Në Llap, miqtë e rrëmbejnë dhëndrin me babë, i qesin n’mal

Lajme

Në Llap, miqtë e rrëmbejnë dhëndrin me babë, i qesin n’mal

Më: 12 qershor 2018 Në ora: 15:38
Foto nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar) - Babë e djalë të familjes Jashari nga fshati Dumnicë e Podujevës dolën sot për të pirë kafe në një restorant në periferi të qytetit.

Atyre kafen ua lanë në gjysmë dy persona nga familja Latifi nga Perani i Podujevës,  të cilët shkuan dhe me dhunë i morën, i futën në veturë dhe i dërguan në malin e Llapashticës së Epërme. Rrëmbyesit janë miq të tyre.

Pas një kohe të shkurtër babë e djalë u liruan nga meshkujt e familjes Latifi, motra e të cilëve është e martuar për djalin e familjes Jashari.

KP mëson se Jasharët jetojnë në Gjermani dhe aktualisht kanë ardhur për pushime në Kosovë.

Meshkujt e familjes Latifi që u arrestuan pas lajmërimit të rastit janë F.L (22 vjeçar)  dhe I.L (65 vjeçar) e të cilat po mbahen në Polici.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës e cila me anë të një komunikate sqaron rastin që ka ndodhur në pikë të ditës në një restorant, afër vendit të quajtur Tabet e Llapashticës në Podujevë.

“Rasti ka ndodhur sot rreth orës 12:00, në fshatin Llapashticë të Podujevës, saktësisht në një restorant, ku nga persona të dyshuar nën kërcënimin e armës, janë rrëmbyer dy persona.  Njësitet policore pas grumbullimit të shpejtë të informacioneve të marra në rrugë operative si dhe pas zgjerimit të hetimit të përcjellë me një reagim të shpejtë të tyre kanë arritur që të identifikojnë dhe arrestojnë dy persona të dyshuar:   F.L dheI.L", thuhet në komunikatë.

"Viktimat e rastit janë liruar nga të dyshuarit, ndërkohë që personat e dyshuar po mbahen në qendrën e ndalimit deri në përfundim të veprimeve të nevojshme hetimore dhe procedurale, që do të ndërmerren nga ana e hetuesve, për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Kjo është arsyeja, ja pse ndodhi rrëmbimi në Podujevë

Në një restorant afër vendit të quajtur Tabet e Llapashticës në Podujevë sot në mesditë ka ndodhur një kidnapim të dy personave.

Sipas Policisë të rrëmbyerit  janë liruar dhe janë në stacionin  e Policisë në Podujevë, ndërsa Policia ka shkuar t’i arrestojë personat që i rrëmbyen personat.

Policia e di identitetin e personave që me armë rrëmbyen personat në kafene ndërsa mësohet se si shkas ishte prishja e një krushqie në mes të dy familjeve.

Policia nuk ka dhënë identitetin e të rrëmbyerve por KosovaPress mëson se bëhet fjalë për një familje nga fshati Peran dhe një nga fshati Dumnicë.

Kidnapohet një person në Podujevë, këto janë të rejat e fundit

Një person raportohet se është rrëmbyer në një restorant që gjendet në vendin e quajtur Tabet e Llapashticës nga katër persona të armatosur.

Policia në Podujevë konfirmon rastin për KosovaPress, por nuk jep detaje tjera.

Burime të medias bëjnë të ditur se i rrëmbyeri ishte duke pirë kafe me një person tjetër.

Deri më tani nuk ka informata të reja do t’iu mbajmë të informuar për këtë ngjarje që ka ndodhur në pikë të ditës.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat