Partia serbe propozon angazhimin e Rusisë në bisedimet për Kosovën

Lajme

Partia serbe propozon angazhimin e Rusisë në bisedimet për Kosovën

Më: 30 nëntor 2017 Në ora: 11:30
Lidhja Serbe beson se nisma për të organizuar negociatat për këtë format duhet të vijë vetëm nga Serbia dhe udhëheqja e saj shtetërore.

Përfaqësues të partisë së Lidhjes Serbe, kanë deklaruar se marrëveshjet e Brukselit mes Kosovës e Serbisë, janë të vështira për tu zbatuar nën frymën e Bashkimit Europian.

Sipas tyre kjo po ndodhë në një atmosferë të kërcënimeve të vazhdueshme që bëhen vetëm ndaj palës serbe.

Siç raporton një artikull nga EADaily, Lidhja e Serbisë thotë se ”marrëveshjet e Brukselit nuk respektohen pikërisht sepse ndërmjetësi kryesor në negociata është i njëanshëm ndaj pjesëmarrësve në këto bisedime”.

Lidhja Serbe madje shton se ka një shembull konkret se si mund të tejkalohen këto kriza, ndërsa citohet kriza siriane ku sipas tyre pjesëmarrja e përbashkët e Rusisë me Iranit e Turqinë në bisedime ishte efektive dhe se ky shtet ishte faktor kryesor në zgjidhjen e konfliktit.

Siç theksohet në mesazhin e lëshuar nga Lidhja Serbe, pesha diplomatike dhe përvoja e Rusisë në organizimin e negociatave në Astana dëshmon se në rastin e Kosovës mund të formohet një ekip i ri negociues me pjesëmarrjen e partive midis të cilave ekziston një konflikt i ngrirë për momentin.

“Por ndryshe nga dialogu në Bruksel, një format i mundshëm me pjesëmarrjen e Rusisë do të jetë i dobishëm për Serbinë, duke pasur parasysh përkrahjen e integritetit të saj territorial dhe interesave kombëtare nga Rusia” deklarojnë përfaqësues të kësaj partie.

Megjithatë Lidhja Serbe beson se nisma për të organizuar negociatat për këtë format duhet të vijë vetëm nga Serbia dhe udhëheqja e saj shtetërore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat