Gjuriq tregon arsyen pse Vuçiq nuk e takoi Thaçin: Nuk duam t’i shohim me sy...

Lajme

Gjuriq tregon arsyen pse Vuçiq nuk e takoi Thaçin: Nuk duam t’i shohim me sy...

Më: 7 shtator 2018 Në ora: 15:05
Marko Gjuriq

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq qëndroi më shumë se dy orë në takim me përfaqësuesen e lartë të BE-së Federica Mohgerini sot në Bruksel.

Ky takim është në kuadër të takimeve që Mogherini mban me presidentin e Kosovës dhe atë të Serbisë.

Ishte paraparë që pas takimit me Vuçiqin të ketë edhe një takim trepalësh Mogherini-Thaci-Vuçiq, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Presidenti serb nuk doli të flas para gazetarëve por në vend të tij doli drejtori i të ashtuquajturës zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Gjuriq doli para gazetarëve në Bruksel dhe tregoi se presidenti serb nuk do të bisedojë me asnjë përfaqësues nga Prishtina.

Ai tha se nuk ka kushte për të biseduar me këta njerëz të cilët sipas Gjuriq kanë nëncmuar, madje edhe kanë kërcënuar presidentin dhe tërë popullatën serbe në Kosovë.

Gjuriq: Nuk mund të bisedohet në këto kushte

“Ne gjithsesi dëshirojmë që në të ardhmen ta ruajmë paqen dhe normalitetin, mirëpo kërcënimet, sulmet, nënçmimet, gjërat më të këqija të cilat kanë bërë ditët e kaluara, tentimet që presidentit t’i ndalohet të vizitojë liqenin e Gazivodës, veriun e Kosovës, tentimi që presidentit të komplet shtetit të Serbisë t’i kërcënojnë në mënyrën më të keqe të mundshme, që të ofendohet e tërë popullata serbe në Kosovë, tentimi që paraprakisht të koordinohen gjërat se për çka mund dhe nuk mund të bisedohet, prandaj sikur nuk mund të bisedohet për asgjë që është interes serb në Kosovë”, tha Gjuriq.

Duke komentuar deklaratat e presidentit Thaçi se do të bisedohet edhe për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin, Gjuriq tha se nuk do të bisedohet për asgjë tjetër vetëm për Kosovën.

Ai tha se procesin e bisedimeve po e rrënon jo gatishmëria dhe vullneti i keq nga ana e Prishtinës, duke fajësuar edhe BE-në dhe EULEX-in që sipas tij nuk kanë krijuar kushte për lëvizje të lirë.

Gjuriq është i bindur se Vuçiq nëse shkon në Kosovë do ta vizitojë edhe liqenin e Gazivodës ndonëse sqaroi se për këtë do të vendos në mbrëmje.

Gjuriq: Nëse presidenti shkon në Kosovë gjithsesi do ta vizitojë Gazivodën

“Sa i përket vizitës së presidentit, më duhet t’iu them se rreth kësaj çështje nëse në këto rrethana duhet të shkoj presidenti në Kosovë. Në ekipin tonë, në parti, por edhe në qeveri , akoma jemi të ndarë. Sido që të diskutojmë, dalim dy pro dy kundër, tre pro tre kundër do të thotë njerëzit janë të hamendur dhe mendimet janë të ndryshme rreth vizitës. Presidenti deri sonte gjithsesi rreth kësaj çështje nuk do të deklarohet, mirëpo nëse vendos të shkoj, atëherë është shumë e sigurt se do ta vizitojë liqenin e Gazivodës. Gjithsesi është e sigurt se do të lëvizë lirshëm në territorin e Kosovës”, tha Gjuriq.

Ai i quajti gënjeshtarë të gjithë politikanët në Prishtinë duke thënë se kanë gënjyer edhe rreth ndalesës së tij që i është bërë në kufi nga ana e autoriteteve të Policisë e po ashtu  deklaratën e kryetarit të Kuvendit e quajti kërcënim dhe turp i pafund.

Gjuriq: Kërcënimet që i kemi dëgjuar nga Veseli janë turp i pafund

‘’Për cinizmin dhe gënjeshtrat e përfaqësuesve të Prishtinës do të flas më shumë me një rast tjetër. Ata kanë gënjyer edhe rreth vizitës time, dhe nuk iu ka mjaftuar kjo që Policia më ka kthyer nga kufiri, por kanë thënë se s’kam qenë fare atje. Mund ta pyesni këdo, ekzistojnë pamjet nga kufiri, të gjitha shërbimet i kanë ato. Kërcënimet të cilat kemi mundur t’i dëgjojmë nga kryetari i Kuvendit të përkohshëm të krahinës janë turp i pafund, dhe kjo është arsyeja pse nuk duam të shohim ndonjërin prej tyre… dhe jeni të sigurt, nëse presidenti Vuçiq do të shkoj në Kosovë, nuk do të arrestohet”, tha Gjuriq.

Në Bruksel po qëndron edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi bashkë me zëvendësin e tij Behgjet Pacolli.

Ndërkohë nga zyra e Mogherinit nuk kanë treguar për ndonjë datë të saktë për takimin e radhës, por kanë thënë se sigurt që në këtë muaj do të ketë takim mes Thaçit dhe Vuçiqit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat