Vendimi i Supremes për vrasjen e policëve para 13 vjetëve, përplas Prokurorinë dhe mbrojtjen

Lajme

Vendimi i Supremes për vrasjen e policëve para 13 vjetëve, përplas Prokurorinë dhe mbrojtjen

Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 23:50
ilustrim

Seanca e sotme gjyqësore në procesin për vrasjen e dy policëve, që ndodhi para 13 viteve, e për të cilin rast janë të akuzuar Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiqmari dhe Faik Shaqiri, kishte të bënte me kërkesat e mbrojtësve të të akuzuarve, të cilët kërkuan që aktakuza e Prokurorisë të hidhet poshtë. Kjo për shkak se, sipas avokatëve, provat se këta të akuzuar kanë kryer vrasjen janë të pabaza. Por, një vendim i fundit i Gjykatës Supreme gati çdo seancë të këtij rasti i ndesh avokatët mbrojtës me prokurorin special të EULEX.

Dëshmia e Shkumbin Mehmetit, për krimin e të cilit Express pati raportuar edhe më herët, është e vetmja dëshmi që Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiqmari dhe Faik Shaqiri sot gjenden në bankën e të akuzuarve për vepra të ndryshme penale, por kryesorja, për vrasje të rëndë që ndodhi më 24 mars të 2004’ës në fshatin Shtedime të Podujevës. Aty u vranë pjesëtari i UNMIK’ut, Possible Essuman dhe polici i Kosovës, Arsim Rrustolli.

Shkumbin Mehmeti, i dënuar me 30 vjet burgim për sulmin, që u konsiderua terrorist, i ndodhur në vitin 2004, më 6 shtator 2012 kishte shkruar një deklaratë të cilën e kishte deponuar në Prokurorinë serbe për Krime Lufte, në të cilën shpjegonte versionin e tij se si bashkë me grupin e tij, kishin kryer vrasjen e dy zyrtarëve policorë.

Mehmeti, ish-pjesëtar i UÇK’së dhe SHPK’së, u shpall fajtor më 9 nëntor 2007’ës, ndërkohë që ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë lidhur me këtë rast dhe dëshmia e tij i çoi në bankën e të akuzuarve katër të lartcekurit.

Njëri nga të akuzuarit, Bedri Krasniqi, tashmë është duke vuajtur dënimin të dy pjesëtarëve policorë të Kosovës; Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, në vitin 2003.  Për këtë vrasje, Krasniqi ishte dënuar me 27 vjet burg. Mirëpo, i njëjti kishte qenë në krye të grupit që kidnapuan pronarin e fabrikës “Gllareva” Azem Morinën. Kjo ngjarje ndodhi më 2010 dhe për kidnapim Krasniqi u dënua me 17 vjet burg.

Mbrojtësit e të gjithë të akuzuarve kishin dorëzuar kërkesat e tyre në seancën e kaluar. Kurse të enjten avokatja e caktuar nga Gjykata, sipas detyrës zyrtare, e Bedri Krasniqit paraqiti dhe lexoi kërkesën për kundërshtimin e provave dhe hedhjen poshtë të aktakuzës së Prokurorisë së EULEX, shkruan Gazeta Express.

Këtyre kërkesave të avokatëve mbrojtës të të akuzuarve për hedhjen poshtë të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të Prokurorisë, iu është përgjigjur me shkrim edhe vetë prokurori Cicarelli. Kjo përgjigje dhe të tjera ishin subjekt i seancës së sotme.

Avokatja e Krasniqit tha se deklarata e Shkumbin Mehmetit është e vetmja që është përdorë si dëshmi vendimtare kundër autorëve të tjerë.

“Sa i përket deklaratës së Shkumbin Mehmetit, është përdorë si dëshmi e vetme ose vendimtare kundër autorëve të tjerë me arsyetimin se statusi i dëshmitarit nuk bie nën dispozitat e Kodit Penal”, tha avokatja e Krasniqit.

Ajo tha se përshkrimi i ngjarjes bazuar në dëshminë e Mehmetit lë hapësirë dhe mundësi për të dyshuar se është e vërtetë, pasi sipas saj, në asnjë rrethanë nuk është sqaruar çështja thelbësore të cilës avokatja tha se duhet t’i qasen.

“Si na dolën këto dëshmi pas kaq vitesh nga i vetmi dëshmitar, e që vendosi me dëshmu pasi mori dënimin maksimal për të njëjtën rast”, pyeti avokatja.

“Bazuar në provat ligjore, në asnjë rrethanë i mbrojturi im nuk mund të jetë kryes i veprës penale për të cilat akuzohet. Kërkoj nga Gjykata që t’i marrë për bazë kundërshtimet e caktuara dhe të parashtruara”, tha avokatja, të cilën Krasniqi fillimisht e kishte refuzuar që ta mbronte.

Ndaj kësaj çka tha avokatja e Krasniqit, Prokurori Special Danillo Cicarelli nuk tha shumë, vetëm se kërkoi nga gjyqtari që kërkesat e mbrojtësve të hidhen poshtë dhe të caktohet shqyrtimi kryesor i këtij rasti.

Ajo çka i shtynë Prokurorinë Speciale të EULEX dhe avokatët e të akuzuarve në ndesh është vendimi i Gjykatës Supreme për Bajram Kiqmarin dhe Faik Shaqirin. Supremja këtë vit ka nxjerr aktvendim për lirimin nga paraburgimi të të dy akuzuarve të lartcekur dhe ka konstatuar se të dy janë gjykuar vite më parë rreth kësaj ngjarjeje dhe se ekziston tashmë një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre. Gjykata Supreme me këtë aktvendim kishte hedhur poshtë aktvendimin e Gjykatës së Apelit, e cila pati konstatuar se nuk ka pasur bazë për ndërprerjen e paraburgimit për këta persona.

Prokurori Special i EULEX’it, Danillo Cicarelli edhe në seancat e kaluara gjyqësore, por edhe në këtë sot, tha se vendimi i Supremes është i gabuar.

Për këtë çështje, avokati i Bajram Kiqmarit tha se Prokurori po i jep vetes të drejtë të polemizojë me vendimin e Gjykatës Supreme, e cila përmes një aktvendimi ka thënë se ndjekja penale e Kiqmarit është e ndaluar.

“Nëse prokurori ka menduar se Supremja dhe mbrojtja janë në keqbesim, ashtu siç e ka shkruar në përgjigjen me shkrim ndaj kërkesave tona, duhet të japë sqarim, sepse kjo ngrit dyshime të mundshme”, tha Tahir Rrecaj, avokati i Kiqmarit, derisa propozoi që kërkesa të aprovohet dhe të hedhet poshtë aktakuza, pasi siç tha ai, Kiqmari nuk provohet se ka kryer vepër penale.

“Nëse Gjykatat e kaluara kanë urdhëruar lirimin e Kiqmarit nga paraburgimi, atëherë dyshimet e cekura në aktakuzë duhet të bien poshtë”, tha avokati mbrojtës.

Edhe avokati i Faik Shaqirit, Mahmut Halimi u pajtua me fjalën e avokatit Tahir Rrecaj, por shtoi një segment.

“Klienti im në mbështetje të vendimit të Supremes nuk mund të ndiqet penalisht dhe nuk e konstatoj që të humbim kohë që të jap ndonjë analizë të ekzistimit të bazuar…”, tha avokati Halimi. Por, ai tha se arrestimi i Faik Shaqirit në Gjermani e që më vonë u ekstradua në Kosovë, ka shtyrë që Shaqiri ta humb vendin e punës dhe kjo i ka shkaktuar mjaftë probleme.

Ndërsa, prokurori special i qëndroi pas qëndrimit të tij se vendimi i Supremes nuk i plotëson standardet e një arsyetimi ligjor.

“Vendimi i Gjykatës Supreme nuk i plotëson as standardet minimale të një arsyetimi ligjor që e kërkon një aktvendim”, tha Prokurori, raporton Express.

Duke e kritikuar këtë vendim, prokurori kërkoi nga gjyqtari i këtij rasti Arben Hoti që të marrë vendim të drejtë dhe të shikoje të gjitha aktvendimet për të gjithë të akuzuarit dhe të nxjerr analiza. Por ndaj kësaj, gjyqtari Hoti tha se nuk është në natyrën e Prokurorisë të tregojë se si të veprojë gjykata.

Aktakuza e prokurorit të EULEX’it, shpjegon se si ka ndodhur ky sulm ndaj veturës së Policisë së UNMIK’ut para 13 vjetësh. Më 23 mars 2004 pjesëtarët e këtij grupi ishin në fshatinShtedime të Podujevës, ku Agron Sylejmani (tani i ndjerë) bëri planin për të zënë në pritë një veturë të UNMIK’ut.

Pika e parë e aktakuzës thotë se këta të dyshuar kanë shtënë me kallashnikov 108 herë në drejtim të veturës dhe katër pasagjerëve të saj. “Sulmi ndaj veturës së UNMIK’ut kishte ndodhur rreth orës 21:45 nga një veturë e tipit Suzuki”.

Kujtojmë se Gjykata e Qarkut e Prishtinës më 9 nëntor të 2007’ës, shpalli fajtor për terrorizëm vetëm Shkumbin Mehmetin, derisa i liroi nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin.

Bajram Kiqmari dhe Alban Dizdari u arrestuan në korrik të 2017’ës, derisa Faik Shaqiri për të njëjtat akuza, ishte arrestuar në Gjermani e më pas u ekstradua në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat