Janjiq shpjegon skenarin e errët: Me 5 gusht shpallet autonomia e Veriut, pastaj ndërhyn Policia e Kosovës

Lajme

Janjiq shpjegon skenarin e errët: Me 5 gusht shpallet autonomia e Veriut, pastaj ndërhyn Policia e Kosovës

Më: 2 gusht 2018 Në ora: 16:05
Sava Janjiq

Ditë më parë Sava Janjiq paralajmëroi për një skenar të errët që do të ndodhë në Veri të Kosovës. Sipas tij, të dy palët, ajo serbe dhe shqiptare po përgatisin incidente atje. Tani ai ka qenë më konkret duke thënë se serbët e Veriut më 5 gusht planifikojnë ta shpallin autonominë e veriut, ndërkohë që ky veprim do të nxisë ndërhyrjen e njësisë speciale të Kosovës. Por, e gjithë kjo, sipas tij, tani nuk do të kalojë pa viktima si në rastin e Gjuriqit.

Ndaj këtyre deklaratave të Priftit Janjiq kishte reaguar Aleksandar Vuçiq, i cili kishte thënë se këto janë përralla fashiste.

Por, Sava Janjiq i cili është i stacionuar në Manastirin e Deçanit thotë se informatat janë të besueshme dhe janë siguruar nga besimtarët e Kishës.

“Këto nuk janë thashetheme çnjerëzore, por informata që i kemi marrë madje nga besimtarë tanë, anëtarë të denjë të SNS, të cilët na janë drejtuar me lutje që të mos përmendim emrat e tyre që të mos e humbin punën dhe bukën. Serbëve në veri të Kosovës e Metohisë sipas urdhrit nga Beogradi u është dhënë për detyrë të jenë në punë nga 1 gushti, dhe në kohën e pushimeve vjetore të gjithë duhet të jenë në vendet e punës”, ka thënë ai.

“Insistohet që të jenë të pranishëm edhe studentët në Mitrovicë për protesta eventuale që do të organizoheshin. Flitet haptas për shpalljen më 5 gusht, në kundërshtim me dialogun, të njëfarë autonomie të veriut (pjesës veriore të Kosovës – sqarim ynë), pas kalimit të afatit për Asociacionin (AKS-së), që do të duhej të provokonte ndërhyrjen e Policisë së Kosovës dhe të forcave ROSU sipas skenarit të ngjashëm si në rastin e arrestimit të Marko Gjuriqit”, ka thënë Janjiq.

Ai më pas ka theksuar se këtë herë, sipas të gjitha gjasave, situata nuk do të jetë e qetë dhe në rast të këtij skenari do të kishte viktima në të dyja anët.

Ai madje thotë se ndërkombëtarët duke i dhënë leje Policisë së Kosovës për të vendosur rendin “pas shpalljes së autonomisë së Veriut”.

Janjiq thotë se kjo nuk do të guxonte të ndodhte sepse do të nxiste gjakderdhje.

“Një incident i tillë do t’u shërbente edhe atyre në Beograd, edhe këtyre në Prishtinë që e dëshirojnë skenarin e ndarjes, për çka tashmë disa herë është biseduar, për çka dëshmojnë edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë me të cilët ka biseduar, që t’i vënë në jetë planet e djallit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat