Harrohet ushtria e Kosovës!

Lajme

Harrohet ushtria e Kosovës!

Suzana Rugova Nga Suzana Rugova Më 2 shkurt 2018 Në ora: 22:17
Pjesëtarët e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës

Që nga 2013-ta nuk ka ndryshuar pothuajse asgjë. Kosova ka mbetur pa e themeluar ushtrinë dhe kjo për shkak të refuzimit të votës nga Lista Serbe. Të gjendur në këtë situatë institucionet e Kosovës, gjatë këtij viti synuan që ushtrinë ta bëjnë me anë të ndryshimit të Ligjit për FSK-në, por edhe këtë nuk e arritën. Dhe tashmë ende nuk dihet se kur Forca e Sigurisë së Kosovës do të transformohet në ushtri të Kosovës.

Lidhur me këtë, Burim Ramadani zëvendësministër në Ministrinë e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se procesi i transformimit të FKS-së në FAK është në rrugë të duhur.

Flet zëvendësministri i FSK

‘’Procesi i transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) është një proces në shtegun e drejtë, i koordinuar, në shërbim të të gjithëve dhe kundër askujt. Procesi i transformimit është i sigurt dhe do të përmbyllet si një hap më shumë dhe pa pengesa në rrugën e Kosovës drejt NATO-s”, ka deklaruar Ramadani.

Edhe pse nuk ka ndonjë përgjigje konkrete se çfarë po ndodhë me formimin e ushtrisë së Kosovës dhe ku ka arritur deri tani ky proces, zëvendësministri ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës është duke u përkushtuar që FAK të themelohet përmes rrugëve ligjore.

Image
Burim Ramadani, zëvendësministër i FSK-së

‘’Ky proces do të jetë një sukses i sigurt, me përfshirje maksimale të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Sepse, është krejtësisht e qartë se transformimi i FSK në FAK nuk do të jetë kundër asnjë individi, kategorie shoqërore, komuniteti apo shteti tjetër. Përkundrazi, do të jetë në interes të gjithë qytetarëve të vendit, në të mirë të sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal dhe më gjerë. Sot, FSK është profesionale, multi-etnike, si dhe e trajnuar mbi standardet dhe parimet demokratike FAK do të jetë forcë profesionale, multi-etnike, me detyra mbrojtëse dhe kujdesi për qytetarët, sipas nevojave për mbështetje të autoriteteve civile.’’, ka përfunduar Ramadani për ‘’Bota sot’’.

“E ardhmja e ushtrisë e varur nga Beogradi”

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një prononcim ka theksuar se e ardhmja e ushtrisë së Kosovës varet nga Beogradi.

Sipas tij,  pengesë e formimit të ushtrisë së Kosovës është Kushtetuta e Ahtisaarit,  ku sipas Tërnavës aty parashihej që pjesë përbërëse të jetë edhe Lista Serbe.

Image
Hajrullah Tërnava

‘’Vonesa rreth formimit të ushtrisë i ka pengesat e saj te Kushtetuta e Kosovës. Kushtetuta e Ahtisaarit e cila ka kontribuuar që në preambulën e saj në Kushtetutë, ta parasheh Listën Serbe si pjesë përbërëse me deputetët e saj, dhe të cilët duhen ta votojnë me mbi 2/3 e votave themelimin e ushtrisë të Kosovës. Lista Serbe është në tërësi e dirigjuar nga Beogradi, dhe nuk bëjnë asnjë votim pa e konsultuar Beogradin’’ ka thënë Tërnava për "Bota sot".

Sipas tij,  faktorë kryesor për pengimin e formimit të ushtrisë është shteti serb me ndikimin e saj në deputetët e Listës Serbe.

Ndër tjerash, Tërnava thekson se pengesë është edhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga 5 shtete të BE-së.

‘’Edhe mosnjohja e Kosovës nga 5 shtete të BE është pengese për formimin e ushtrisë, por po u bë njohja e Kosovës nga Serbia, besoj se edhe këto 5 shtete do e njihnin pavarësinë e Kosovës. Me njohjen reciproke të Serbisë e Kosovës atëherë do të zhduken pengesat e formimit të ushtrisë.’’, ka deklaruar Tërnava.

Dy rrugët e formimit të ushtrisë

Kurse, profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, ka vlerësuar se ekzistojnë dy rrugë për t’u themeluar ushtria e Kosovës.

Image
Muhamet Kelmendi

‘’Ushtria e Kosovës ka mundësi në aspektin juridik të themelohet në dy mënyra. 1. Ushtria themelohet me ndërrimet kushtetuese ku duhen 2/3 e deputetëve të shumicës dhe të pakicës të votojnë dhe 2. Me ligj duke votuar Kuvendi i Kosovës e ku nuk duhen 2/3 e votave‘’, ka thënë Kelmendi.

I pyetur nga gazeta se cilët janë faktorët që po e pengojnë themelimin e ushtrisë, ai ka thënë se faktorë kryesor është përpjekja nga ndërkombëtarët për ta ndarë Serbinë nga ndikimi rus, gjë të cilën e cilëson si humbje të kohës.

‘’Faktori kryesor i mos themelimit të ushtrisë kam mendim se është pikësynimi i faktorit ndërkombëtar ndaj Serbisë për ta ndarë nga ndikimi rus, gjë që është humbje e kohës’’, ka përfunduar Kelmendi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat