Zbulohet Dervishi, “njeriu” i Xhavit Halitit dhe Azem Sylës që mori 3.2 milionë marka nga Bukoshi

Lajme

Zbulohet Dervishi, “njeriu” i Xhavit Halitit dhe Azem Sylës që mori 3.2 milionë marka nga Bukoshi

Më: 5 qershor 2018 Në ora: 16:38
Xhavit Haliti dhe Bujar Bukoshi

Njihet si Dervish Sadikaj, por emri i tij i vërtetë është Burim Marmullaku. Ai dyshohet se i tërhoqi 3 milionë marka nga Qeveria e Bukoshit gjatë kohës së luftës në Kosovë, miliona këto që ishin të dedikuara për Shtabin e UÇK-së, për nevojat e ushtarëve dhe të luftës. Ibrahim Kelmendi, ish-anëtar i LPK-së dhe ish-ushtar i UÇK-së, ka treguar të bëmat e “Dervishit”, lidhjet e tij me Xhavit Halitin, Azem Sylën, Hashim Thaçin dhe të tjerë, ku shkuan 3 milionë marka dhe kush ishte në të vërtetë ai.

I ashtuquajturi “Dervish Sadikaj” që ishte truproje e Xhavit Halitit dhe Azem Sylës, fillimisht u përmend nga ish-zëdhënësi i UÇK’së, Jakup Krasniqi në emisionin “Pressing”. Por, as Krasniqi e as vetë Shefi i Shtabit të UÇK’së Bislim Zyrapi, nuk kishin ide se kush ishte Dervish Sadikaj, edhe pse e dinin që ky emër përdorej vetëm si nofkë nga dikush.

Pas publikimit të artikullit se kush është Dervish Sadikaj që i tërhoqi 3 milionë marka, ashtu siç pretendoi Jakup Krasniqi në emision, në opinion është krijuar një konfuzion në lidhje me identitetin e atij personi.

Në një intervistë  Ibrahim Kelmendi, ish-anëtar i LPK’së dhe ish-ushtar i UÇK’së, zbardh ekskluzivisht identitetin e personit që fshihet pas nofkës “Dervish Sadikaj”.

“‘Dervishin’ e kam takuar për herë të parë në mars të vitit 1998, në Tiranë. Ishte shoqërues i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, që më patën kërkuar takim rreth mesit të muajit mars 1998, në Hotel ‘Tirana’. Me mua ishte vëllai im, Qerimi, i cili atëherë prezantohej me nofkën “Dema”. Hashimi e Kadriu po më kërkonin që të ndikoja te Qerimi që t’u subordinohej ushtarakisht atyre në hierarkinë e UÇK-së. Por nuk u sqaruam dot, meqë ata nuk qenë në gjendje të tregonin, kush i kishte emëruar në ndonjë nivel komandues të UÇK-së...”.

Kelmendi, tregoi se “Dervishi” ishte në afërsi me Azem Sylën dhe Xhavit Halitin, në cilësinë e truprojës së tyre. Në fakt “Dervish“ ishte nofka kamufluese e Burim Marmullakut, nga fshatit Dush, afër Ujmirit, Komuna e Klinës.

Burim Marmullaku atëkohë prezantohej si “Dervishi” dhe si “Dervish Sadikaj”, dhe kështu e njohën të gjithë, edhe Bislim Zyrapi ish-shef i Shtabit të UÇK’së dhe ish-zëdhënësi i UÇK’së, Jakup Krasniqi.

Por, çka ndodhi me ato 3,2 milionë marka gjermane?

Ibrahim Kelmendi, thotë për Express se ato miliona “Dervishi” ua ka dorëzuar eprorëve të tij, Xhavit Halitit dhe Azem Sylës.

“Ndërsa Xhaviti e Azemi i kanë shpërdoruar edhe ato, si shumicën e mjeteve të Fondit „Vendlindja thërret“, meqë nga investigimet e mija që kam bërë pas lufte, ata nuk u kanë dhënë ndihma financiare shtabeve të zonave në Kosovë, as komandantëve të Shtabit të Përgjithshëm (atij në Kosovë), Bislim Zyrapit, Sylejman Selimit, Agim Çekut, por as nuk u kanë raportuar, si i kanë menaxhuar rreth 70 % të mjeteve të Fondit „Vendlindja thërret“, disa miliona të tjerë që i kanë pranuar nga Fondi i 3 %-shit, - si rasti i këtyre 3,2 milionë DM që i ka pranuar “Dervishi”, në cilësi të korrierit, - dhe ndihmave nga burimet tjera”, rrëfeu Kelmendi.

Me gjithë këtë, Xhavit Haliti e ka pranuar se ka marrë para nga Ahmet Krasniqi, por nuk ka treguar publikisht se sa milionë.

Ibrahim Kelmendi, gjithashtu dyshon se pjesa më e madhe e atyre financave, siç thotë “të grabitura Xhaviti dhe Azemi” duhet të ia kenë besuar për menaxhim njerëzve të ish-kryeministërit  të Shqipërisë Fatos Nanos.

Por, pse Burim Marmullakut “Dervishit”, iu besua pranimi i 3 milionë markave gjermane, të dërguara nga Qeveria e Bujar Bukoshit?

Kelmendi thotë se paratë nga Qeveria Bukoshi ishin dërguar pas vrasjes së Ahmet Krasniqit. Ai thotë se “Dervish Sadikaj” i kishte pranuar 3,2 milionë marka gjermane nga Koloneli Halil Bicaj, atëkohë Komandant i FARK’ut dhe ministër i mbrojtjes në Qeverinë e ish-kryeministrit Bujar Bukoshi.

Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) në vitin 1994 pat formuar Fondin “Vendlindja thërret”, për të grumbulluar ndihma në emigracion, e të dërgoheshin ekskluzivisht për UÇK-në. Për ato ndihma financiare, Kelmendi tha se kryesia e Lëvizjes ia dorëzonte Xhavit Halitit, që t’i përcillte në Kosovë, por, sipas tij, asnjë ndihmë financiare e dedikuar për ushtrinë, nuk po u shkonte grupeve në Drenicë, Llap/Gollak dhe Dukagjin.

“Mua me ka rastisur të informohem qysh në verë të vitit 1996, se asnjë ndihmë financiare nga ai Fond nuk po u shkonte “grupeve” në Drenicë, Llap/Gollak dhe Dukagjin”, ka thënë në intervistë Ibrahim Kelmendi.

Ai thotë se atëkohë rezultoi që Xhavit Haliti dhe Azemi Syla një pjesë të ndihma ua jepnin vetëm Nait Hasanit e Rexhep Selimit.

“Përmasat e shpërdorimet të atëhershme të atyre ndihmave financiare ende nuk dihen, sepse po mungon vullneti i secilit për sqarim. Nait Hasani e Rexhep Selimi nuk po tregojnë gatishmëri të informojnë sa ndihma kanë marrë gjatë viteve 1994-1997 nga Xhaviti dhe Azemi, dhe si i kanë shpenzuar ato, që të krahasohen me shumën që i ishte dorëzuar Xhavitit dhe Azemit nga Kryesia e Lëvizjes, respektivisht nga Fondi “Vendlindja thërret””, thotë ish-anëtari i Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Aty hyn edhe Burim Marmullaku, apo siç u njoh “Dervish Sadikaj”. Kelmendi pretendon se “Dervishi” ra në sy si korrier, truprojë dhe operativ i Azem Sylës dhe Xhavit Halitit, që sipas Kelmendit, ata e angazhonin atë sipas nevojave.

Pavarësisht krejt kësaj, Kelmendi thotë se “Dervishi” nuk ka qenë pjesë e Shtabit të UÇK’së, por se, ai ka mundur të jetë pjesë e “shtabit” komplotist me seli në Tiranë, që komandohej nga Xhavit Haliti dhe Azem Syla.

Ibrahim Kelmendi tregon edhe një takim me Kadri Veselin, që u bë disa muaj pas luftës, në një lokal në Prishtinë. Ai tha se pranë tyre ishte ulur edhe “Dervishi”, duke treguar edhe për fjalët që i shkëmbyen mes vete.

Image
"Dervish Sadikaj" - Burim Marmullaku

 

“Disa muaj pas lufte u takova Kadri Veselin në një lokal afër selisë se shtabit të SHIK-ut (buzë Hotel Grandi në Prishtinë), nga se Kadriun e kisha njohur qysh nga viti 1991 ose 1992, në Tiranë, ku u regjistrua për studime. Atë njohje mes nesh e kishte mundësuar vëllai im, Qerimi, meqë me Kadriun kishin qenë kolegë studimesh në Fakultet të Bujqësisë në Prishtinë. Pranë nesh, në tavolinë tjetër, u ul edhe “Dervishi”, për të vëzhguar çfarë po bisedonim, nga se ai ishte më shumë nën komandim të Azem Sylës. Meqë nuk me pëlqeu ai gjest i “Dervishit”, Kadriu e urdhëroi të largohej, duke i thënë (si në humor): „Ibrahimin e kam mik kaherë dhe i kam dhënë besë që nuk do ta trazon njeri...“. Dhe vërtet, më kishte dhënë besë menjëherë pas Lufte të mos druaja strukturës që komandonte ai, e unë i zija besë Kadriut, prandaj tutesha më pak se sa të mos e kisha besën e tij”, rrëfeu Kelmendi.

Por, t’i kthehemi edhe njëherë Fondit “Vendlindja thërret”, për të cilën Kelmendi thotë se Xhavit Haliti e grabiste.

Ibrahim Kelmendi u përcaktua që t’i përkushtohet këtij Fondi në Gjermani, për t’ia pamundësuar Xhavit Halitit t’i grabiste mjetet e mbledhura aty, siç pretendon ai, ashtu siç po i grabiste ato që grumbulloheshin në Zvicër dhe në shtetet e tjera. Sipas Kelmendit, Xhavit Haliti ia kishte dalë ta mashtronte e përvetësonte Jashar Salihajn, atëherë kryetar i Fondit “Vendlindja thërret”.

“Shpërthimi i kryengritjes në Kosovë na gjeti me nivel zero të mjeteve financiare (ndoshta edhe me borxhe)”, tha ish-anëtari i LPK’së, duke treguar edhe një rastësi që kishte ndodhur në mars të vitit 1998.

Ai rrëfeu  se dy persona (emrat nuk u bën të ditur), i kanë shkuar në zyrë Bujar Bukoshit, dhe ia komunikuan një kidnapim, nëse nuk do t’u jepje ndihma për UÇK’në.

“Nga frika ai ua jep mjetet që ka rastis t’i kishte në zyrë: 270 mijë DM. Ato mjete ata i dorëzojnë në Kryesi të Lëvizjes, respektivisht në shtab të improvizuar, në Tiranë. Muhamet Kelmendi, nënkryetar i asaj Kryesie, i prezantoi para ca ditëve ato 270 mijë DM si ndihma që i paskësh dhënë Bujar Bukoshi për UÇK-në, ndërsa e vërteta është se ato mjete Bujar Bukoshi i kishte dhënë nga frika se mund t’i ndodhte ndonjë e keqe e madhe, meqë në ato rrethana shumë emigrantë ishin të alarmuar për gjendjen në Kosovë, pothuajse në gjendje afektive. Me ato mjete i jepet një infuzion konkret UÇK-së në Kosovë, sidomos me furnizim me armo e municion”, rrëfeu Ibrahim Kelmendi.

Për formim të UÇK-së ka vendosur Kuvendi i 4 i Lëvizjes, i mbajtur në korrik të vitit 1993 në Prishtinë. Por, pas Kuvendit strukturat policore serbe ndërmarrin përndjekje të mëdha ndaj kuadrove të Lëvizjes. Disa burgosen, të tjerë arratisen.

Ndër ata që u arratisen, Kelmendi thotë se ishin Fatmir Brajshori, në shtëpi e të cilit ishte mbajt Kuvendi, Hashim Thaçi, atëkohë delegat në atë Kuvend dhe të tjerë.

Sipas Statutit të Lëvizjes, kur Organizata në Kosovë pësonte goditje të rënda nga strukturat policore, atëherë menaxhimi i kalonte Degës në emigracion. Prandaj në vitin 1994, Ibrahim Kelmendi tregon se Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes / Dega jashtë vendit, merr vendim ta realizon vendimin e Kuvendit – Formimin konkret të Ushtrisë.

“Për atë qëllim formohet Sektori i rëndësisë së veçantë (SRV), i cili përbehej nga Ali Ahmeti, Xhavit Haliti dhe Azemi Syla. Këta njëherit ishin edhe anëtarë të Kryesisë së Lëvizjes, dega jashtë vendit”, tha Kelmendi.

Kelmendi tregon se pas kësaj, Azem Syla përfshinë Rexhep Selimin, Sokol Bashotën dhe Xheladin Gashin, si anëtarë të shtabit të Ushtrisë në formim.

Xhavit Haliti koopton Nait Hasanin, ndërsa Ali Ahmeti i kishte lidhjet me Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Adrian Krasniqin, që koordinonin “grupet” zanafillore të UÇK-së në zonat Llap/Gollak, Drenicë, Dukagjin.

Koordinator caktohet Nait Hasani, meqë sipas Kelmendit, Xhavit Haliti imponohet si më autoritativi në SRV.

“Por, në ndërkohë, Xhaviti dhe Azemi vendosin ta komplotojnë kolegun e tyre, Ali Ahmetin, dhe të mos pranojnë të jenë pjesë e UÇK-së tri “grupet” e mësipërpërmendura, gjegjësisht të privohet anëtarësimi i Ademit, Zahirit e Adrianit në shtabin që po formohej...”, rrëfeu Ibrahim Kelmendi.

Ish-anëtari i LPK’së thotë se në fillim të prillit 1998, Xhavit Haliti ua komunikon bashkëveprimtarëve të tij, anëtarëve të Kryesisë dhe të shtabit të improvizuar, se aty e tutje ai ishte bosi i UÇK-së. Bile ai thotë se, edhe i kërcënoi të ikin nga Shqipëria, “duke shpërdoruar lidhjet që kishte krijuar me Fatos Nanon, atëherë i dyshuar si marionetë e Asfalisë greke, i cili ishte kryeministër i Shqipërisë”.

“Atë arrogancë të Xhavitit Kryesia e përjetoi dhe e (dis)kualifikoi si komplot ndaj Lëvizjes dhe ndaj UÇK-së, prandaj u vendos të organizohej kuvend i jashtëzakonshëm, për të shqyrtuar gjendjen dhe për të vendos për zgjidhje”, tregoi Kelmendi.

E ky “shtab” në Tiranë, që e komandonin Xhavit Haliti, Azem Syla e Hashim Thaçi, Kelmendi thotë se po e sabotonte e po bënte komplote ndaj UÇK-së në Kosovë, sidomos duke ia ndaluar furnizimin me armatim, municion, veshmbathje dhe financa.

E krejt në fund për t’u kthyer edhe njëherë tek “Dervish Sadikaj”, ose Burim Marmullaku, Kelmendi tha se nuk ka qenë i interesuat të informohet edhe aq për të, pasi sipas tij, “Dervishi” ishte “vrima e fundit e fyellit”.

“Cilat angazhime konkrete i ka krye “Dervish Sadikaj”, gjegjësisht Burim Marmullaku, gjatë lufte nuk kam qenë i interesuar të informohem, meqë e dija për „vrimë të fundit të fyellit“, pos që intuita me thoshte se duhet t'i ruhesha, meqë ai ishte edhe operativ, kryesisht në shërbim të Xhavitit dhe Azemit, në Shqipëri”, tha Kelmendi.

Kohëve të fundit, pas debateve të shumta e të ashpra për luftën, doli në pah rivaliteti i akterëve që kanë qenë personazhe të rëndësishme gjatë asaj kohe. Këtu nuk munguan as debatet për milionat dhe kah shkuan ato.

Fillimisht deputeti i LDK’së Anton Quni, kishte hedhur akuza ndaj Xhavit Halitit, duke thënë se ka marrë rreth 8 milionë marka nga koloneli Ahmet Krasniqi gjatë kohës së luftës. Por, një ditë më pas, Xhavit Haliti nuk i pranoi ato akuza duke thënë se Quni nuk ka fakte, megjithëse pranoi se kishte marrë para prej Ahmet Krasniqit, por nuk tregoi se sa milionë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat