Dodik: Pacolli, armik i popullit serb

Lajme

Dodik: Pacolli, armik i popullit serb

Më: 5 shtator 2018 Në ora: 13:28
Millorad Dodik

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq tha sot se Serbia nuk ndërhyri në ardhjen e ministrit të Jashtëm të Kosovës Behgjet Pacolli në Banja Lluka, ndërsa sipas presidentit të Republikës Serbe, Millorad Dodik, ardhja e tij ishte e papranueshme, pasi Pacolli është "armik i popullit serb".

Daçiq shtoi se askush nuk pyeti Serbinë për ftesën e Pacollit për një takim të krerëve të diplomatëve të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.

“Vazhdimisht ankohet se Bosnja nuk i lëshon vizën. Duhet ta ketë të qartë se Bosnja nuk do ta njohë Kosovën, pasi Serbia nuk e njeh”, tha ai.

Ndërsa Dodik tha se Pacolli është armik i popullit serb dhe i vjen mirë që ai nuk ka ardhur.

“E ka ditur se mund ta prekin gjëra të pakëndshme. Ai nuk mund të vijë këtu për të na provokuar”, tha ai.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, anuloi pjesëmarrjen në një samit në Banja Llukë të Bosnjës pas paralajmërimeve të presidentit të Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik, se nuk është i mirëpritur në këtë qytet. Në një deklaratë të lëshuar të hënën në mbrëmje, Pacolli i quajti “kërcënime” deklaratat e Dodikut.

“Me politikan si Dodik rajoni nuk mund të ecën përpara. Gjuha kërcënuese e Dodikut na kujton një të kaluar të afërt të politikanëve radikal, si ky vet dhe pasojat e këtyre kërcënimeve. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar drejt bashkëpunimit rajonal, ndërsa ftoj zyrtarët e BE-së, sidomos ata në Komisionin Evropian që të mos heshtin ndaj këtyre fenomeneve”, pati deklaruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat