Ministria e Kulturës dhe Informimit në Serbi, la projekt-propozuesit shqiptarë me “gishta në gojë”

Lajme

Ministria e Kulturës dhe Informimit në Serbi, la projekt-propozuesit shqiptarë me “gishta në gojë”

Nga: Sevdail Hyseni Më: 9 qershor 2018 Në ora: 08:32
Komuna e Bujanocit

Rezultatet e konkursit të Ministrisë së Kulturës dhe Informimit në Serbi, të bëra publike me një vonesë dy-tre muajve edhe njëherë zhgënjyen, irituan dhe demoralizuan projekt-propozuesit shqiptarë të shoqatave dhe mediumeve nga Lugina e Preshevës.

Me dhjetëra projekt-propozime shqiptare nga Bujanoci, Presheva dhe Medvegja, u hodhën në koshin e letrave nga komisionet e kësaj ministrie përkatëse për kulturë dhe informim nga Beogradi, me arsyetimin se ato nuk janë të përpiluara mirë dhe se u mungon “inovacioni”!

Nga ana tjetër po kjo ministri ka bërë përzgjedhjen e projekteve me direktiva nga poshtë dhe lartë të disa emisarëve mjerisht shqiptarë, që projektet e mirëfillta shqiptare të eliminohen dhe në vend të tyre të kalojnë disa projekte, që për bazë kanë multietnicitetin, bashkëjetesën dhe fqinjësinë e mirë mes komuniteteve në jug të Serbisë.

Në këtë drejtim u favorizua Radio Televizioni i Bujanocit dhe ai i Vranjës, që kanë për pronar një serb nga radhët e partisë së presidentit serb Aleksandër Vuçiq dhe ndonjë nga mediumet e pakta shqiptare, që mezi mbahen gjallë nga lëmosha buxhetore e Serbisë.

Për të mësuar më afër se sa janë të kënaqur përfaqësuesit e mediumeve në Luginë të Preshevës, te premten e 8 qershorit, në Bujanoc, arriti ndihmësja e Ministrisë së Informimit Sllavica Trifunoviç, këshilltarja për punë normative në fushën e informimit publik dhe medias Ivana Gjuriq, si dhe ndihmësja e drejtorisë së Shërbimit të Trupit Koordinues Tamara Millosheviq, për Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.

Ky takim ishte i organizuar me qëllim të diskutimit rreth gjendjes dhe financimit të mediave në komunat e Luginës së Preshevës, duke pasur parasysh prapambetjen ekonomike, mjerimin social dhe vështirësitë e gazetarëve për të zhvilluar misionin e tyre, në mungesë të fondeve lokale dhe shtetërore si dhe donacioneve të tjera.

Meqenëse, takim është zhvilluar në zyrën e Trupit Koordinues për Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, pa praninë e përfaqësuesve të pushteteve lokale dhe OSBE-së, nuk lë përshtypjen se gjendja e inforimit shqip do të përmirësohet, përkundrazi ajo do të thellohet në një krizë edhe më të madhe financiare dhe profesionale edhe më keq se sa ishte dikur në regjimin e Milosheviqit.

Arsyetimet e ndihmëses së drejtorisë së Shërbimit të Trupit Koordinues, Tamara Millosheviq, se institucioni në të cilin punon me ligj e ka të ndaluar financimin e shoqatave dhe mediave, nuk qëndron ngase kjo “miniqeveri”, nga viti 2002-2012, ka financuar projekte nga këto sfera të ndjeshme të shoqërisë, ndërsa këtyre viteve të fundit ato i ka drejtuar në infrastrukturë dhe bujqësi.

Nga ana tjetër ky Trup Koordinues nga Beogradi, në bashkëpunim me Ministrinë për Kulturë dhe Informim, lëre që nuk gjen zgjidhje për mediumet shqiptare të goditura nga privatizimi i tyre, por  i ngatërron edhe më shumë, duke i joshur disa prej tyre, të cilat favorizojnë projektet  për mësimin e gjuhës serbe, multikulturalizimin e “izma” të tjerë të stilit “kulti-multi”.

Për të fuqizuar më mirë këtë shembull, po tërheqim një paralele midis Radio Televizionit të Bujanocit dhe Vranjës, me pronarin serb, i cili nga fondet republikane dhe komunale ka tërhequr mbi 10 milion dinarë (100 mijë euro), ndërsa Radio Televizioni “Presheva”, me drejtues shqiptar, nuk ka marrë asnjë para, duke ngelur punëtorët me muaj të tërë pa paga e sigurime sociale.

Duke i marrë të gjitha këto parasysh, të jesh sot gazetar i pavarur dhe të drejtosh medium pa ngjyrime politike në Luginë të Preshevës, është e pamundur dhe shumë e zorshme. “Buka që fiton gazetari – gazepqari, me laps në dorë, është aq me gazep sa buka e një boksieri, të cilën e foton me grushte në ring”, tha një drejtues i një medium shqiptar, i cili deshi të jetë anonim, për shkak disa emisarëve  serbo-shqiptarë, që ndikojnë lart në vendosjen e fatit të projekteve për kinse zbutjen financiare të informimit shqip.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat