Serbia vazhdon ta cilësojë si provokim transformimin e FSK-së në Ushtri

Lajme

Serbia vazhdon ta cilësojë si provokim transformimin e FSK-së në Ushtri

Më: 13 tetor 2018 Në ora: 23:38
FSK

Zëvendësdrejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka quajtur provokim të Prishtinës çështjen e transformimit të FSK-së në Ushtri.

Duke folur për mediat në Beograd, Petkoviq ka thënë se sipas tij, autoritetet e Kosovës po duan të shmangin ndryshimet kushtetuese me rastin e formimit të Ushtrisë.

Madje sipas tij, Kosovës nuk i duhet Ushtria kur aty është KFOR-i.

“Shqiptarët e Kosovës po duan që ta formojnë ushtrinë që sipas tyre do të jetë multietnike. Lista Serbe e ka bërë të qartë qëndrimin kundër kësaj force. Pse duhet të ketë Ushtri të Kosovës kur atje tashmë është KFOR-I”, ka thënë Petkoviq.

Kujtojmë se në agjendën e Kuvendit për javën e ardhshme, ndër pikat e rendit të ditës është projektligji për ushtrinë.

Ndërkohë, zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës kanë deklaruar se procesi i transformimit të FSK-së po bëhet në koordinim dhe mbështetje të plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat