S’ka njohje nën presion ndërkombëtar, Beogradi kërkon zgjidhje kompromisi

Lajme

S’ka njohje nën presion ndërkombëtar, Beogradi kërkon zgjidhje kompromisi

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 14:32
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot se vendi i tij angazhohet për një zgjidhje kompromisi për Kosovën, por kjo nuk do të thotë se Serbia duhet t’i humbë të gjitha, ndërsa paralajmëroi se asnjëherë nuk do të ketë njohje të pavarësisë së Kosovës nën trysninë e bashkësisë ndërkombëtare.

Ai këto komente i bëri sot në një konferencë për media pas përfundimit të Forumit të Sigurisë në Beograd.

Duke folur për dialogun me Prishtinën dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të çonte drejt normalizimit të të dyja vendeve, kreu i shtetit serb u shpreh se vendi i tij është kompromis për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por kjo nuk nënkupton se serbët duhet të humbin  gjithçka.

Vuçiq: Serbia është e gatshme për kompromis

“Serbia është gjithmonë e gatshme të punojë për një kompromis për zgjidhjen  e çështjes së Kosovës për zgjidhjen e problemeve tona, por Serbia nuk mund të jetë vendi dhe populli serb nuk mund të jetë populli që të humbë krejt dhe të jetë fajtor”, tha Vuçiq.

Ai përsëriti qëndrimin e Beogradit zyrtar se nuk do të ketë njohje të pavarësisë së Kosovës nën trysninë e ndërkombëtarëve.

Vuçiq: S’ka fuqi që e detyron Serbinë të pranojë Kosovën si shtet

“Ne dëshirojmë të bisedojmë me shqiptarët, gjithmonë duam të flasim me shqiptarët për zgjidhjen e problemit. Dua të më kuptoni se Serbia ka interesin e saj dhe Serbia nuk e sheh Kosovën si territor të pavarur dhe sovran. Kemi qëndrime të ndryshme me shqiptarët në Kosovë dhe për këtë duhet të ulemi dhe të bisedojmë. Ne duam me të vërtetë të arrijmë kompromis, marrëveshje, por duhet të kuptojë dikush në botë dhe shqiptarët se Serbia ka interesin e vet. S’ka fuqi që e detyron Serbinë të pranojë Kosovën si shtet, kjo nuk do të ndodhë”, tha ai.

Vuçiq ka folur edhe rreth anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në Interpol në muajin nëntor.

Vuçiq: Kur Kosova të hyjë në Interpol, do të ketë mijëra urdhëresa kundër serbëve

"Kurdo që nisen, ka probleme të panumërta dhe, ditën kur të hyjnë në Interpol, do të shihni mijëra urdhëresa kundër serbëve, të gjitha të imagjinuara, do t'i arrestojnë, do t'i ngacmojnë dhe do t'i rrahin, dhe pastaj do t’i lëshojnë pas gjashtë muajsh", tha ai.

Vuçiq tha gjithashtu se do të bëjë gjithçka që mundet për të penguar paqësisht Kosovën që të formojë ushtrinë. Ai shtoi se është duke pritur për të parë se çfarë do të bëhet sot në parlamentin e Kosovës me propozimet mbi transformimin e FSK-së në ushtri dhe nëse amerikanët do ta mbështesin atë.

Vuçiq:  Ne do të bëjmë çmos për të ruajtur paqen

Video"Kemi problem se amerikanët po i shtyjnë këto gjëra në Kosovë që janë një problem serioz për ne.  Ne do të bëjmë çmos për të ruajtur paqen dhe stabilitetin dhe për të mbrojtur interesin e popullit serb, i cili nuk do të jetë i lehtë”, tha ai.

Për më tepër, presidenti Vuçiq tha se të gjitha vendet e rajonit kanë nevojë për një paqe dhe do të jetë më mirë nëse do të ketë kufij të hapur, investime dhe lëvizje e lirë e mallrave, pasi kjo sipas tij, garanton një të ardhme më të mirë për të gjithë. /KosovaPress/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat