Gjuriqi thotë se s’ka dialog në Bruksel pa tërheqjen e vendimit për taksë ndaj mallrave serbe

Lajme

Gjuriqi thotë se s’ka dialog në Bruksel pa tërheqjen e vendimit për taksë ndaj mallrave serbe

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 20:51
Marko Gjuriq

Vendimi i qeverisë së Kosovës për të ngritur tatimin në 10 për qind për mallrat serbe dhe ato të Bosnjës është vendim i rrezikshëm dhe i kundërligjshëm.

Kështu ka thënë shefi i zyrës serbe në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, duke shtuar se me këtë vendim, Kosova e ka bllokuar dialogun e Brukselit në të gjitha nivelet.

“Parakusht i domosdoshëm për vazhdimin e dialogut të Brukselit është që menjëherë të shfuqizohet ky vendim i dëmshëm dhe i paligjshëm”, tha Gjuriqi në konferencë shtypi të jashtëzakonshme.

Sipas tij, vendimi i Kosovës është në kundërshtim me rregulloret dhe marrëveshjet aktuale dhe marrëveshjen CEFTA, duke dëmtuar në të njëjtën kohë të gjitha kombësitë në Kosovë.

“Natyrisht se kemi të bëjmë me vendim të motivuar politikisht”, mendon Gjuriqi, dhe shton se ky vendim është i pazbatueshëm, “sepse askush nuk mund të bllokojë rrjedhën e njerëzve, mallrave dhe kapitalit”.

Ka vlerësuar se ky vendim është vendim i papjekur politik të cilin “e kanë marrë njerëz të frustruar pse qëllimet e tyre politike nuk mund t’i realizojnë në asnjë mënyre”.

“Luftërat tregtare që i nis Prishtina janë në koka të sëmura që mendojnë se në këtë mënyrë mund të bëjnë diçka në kuptimin politik”, shtoi ai.

Gjuriqi tha të ketë biseduar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me kryeministren Ana Bërnabiq, dhe me ministrin e këtij dikasteri, Rasim Lajiq, dhe ka shtuar se qeveria i ka njoftuar të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe CEFTA-n si dhe Brukselin.

I pyetur nëse do të mbahet një raund i ri i dialogut në fund të javës në Bruksel, Gjuriqi tha se një gjë e tillë është e mundshme vetëm nëse hiqen këto masa.

“Serbia nuk bisedon me ata që kërcënojnë, kryejnë dhunë, që nuk janë partnerë seriozë për normalizimin e marrëdhënieve”, tha ai.

Shtoi se me këtë veprim, Kosova ka bllokuar dialogun në Bruksel në të gjitha nivelet.

“Dialogu i Brukselit është i pamundur të vazhdojë deri në momentin e tërheqjes së këtij vendimi të kundërligjshëm”, tha Gjuruqi dhe shtoi se është e domosdoshme që bashkësia ndërkombëtare të reagojë.

“Do ta shihni se shumë shpejtë do të dalin qesharakë”, përfundoi Gjuriqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat