Memorandum bashkëpunimi midis boshnjakëve dhe shqiptarëve në Serbi

Lajme

Memorandum bashkëpunimi midis boshnjakëve dhe shqiptarëve në Serbi

Nga: Sevdail Hyseni Më: 1 maj 2018 Në ora: 08:36
Pamje nga takimi

Në fund të muajit prill, në Pazarin e Ri të Sanxhakut, kryetari i Këshillit Kombëtar Boshnjak, Sulejman Uglanini dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Shukri Ymeri, kanë nënshkruar  një memorandum bashkëpunimi, i cili ka për qëllim harmonizimin e qëndrimeve të përbashkët, për realizimin e të drejtave të pakicave kombëtare në Serbi.

Në ceremonialin e nënshkrimit të memorandumit për bashkëpunimi midis dy këshillave kombëtare boshnjake - shqiptare, merrnin pjesë edhe deputeti popullor në Parlamentin e Serbisë, Fatmir Hasani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi dhe përfaqësues të tjerë institucionalë nga Sanxhaku dhe Lugina e Preshevës.

Gjatë shpalosjes së Preambulës së këtij Memorandumi, u bë e qartë qasja e përbashkët e planifikimit të fushëveprimeve në kuadër të Këshillave Kombëtare, me të cilat përfshinë pikat ku thuhet se  “shqiptarët dhe boshnjakët janë popuj autoktonë në rajonin e Luginës së Preshevës dhe Sanxhakut, dhe se janë të vetëdijshëm për rëndësinë e përfshirjes në proceset integruese, në përfaqësimin proporcional, si dhe për arritjen e një konsensusi të gjerë të faktorëve politikë, ekonomikë, intelektualë dhe shoqërorë”.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Shukri Ymeri, një memorandum të tillë bashkëpunimi e vlerëson lart, duke e llogaritur atë si moment historik me të cilin shqiptarët dhe boshnjakët, do t’i bashkojnë forcat në rrugën e përparimit të të drejtave kolektive brenda kornizave ligjore, dhe në frymën e kompetencave me të cilat disponojnë Këshillat Kombëtare në Serbi.

“Të vetëdijshëm për seriozitetin e situatës në Luginën e Preshevës dhe Sanxhak, kemi vendosur të përpilojmë këtë Memorandum Bashkëpunimi, i cili synon të krijojë bashkëpunim mbi politikat rajonale, programet, nismat, dhe krijimin e aktiviteteve të përbashkëta për mbështetjen e politikave të këshillave kombëtare në kuadër të fushës së tyre të veprimit”, u shpreh kryetari Ymeri, i bindur se në kuadër të këtij memorandumi të përbashkët, do të zhvillohet, promovohet dhe ruhet identiteti dhe kultura e dy bashkësive shqiptaro-boshnjake në Serbi.

Nga ana tjetër Sulejman Uglanini, kryetar i Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve, theksoi se të drejtat e popullit boshnjak dhe atij shqiptar janë të garantuara me ligj, por në disa drejtime nuk vlejnë siç janë ato të nivelit shtetëror: policia, prokuroria, gjyqësori dhe ushtria.

“Kjo na obligon të punojmë së bashku për ndërtimin e një kornize ligjore dhe zbatimin e të gjitha 35 kapitujve për aderimin e vendit tonë në BE, zbatimin e Planit Aksional të Veprimit për Minoritetet, me theks të veçantë te bashkëpunimit për ridefinimin e ligjeve të pakicave”, tha, midis tjerash, kryetari Uglanin.

Preambula e Memorandumit të bashkëpunimit midis Këshillave Kombëtare të  boshnjakëve në Sanxhak dhe shqiptarëve në Luginë të Preshevës, të administruara nga Serbia, sipas  Nenit 3: Palët pajtohen që të nxisin veprime të përbashkëta dhe të inkurajojnë bashkëpunimin në fushat me interes; Respektimin e plotë të të drejtave individuale dhe kolektive të dy komuniteteve; Këshilli Kombëtar Shqiptar dhe Këshilli Kombëtar Boshnjak, do të harmonizojnë politikat e veta për krijimin e mekanizmave të përbashkëta për mbrojtjen, zhvillimin dhe avancimin e të drejtave, kulturës dhe ruajtjen e identitetit të këtyre dy komuniteteve; Këshillat do të nisin iniciativat për realizimin e projekteve të përbashkëta me interes për qytetarët e dy komuniteteve; Këshillat do të harmonizojnë politikat e veta për shfrytëzimin e Fondeve vendore, rajonale dhe atyre të Bashkimit Evropian; Këshillat dakordohen, që të ndjekin politikat e përbashkëta kundrejt autoriteteve qeveritare në Beograd;

Ndërkaq, sipas nenit Neni 4: Palët obligohen për qasje të përbashkët në sferën gjyqësisë, policisë, përdorimit të gjuhës dhe shkrimit, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik, zhvillimin e kulturës, planifikimit lokal, planifikimit hapësinor, ambientit ekologjik, resurset natyrore, sferën e banimit, shërbimet sociale.

Në vijim, sipas nenit 5 parashihet: Integrimi proporcional i dy komuniteteve në të gjitha institucionet shtetërore e publike të të gjitha niveleve.

Më tej, sipas nenit Nenit 6, potencohet: Kthimi i qëndrueshëm i popullatës së zhvendosur përmes kompensimit të dëmeve në pasuritë e tyre, zhvillimit të infrastrukturës rrugore, shëndetësore dhe arsimore.

Po ashtu, sipas nenit 7, të këtij Memorandumi, parashihen:  Veprimet e parashikuara në harmoni me: Kartën e OKB-së, Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, Paktin ndërkombëtar për të drejtat civile dhe politike, Paktin ndërkombëtar për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, Konventën kornizë evropiane për të drejtat e pakicave, Konventën Evropiane për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, Kartën Evropiane për gjuhët regjionale dhe të pakicave, Dokumentet e OSBE-së etj.

Pas nënshkrimit të këtij memorandum bashkëpunimi, midis dy kryetarëve të Këshillave Kombëtare, palët nënshkruese u zotuan se do të punojnë në thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe jetësimin e kësaj marrëveshjeje me rëndësi jetike për boshnjakët dhe shqiptarët si dy etnitete, me rrënjë të përbashkëta historie, të cilat jetojnë dhe veprojnë në një shtet, siç është Serbia, ku të drejtat e pakicave kombëtare shkelen dhe nëpërkëmben në mënyrë sistematike.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat