Kajtazi: Ka qenë e mundur të bëhet edhe më shumë për viktimat e përdhunimit

Lajme

Kajtazi: Ka qenë e mundur të bëhet edhe më shumë për viktimat e përdhunimit

Më: 23 qershor 2018 Në ora: 00:31
Lirie Kajtazi

Lirije Kajtazi, deputete në Kuvendin e Kosovës ka thënë se kujdesi institucional për të përdhunuarat e luftës ndoshta nuk ka qenë i mjaftueshëm.

“Pavarësisht mbështetjes nga OJQ-të apo ambasadat, ndoshta jo mjaftueshëm ka qenë përgjigjja institucionale, sepse ka marrë kohë për të kryer një obligim ligjor dhe etik”, ka thënë Kajtazi në emisionin “Përballje” të gazetarit Muhamet Hajrullahu.

Deputetja ka përgëzuar presidenten Jahjaga për kontributin që ka dhënë në drejtim të përmirësimit të gjendjes për viktimat e përdhunuara gjatë luftës.

“Duhet veçuar kontributi i presidentes Jahjaga, e cila në vitin 2014 ka formuar Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, ku më pas kanë lëvizur gjërat për mirë në ndihmë të kësaj kategorie”, thotë më tej kryetarja e Forumit të Gruas në LDK.

Sipas saj periudha e gjatë që ka kaluar nga ajo kohë, mundë të mos ketë më efekt për një pjesë të viktimave.
“Viktimave iu ka kaluar një pjesë e mirë e jetës dhe është e pafalshme që nuk e patëm mundësinë me i rehabilitua ato”, shprehet Kajtazi.

Deputetja nga Gjilani, thotë se disa viktima tashme kanë filluar një jetë të re dhe procesi i verifikimit të tyre duhet të bëhet me shumë kujdes.

“Ka viktima që kanë filluar një jetë të re dhe komisioni duhet të ketë kujdes si i trajtojnë ato”.

Foshnjat e lindura si pasojë e përdhunimeve mundë të jenë të stigmatizuara nga shoqëria, prandaj Kajtazi bën thirrje për kujdes edhe në këto raste të ndjeshme.“Gjatë luftës kishte raste kur edhe janë shënuar shtatzëni të ndryshme, prandaj ato fryte sot mund të jetojnë mes nesh”, ka përfunduar deputetja Lirie Kajtazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat