Qeveria e shqetësuar që rrëshqitjet e dheut po ndodhin në rrugët e reja

Lajme

Qeveria e shqetësuar që rrëshqitjet e dheut po ndodhin në rrugët e reja

Më: 8 mars 2018 Në ora: 17:58
Foto ilustrim

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, ka thënë se është shqetësues fakti që rrëshqitjet e dheut po ndodhin në rrugët e reja, të ndërtuara viteve të fundit.

Këto deklarata ai i bëri pasi inspektoi shembjet e rrugëve në segmentet Botushë-Koshare, Rakosh-Osojan në Kërrnicë dhe aksin rrugor Prishtinë-Pejë në Balincë.

Kadriu ka thënë se do të themelohet një komision që do të inspektojë dhe do të vlerësojë dëmet e shkaktuara nga rrëshqitjet e fundit të dheut si pasojë e reshjeve atmosferike. Ai po ashtu tha se ka kaluar koha e ndërtimit të rrugëve emergjente dhe se tashmë duhet të ndërtohen rrugë cilësore dhe të standardeve të larta.

“Sot jemi në inspektimin e rrugës Botushë-Koshare, 8.3 kilometra e gjatë, ku ka ndodhur një rrëshqitje e dheut në rrugë, investim i Ministrisë së Infrastrukturës dhe që ka patur një kosto prej 800 mijë eurosh së bashku me kostot shtesë. Këto rrëshqitje të dheut po na ndodhin në rrugë të reja të cilat janë ndërtuar në tri vitet e fundit. Ky është rasti i katërt, edhe tri të tjera do t’i vizitojmë gjatë ditës”, ka thënë Zëvendësministri.

Më tej ka thënë se qeverisja e kaluar nuk është marrë me standard tjetër të ndërtimit të rrugëve.

Kjo dukuri është shqetësuese për ministrinë dhe për ne që kemi marrë përgjegjësi karshi qytetarëve, për një standard të ri dhe më të mirë të rrugëve. Këto rrëshqitje po na ndodhin me reshje që nuk janë shumë të mëdha dhe në rrugë që janë lëshuar në qarkullim në vitin 2016 dhe kjo na bënë të kuptojmë që nuk ka pasur seriozitet në ndërtimin e këtyre rrugëve. Qeverisja e kaluar nuk është marrë me standard tjetër të ndërtimit të rrugëve. Ka kaluar koha e ndërtimit të rrugëve emergjente, sepse qytetarët e Kosovës duhet të kenë rrugë tjera dhe me standarde të larta. Tash duhet sanuar gjendja e rëndë dhe kërkon mjete shtesë që të përfundohet, mirëpo ne do t’i ndërmarrim masat dhe nga nesër do ta formojmë komisionin për të gjitha rrugët, ku ka pasur rrëshqitje të dheut në Republikën e Kosovës, i cili do ta konstatojë pse ka ardhur deri te kjo situatë, kur kemi rrëshqitje dherash në rrugë”, deklaroi Kadriu.

Zëvendësministri Kadriu, ka thënë se për rrugët që janë nën garancion të kompanive ndërtuese nuk do të ketë implikime buxhetore, ngase ato kompani janë të obliguara që t’i sanojnë dëmet e bëra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat