Çartet shtypi serb: Thaçi e dëshiron edhe Sanxhakun!

Lajme

Çartet shtypi serb: Thaçi e dëshiron edhe Sanxhakun!

Nga: Sevdail Hyseni Më: 19 qershor 2018 Në ora: 08:36
Hashim Thaçi

Lajmi i referuar nga qarqe të ndryshme diplomatike se të dielën e 24 qershorit, në Bruksel, do të takohen presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq, për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ka ngjalluar reagime të shumta në shtypin ditor të Beogradit.

Shtypi serb në ditën e sotme, ka nxjerr në ballinë shkrimet: Shqiptarët përsëri acarohen: Thaçi e dëshiron edhe Sanxhakun! (gazeta “Telegrafi” dhe “Alo”), pastaj Thaçi përsëri kërcënon: E duam Sanxhakun dhe jugun e Serbisë (gazeta “Informer”).

Vërshimin e shtypit serb me shkrime për Kosovën e ka nxitur deklarata e Zëvendës-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, në pushtet, Rexhep Hoti, i cili për gazetën “Lajmi”, tha se ndarja e Kosovës në takimin e Brukselit, nuk do të jetë në rend të ditës, por edhe sikur të ndodhte, do të nënkuptonte që Kosova të merrte Sanxhakun dhe një pjesë të jugut të Serbisë (Luginën e Preshevës).

“Ndarja nuk është në rend të ditës. Përkundrazi, ndarja nuk mund të ndodh pa bashkimin e Kosovës, me pjesën e Sanxhakut, që i përket Serbisë dhe pjesës tjetër të Sanxhakut në Mal të Zi. Nuk mund të ketë ndarje të Kosovës pa bashkimin me Luginën e Preshevës. Nuk mund të ketë ndarje të Vojvodinës nga Serbia. Pra, siç e shihni, ka disa aspekte që e ndërlikojnë ndarjen e Kosovës”, tha Hoti për “Lajmin”, të cilën e transmetuan gazetat serbe me komente të ndryshme.

Gazetat e lartpërmendura serbe dhe disa të tjera me tirazh të shtuar në Serbi, kohëve të fundit, kanë nxjerr si opsion “ndarjen e Kosovës”, si zgjidhje të mirë për Serbinë dhe rajonin.

Ministri i Tregtisë dhe Telekomunikacionit në Qeverinë e Serbisë, Rasim Lajiq, ka thënë se ndarja e Kosovës është një zgjidhje e mirë, por e vonuar..., ndërsa, Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Aleksandër Vulin, ka përmendur mundësinë për ndarjen e Kosovës, për të penguar krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.

Ngjashëm mendon edhe Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq “Nëse do të bisedonim hapur për ndarjen e Kosovës, pa mentorë, Prishtina do të nisej nga interesat e saj dhe do të pranonte këtë propozim“, kanë shkruar gazetat serbe “Blic” dhe “Telegrafi”.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat