Jehona e festave kombëtare në Luginë të Preshevës

Lajme

Jehona e festave kombëtare në Luginë të Preshevës

Nga: Sevdail Hyseni Më: 29 nëntor 2017 Në ora: 08:43
Pamje nga festa në Luginës e Preshevës

Në qytetin e Bujanocit, ka disa ditë, që ka filluar “Java e nëntorit”, eveniment, ky, kulturor kushtuar festave të nëntorit, me rastin e Ditës së Flamurit Kombëtar dhe 105 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.

Nën patronatin e Këshillit Nacional, Komunës së Bujanocit dhe Pallatit të Kulturës, janë organizuar një varg manifestimesh me karakter kulturor, duke përfshirë sipas agjendës: përurime librash, ekspozita, shfaqje për fëmijë dhe të rritur nga teatri i kukullave nga Lezha dhe programi festiv me valle e këngë të ndryshme shqiptare.

Bujanoci dhe Presheva, në ditën qendrore të Festës së Flamurit Kombëtar, u veshën kuq e zi, ngjyra këto që kanë shijen e atmosferës së ngrohtë të festave të nëntorit, pavarësisht pengesave ligjore, që vijnë nga Beogradi, për moslejimin e përdorimit të simboleve kombëtare.

Në mëngjesin e 28 nëntorit në godinat institucionale të Bujanocit e Preshevës, duke përfshirë edhe atë të selisë së Këshillit Kombëtar Shqiptar, në Bujanoc, u ngrit Flamuri Kombëtar, po ngritje famujsh pati edhe nëpër objektet e subjekteve politike dhe atyre private.

Në Pallatet e kulturës në Bujanoc dhe Preshevë u organizuan programe të pasura kulturo-artistike, si dhe u bënë homazhe te varrezat e dëshmorëve të ish UÇPMB-së.

Ndonëse nga Beogradi zyrtar nuk ka pasur ndonjë intervenim për ndalimin e kremtimit të Ditës së Flamurit Kombëtar nga shqiptarët etnikë të Luginës së Preshevës, lajmet nga terreni bëjnë të ditura se forcat e xhandarmërisë serbe kanë grisur flamurin kombëtar në shtëpinë e vëllait të ish Komandant Lleshit, në Bujanoc, si dhe kanë hequr dhunshëm flamurin kombëtar mbi pllakën e dëshmorëve të ish UÇPMB-së në Dobrosin të Komunës së Bujanocit.

Reagime lidhur me këtë akt vandal të xhandarmërisë serbe ka pasur edhe kryetari i Bashkësisë Lokale të Dobrosinit, Reshat Salihu dhe nga pronari i shtëpisë së vëllait të Komandant Lleshit, alias Ridvan Qazimi, kryenegociatorit të palës shqiptare, i vrarë në maj të vitit 2001, pak ditë pas arritjes së Marrëveshjes së Konçulit, për demobilizimin e ish UÇPMB-së.

Image

Me provokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe janë njoftuar autoritetet e Komunës së Bujanocit dhe përfaqësuesit e OSBE-së. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së ish UÇPMB-së, të cilët përsëri e kanë vendosur Flamurin Kombëtar në vendin e duhur te pllaka përkujtimore e tre dëshmorëve nga Prizreni, të vrarë gjatë konflikteve të armatosura në Luginë të Preshevës.

Simboli historik

Dita e Flamurit Kombëtar, simboli historik i shqiptarëve, nuk shënohet, njësoj, në të gjitha hapësirat e etnikumit shqiptar.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, janë të fundit në viset etnike, që nuk e kanë të rregulluar me ligj përdorimin e simboleve kombëtare.

Derisa shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe diasporë, me kënaqësi e presin 28 nëntorin, ditën më të dashur të popullit shqiptar, për ta shënuar e kremtuar me dinjitet, ata të Luginës së Preshevës, festojnë e protestojnë njëkohësisht, për moslejimin e përdorimit të simboleve kombëtare në mënyrë institucionale.

Pavarësisht nga këto probleme të natyrës politike, shqiptarët e Luginës së Preshevës, gjejnë mënyrën, në stilin e vet, për ta shënuar 105 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, kur në Vlorën heroike, më 28 nëntor 1912, u ngrit Flamuri Kombëtar.

Po mbushen 105 vjet e populli shqiptar, vazhdon të jetë i ndarë në dy shtete e disa krahina dhe i shpërndarë në shumë vende të botës.

Image

Aspirata kombëtare

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, pa dëshirën e tyre vazhdojnë të jetojnë të ndarë me kufij shtetërorë, ndonëse asnjëherë nuk e kanë humbur durimin në luftën shekullore për realizimin e aspiratave kombëtare për bashkim me Kosovën e drejtë, kjo, historike dhe politike e shprehur edhe me Referendumin e vitit 1992, pastaj me luftën çlirimtare të ish UÇPMB-së dhe Marrëveshjen Paqësore të Konçulit 2001, si dhe një varg platformash të tjera politike të këshilltarëve shqiptarë të këtij rajoni.

Lugina e Preshevës vazhdon të jetë e tensionuar, si pasojë e vijimit te politikës së injorimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut nga politika zyrtare e Beogradit dhe nga mungesa e duhur e vëmendjes së faktorit ndërkombëtar për këtë rajon.

Image

- Mospërfillja e  kërkesave për realizimin e të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës,

- Arrestimet në vazhdimësi të shqiptarëve,

- Moslejimi i përdorimit të gjuhës dhe shkrimit shqip dhe simboleve kombëtare,

- Militarizimi i Luginës, jashtë suazave të paqes, parqet një pengesë serioze në qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave dhe ideve, mes dy shteteve sovrane: Kosova dhe Serbia.

Spektri politik shqiptar dhe ai institucional e  konsideron veten si pjesë të zgjidhjes së këtyre problemeve në dobi të të drejtës legjitime të popullit të Luginës së Preshevës për mirëqenie në favor të paqes, stabilitetit, demokracisë, prosperitetit dhe integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor në strukturat Euro-atlantike.

Mesazhe urimi

Festat e nëntorit në Luginë të Preshevës, u përshkuan nga një fond i pasur urimesh e përgëzimesh me gojë dhe me shkrim: Gëzuar 28 Nëntori Dita e Pavarësisë së Shqipërisë! Gëzuar Dita e Flamurit Kombëtar! Gëzuar festat kombëtare!

Këto urime të përzgjedhura adresohen në drejtime të ndryshme individuale, familjare, shoqërore, institucionale etj. pa ngjyrime politike, çka parqet kulturën tradicionale të shqiptarëve, si shenjë e unitetit të tyre “Rreth Flamurit, të përbashkuar, me një qëllim me një ide.....”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat