Eshdaun: Korrigjimi i kufijve çon në luftë

Lajme

Eshdaun: Korrigjimi i kufijve çon në luftë

Më: 25 gusht 2018 Në ora: 21:11
Pedi Eshdaun

Deklaratat rreth ndryshimeve të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë janë shumë të rrezikshme dhe të çmendura, thotë ish-përfaqësuesi i lartë për Bosnje dhe Hercegovinë, Pedi Eshdaun.

Në një intervistë për “Dnevni Avaz”, ndër të tjera, ai thotë se ka biseduar edhe me disa nga politikanët kryesorë evropianë në lidhje me këtë temë.

“U thashë atyre, mirë, le të themi se të gjithë dinë se ku po ndodh ai ndryshimi i parë. A e dini se ku do të përfundojë? Dhe a e dini se çfarë në të vërtetë do të fitohet me të? Çdo ndryshim kufijsh në Ballkan çon pashmangshëm në luftë. Dhe jo vetëm në Ballkan”, thotë Eshdaun.

“Pra, do të ndryshohen kufijtë e Kosovës dhe Serbisë. Po me Vojvodinën? A mendoni se shqiptarët në Maqedoni dhe Mal të Zi do të jenë të qetë? Po me Sanxhakun? Dhe, për fund, çka në lidhje me Bosnje dhe Hercegovinën? A dëshironi që në mes të Evropës të keni një shtet mysliman, të rrethuar me armiq dhe radikalizëm në rritje në të? Është befasuese se sa njerëz joseriozë dhe të paaftë merren me çështje serioze dhe të rrezikshme”, thekson Eshdaun.

Ai thotë, po ashtu, se nuk ka fjalë më të ashpra për të paralajmëruar se loja me kufijtë është e rrezikshme.

“Kemi kaluar një mijë vjet në tokën evropiane të mbuluar me gjak për shkak të kufijve. Dhe pastaj e kuptuam se e vetmja zgjidhje e mundshme është t’i bëjmë kufijtë të parëndësishëm. Po ashtu, kemi periudhën më të gjatë të paqes në historinë e Evropës. Nëse filloni të prekni kufijtë, atëherë do shkoni drejt pranverës së përgjakshme”, tha ish-Përfaqësuesi i Lartë i BeH-së.

“Një nga parimet kryesore të Evropës është të mos krijojmë hapësira monoetnike. Ne i qëndrojmë fuqishëm parimeve se shtetet përbëhen nga zona multietnike. Prandaj Irlandën e Veriut nuk e kemi ndarë në pjesë protestante dhe katolike, sepse me këtë do të kishim një luftë të gjatë. Nuk e ndamë as Belgjikën në pjesën valone, flamane dhe gjermane sepse kjo do të fundoste shtetin në gjak… Pse atëherë duhet ta bëjmë këtë në Ballkan”, pyet Eshdaun.

Ai paralajmëron se njerëzit lehtë harrojnë mësimet e historisë. Kujton se një ekip negociatorësh për Bosnjën, i përbërë nga Cyrus Vence dhe David Owen, tentoi të ndërtonte territore etnikisht kompakte dhe përmes kësaj të zgjidhte gjendjen e luftës.

“E tëra përfundoi si katastrofë totale. Përse njerëzit tani i kthehen skenarit të njëjtë? Si është e mundur të jenë harruar mësimet që janë mësuar dikur”, pyet Eshdaun.

Ai shton se edhe “kur ndonjë injorant larg vendit për të cilin bëhet fjalë, të ulur në karrige e me harta në duar, kapërcejnë shtete, kjo gjithmonë dhe pashmangshëm sjell gjakderdhje të madhe”.

“Kushdo që përfaqëson idenë e korrigjimit të kufijve, jo vetëm në Ballkan, duhet të jetë i vetëdijshëm se kjo do të çojë edhe në zhvendosje të popullatës. A do të shkojnë ata që do të detyrohen të lëshojnë shtëpitë e tyre në pjesën tjetër të rajonit tek ‘populli i tyre’? Dyshoj shumë! Ata masivisht do të kthehen kah dyert e Evropës”, paralajmëron Eshdaun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat