuk punohet, ndërsa në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.

Pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit:

Rreshti i parë (nga lart, nga e majta: Sami Pojani (delegat i Korçës), Zenel Glina(i Leskovikut), Leonidha Naçi (i Vlorës), Simon Shuteriqi (i Elbasanit), Dhimitër Bruda (i Elbasanit), Azis Starova (i Starovës), Adham Shkaba (i Sofjes), Mati Logoreci (i Shoqëri së “Agimi”).

Rreshti i dytë: Rrok Berisha Gjakova (i Shkupit), Bajo Topulli (i Gjirokastrës), Grigor Gilka (i Korçës), Sotir Peci (i Amerikës dhe i Bukureshtit), Shefqet Frashëri (i Korçës), Luigj Gurakuqi (i Shkodrës), Shahin Kolonja (i Kolonjës), Ahil Eftim Korça (i Konstancës), Hil Mosi (i Shkodrës).

Rreshti i tretë: Nyzhet Vrioni (i Beratit), Dhimitër Mole (i Filibesë - Bullgari), Gjergj Qiriazi (i Manastirit), At Gjergj Fishta (i Shoqërisë “Bashkimi”), Midhat Frashëri (i Klubit të Selenikut dhe Janinës), Don Nikollë Kaçori (i Durrësit), Don Ndre Mjeda (i Shoqërisë “Agimi”), Fehim Zavalani (i Manastirit).

Rreshti i katërt: Refik Toptani (i Tiranës), ÇerçizTopulli, Mihal Grameno (i Korçës). Anash janë dy patriotë jo delegatë.

Nga Mihal Gramenoja, në kujtimet e tij, përmenden si pjesëmarrës - por që mungojnë në këtë fotografi: Parashqevi Qiriazi (delegate e Shkollës së Çupave Korçë), Havez Ibr ahimi dhe Emin Beu (të Shkupit), Rauf Beu (i Gjirokastrës) dhe Selahedin Beu (i Manastirit).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat