AGK: ASHNA të respektojë Ligjin për Qasje në Dokumente Publike

Lajme

AGK: ASHNA të respektojë Ligjin për Qasje në Dokumente Publike

Më: 20 mars 2018 Në ora: 10:29
Ilustrim

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror për shkak të ndërprerjes së komunikimit me gazetaren Ardiana Thaçi-Mehmeti, pas kërkesës së kësaj të fundit për qasje në dokumente publike në këtë agjencion.

Në një komunikatë për media thuhet se gazetares Thaçi Mehmeti i është bërë me dije që vetë drejtori i agjencisë, Bahri Nuredini ka dhënë urdhër që të ndërpritet komunikimi i këtij institucioni me të.

“Këto veprime të drejtorit të institucionit publik Bahri Nuredini paraqesin shkelje të parimeve për respektimin e transparencës dhe shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit për qasje në dokumente publike”, thuhet në reagim.

AGK kërkon nga drejtori Bahri Nuredini që ta tërheqë vendimin që ka marrë dhe e inkurajojmë që të krijojë raporte profesionale me mediat, në këtë rast edhe me gazetaren Thaçi-Mehmeti. Asociacioni po ashtu kërkon nga ky institucion dhe të tjerat që të respektojnë Ligjin për Qasje në Dokumente Publike dhe të jenë të hapura për gazetarët.

Më 24 nëntor 2017, AGK ka reaguar ndaj një fushate shpifëse që po i bëhej gazetares Thaçi Mehmetit nga drejtori i ASHNA-së, Bahri Nuredini të cilit nuk i kishin pëlqyer shkrimet hulumtuese të gazetares.

Nuredini kishte publikuar masivisht vendimin e tij kundër Thaçi Mehmetit duke e publikuar edhe në ekranin që qëndron në hollin kryesor të këtij institucioni. Lajmi linçues ka qëndruar edhe në web faqen e agjencisë për një kohë dhe gazetarja është quajtur me emra të ndryshëm, si ‘dezinformatore’ dhe gazetare që punon për ‘grupe të interesit’.

Ky lajm është larguar nga ekrani dhe web-faqja menjëherë pas reagimit të AGK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat