Lidhja vdekjeprurëse e gangsterëve serbë me Afrikën e Jugut

Lajme

Lidhja vdekjeprurëse e gangsterëve serbë me Afrikën e Jugut

Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 20:00
Harta ilustruese

Kur katër kriminelë serbë me lidhje në Afrikën e Jugut u vranë në atentate të ndërlidhura, mediat spekuluan se bëhej fjalë për një hakmarrje për vrasjen e Arkanit, por vrasjet në fakt treguan sesi dhuna i ndjek nga pas gangsterët serbë kudo që ata shkojnë.

Dobrosav Gavriq po i kalon ditët e tij pas hekurave në Afrikën e Jugut, shumë larg nga atdheu i tij, duke pritur një vendim përfundimtar nëse do të dërgohet në Serbi për të kryer një dënim me burg për vrasjen e liderit më famëkeq paraushtarak të luftërave të viteve 1990 – Zhelko Razhnatoviq, i njohur ndryshe si Arkani.

Gavriq u dënua për vrasjen e kryekomandantit Arkan në vitin 2000 në Beograd, por u arratis në Afrikën e Jugut për të shmangur kryerjen e dënimit të tij. Ai tani po përballet me ekstradimin pasi Gjykata Kushtetuese e Afrikës së Jugut vendosi në fund të shtatorit se ai mund të kthehej në Serbi, ku ai ishte shprehur se jeta e tij do të ishte në rrezik.

Ai u kap pasi u plagos në një shkëmbim zjarri me armë në vitin 2011, por pavarësisht nga gjendja e tij, Gavriq mund ta konsiderojë veten me fat – disa serbë të tjerë të cilët u dënuan për përfshirje në vrasjen e Arkanit ose u zhvendosën në Afrikën e Jugut për të ndjekur aktivitetet e tyre kriminale janë vrarë këtë vit. Tre u qëlluan në Afrikën e Jugut dhe një tjetër në Beograd.

Disa nga viktimat ishin larguar nga Serbia për të shmangur burgun, por vendi në të cilin ata shpresonin të strehoheshin nga ligji, u bë vendi ku ata gjetën vdekjen e dhunshme. Vetëm Gavriç mbijetoi, por tani mesa duket atë e pret një burg serb –  duke treguar se si ëndrrat e gangsterëve serbë për të vepruar lirisht jashtë vendit mund të kenë të njëjtin fat me ata të cilëve u përpoqën t’i largoheshin në vendin e tyre.

I arratisuri gjen strehë në Afrikë

Image

Më 9 tetor 2006, një gjykatë në kryeqytetin serb e dënoi Gavriqin me 35 vjet burg për vrasjen e Arkanit në hollin e Hotel Intercontinental të Beogradit. Dy bashkëpunëtorët e tij u dënuan secili me nga 30 vjet.

Arkani kishte qenë lideri i Gardës Vullnetare Serbe, e njohur edhe si Tigrat, një nga njësitë paraushtarake serbe më të frikshme të luftërave ballkanike dhe ishte paditur një vit më parë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, e cila e akuzoi atë për kryerjen e krimeve të luftës në Bosnjën veriperëndimore në vitin 1995.

Gjatë gjyqit nuk u konstatua se kush urdhëroi dhe organizoi vrasjen e tij. Disa besojnë se Arkani u qëllua si rezultat i një konflikti për para me një gangster të quajtur Zoran Uskokoviq “Skole”. Të tjerë besojnë se ai u vra sepse ai kishte filluar të bashkëpunonte me prokurorët e OKB-së në Hagë.

Procedurat gjyqësore u rinisën disa herë, por gjatë gjithë kohës Gavriqi mori pjesë rregullisht në procedura – deri në ditën e dënimit, kur ai nuk u shfaq.

Gavriq kishte ikur nga Serbia dhe nuk u dëgjua më për të deri gati pesë vjet më vonë, kur u zbulua se ai jetonte në Afrikën e Jugut. Në atë kohë, ndërsa ai punonte si shofer dhe truproje për një bosi në Keip Taun, Cyril Beeka, gangsteri i Afrikës së Jugut u qëllua për vdekje në mars 2011.

Image

Mandy Wiener, një gazetare investigative e Afrikës së Jugut, tha për BIRN se pas vrasjes së Beekas, mediat vendase njoftuan se në kohën e vdekjes ai shoqërohej nga një truprojë e quajtur Sase Kovaçeviq, një serb i cili kishte qenë në Afrikën e Jugut për disa vite dhe ishte mjaft i njohur në rrethet e pokerit në Johanesburg.

Kovaçeviq kishte në bashkëpronësi disa biznese në qytet, sipas Wiener, dhe gjithashtu njihte një shef krimi me origjinë çeke, Radovan Krejcir, dhe rrethin e tij të bashkëpunëtorëve nga Europa Lindore.

“E vërteta e pabesueshme për identitetin e vërtetë të Kovaçeviq u shfaq vetëm pasi qëlloi Beekan, edhe pse policia e Afrikës së Jugut kishte qenë e vetëdijshme për të për rreth gjashtë muaj,” kujton Wiener në librin e saj “Ministria e Krimit”.

“Kovaçeviq ishte, në fakt, Dobrosav Gavriq, një i arratisur serb.”

Pas vrasjes së Beekas, Gavriq u arrestua dhe u akuzua për posedim të paligjshëm të 9.524 gramë kokainë dhe me dokumente të rreme – një patentë shoferi, një pasaportë dhe leje për armë zjarri  me emrin Sasa Kovaçeviq.

Doli se Gavriqi kishte marrë një pasaportë nga Bosnja dhe Hercegovina nën emrin Sasa Kovaçeviq dhe u arratis nga Serbia nëpërmjet Kroacisë, Italisë dhe Kubës për në Ekuador. Në vitin 2007, ai udhëtoi për në Afrikën e Jugut, ku vazhdoi të përdorte pseudonimin Kovaçeviq.

Ai erdhi në një vizë tre mujore, më pas solli gruan dhe dy fëmijët dhe bleu një apartament luksoz me pamje nga moli i Keip Taunit.

Image

Ai siguroi një vizë biznesi nën emrin e gruas së tij, që i mundësoi atij të hapte një restorant në Johanesburg. Ai ishte gjithashtu në gjendje të ngrinte një biznes import-eksporti dhe filloi të krijojë marrëdhënie me bosin lokal të krimit Beeka dhe rrjetin e tij.

“Pra, për më shumë se tre vjet, një i arratisur shumë i kërkuar në nivel ndërkombëtar jetonte nën një pseudonim në Afrikën e Jugut dhe askush nuk e dinte. Ai madje qe në gjendje të ngrinte një biznes, të siguronte leje drejtimi automjeti dhe leje për të mbajtur një armë duke përdorur pasaportën e tij të falsifikuar. Por në fund të vitit 2010, identiteti i tij u bë i njohur për agjentët e inteligjencës dhe disa sugjerojnë se mund të ketë punuar edhe me shtetin për të dhënë informacione,” shkroi Wiener në librin e saj.

Një burim i afërt me Beekan tha për gazetën Mail and Guardian: “Gavriqi erdhi në botën e krimit të Afrikës së Jugut dhe kur erdhi këtu, atij iu ofrua mbrojtje nga Ciril Beeka në këmbim të inteligjencës në Europën Lindore, bandave, drogës etj. Marrëveshja ishte që ai do të merrte mbrojtje në lidhje me identitetin e tij nga “agjencitë e shtetit afrikano-jugor” dhe në këmbim ai u premtoi atyre informacione për të gjitha organizatat nga Europa Lindore dhe Serbia.”

Në ditën e vrasjes, Beeka po bisedonte me Gavriçin, duke kujtuar rininë e tij, kur persona të armatosur hapën zjarr ndërsa ata ndaluan në një semafor.

“Unë isha shoferi dhe Cyril ishte ulur në ndenjësen e përparme të pasagjerit. Pashë diçka që ndali, por e kisha në cep të syrit,” tha Gavriq në një deklaratë për policinë pas vrasjes.

Image
Milan ‘Miki’ Gjuriçiq dhe Dobrosav Gavriq. Foto: Gjorgje Jovanoviq.

“Pastaj mbaj mend që dëgjova dy krisma arme. Unë u godita në krahun tim të djathtë, si dhe në të majtin dhe vura re se Cyril ishte goditur në gjoks. Dukej sikur u shkrep ndonjë shotgun. Kishte tym dhe xhama dhe unë isha i hutuar,” shtoi ai.

Gavriq u kundërpërgjigj duke hapur zjarr ndaj sulmuesve, shkroi Wiener në librin e saj. Ai e përplasi makinën duke ecur pas dhe pastaj e ndoqi motoçikletën, duke qëlluar disa herë ndaj autorit, pavarësisht se kishte marrë disa plumba në trupin e tij.

“Pastaj mbaj mend që automjeti im u ngrit nga toka dhe humba kontrollin,” tha ai në deklaratën që i dha policisë. Beeka vdiq në vendngjarje dhe Gavriq u transportua në spital në gjendje kritike.

Image
Gjorgje Darmanoviq. Foto: Facebook

Vendndodhja aktuale e Gavriqit është e panjohur. Disa burime thanë për BIRN se ai ishte në paraburgim në Burgun Gudud pranë Keip Taunit që nga dhjetori 2011, ndërsa të tjerë thanë se ai po mbahet i fshehur sipas një programi shtetëror mbrojtjeje.

Vrasësi i Beekas nuk u kap, por Wiener tha se mendonte se Gavriq ndoshta nuk ishte një objektiv në Afrikën e Jugut: “Nuk e di nëse dikush i është vënë nga pas Gavriqit këtu. Ndoshta nga Serbia, por nuk mendoj nga ana e Afrikës së Jugut. Vetëm në rast se ka parë atë që vrau Cyril Beekan ndërsa ngiste makinën dhe mund të dëshmojë kundër tyre.”

Gangsterët serbë “të frikshëm dhe të respektueshëm”

Dy burrat e dënuar në vitin 2006 si bashkëpunëtorë të vrasjes së Arkanit ishin “Miki” Gjuriçiq dhe “Dragan “Gagi” Nikoliq.

Gjuriq gjithashtu u arratis dhe nuk kishte informacione për vendndodhjen e tij për shumë vite pasi iku nga Serbia – deri më 25 prill 2018, kur u vra në Johanesburg në Afrikën e Jugut.

Ai po ngiste një xhip kur tre burra e sulmuan dhe e vranë atë. Ai kishte një pasaportë të rreme belge në atë kohë.

Një burim për BIRN në Afrikën e Jugut tha se Gjuriçiq kishte jetuar në Johanesburg për tre vitet e mëparshme dhe kishte një biznes të vogël që përfshinte hotele, por se ai ishte kryesisht i përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore dhe tregtinë e drogës. Burimi tha se ai ishte një “peshk i vogël” në krahasim me Gavriqin.

Mile Novakoviq, ish-shefi i Administratës së Policisë Kriminale të Serbisë, tha se Gjuriçiqi dhe Gavriqi nuk kanë pasur një rol të madh në qarqet kriminale në Ballkan. Ai beson se statusi i tyre i ulët ishte arsyeja pse ata u zgjodhën për të vrarë Arkanin. “Askush nga rrethet e larta kriminale nuk guxonte të merrte pjesë në ekzekutimin e kriminelit shtetëror numër një,” tha Novakoviç.

Por kriminelët e huaj si Gavriqi konsiderohen si burime të dobishme nga bandat lokale, tha eksperti i sigurisë i Afrikës së Jugut, Mark Bolhuis.

“Nëse jeni një mafioz i ngritur, sidomos nëse jeni serb, automatikisht ju kanë frikë dhe respektoheni në botën e krimit. Ka informacione që mund të jeni shumë i rrezikshëm, ose shumë e dobishëm, ose mund të jeni një vrasës ose të jeni pjesë e një organizate mafioze,” tha Bolhuis për BIRN.

“Sapo një gangster nga jashtë arrin në vend, ata pranohen në mesin e bandave me armë të hapura. Bandat lokale besojnë se mund të mësojnë shumë prej tyre dhe të marrin shumë para. Dhe pastaj ata i punësojnë ata për punë të ndryshme – sidomos për vrasje,” shtoi ai.

Bolhuis tha se gangsterët serbë kishin bënë lidhje me krerët e krimit lokal si punëdhënësi i Gavriqit, Cyril Beeka, dhe Radovan Krejciq, bosi i botës së krimit që vinte nga Republika Çeke.

Image
Gjorgje Mihaleviq

Krejciç aktualisht po vuan dënimin me 35 vjet burg në Afrikën e Jugut, pasi u shpall fajtor për vrasje, sulm dhe rrëmbim në tentativë, ndër të tjera.

“Në Afrikë, nuk kishte gangster më të madh sesa Krejciq,” tha Bolhuis. “Shumë njerëz u lënduan nga ai dhe për shkak të tij. Sigurisht, ai nuk punonte vetëm, por solli njerëz nga jashtë, të cilët ishin trajnuar për të vrarë. Ai kishte lidhje të mira me të gjithë shefat e policisë, të doganave, komunës dhe zyrtarë të qeverisë. Por kryesisht me shefat e policisë.”

Megjithatë, Vojislav Tufegdziq, autori i “Shihemi në nekrologji”, një libër dhe dokumentar i njohur për botën e krimit që ekzistonte në Jugosllavi gjatë viteve 1990, beson se mediat në Serbi mund të jenë të prirura për të ekzagjeruar rëndësinë e kriminelëve serbë jashtë vendit.

“Gavriq u plagos në Afrikën e Jugut edhe një herë si një shofer ose truprojë e një krimineli të madh të Afrikës së Jugut, sigurisht jo si një person që kishte ndonjë rol më të madh sesa ai që kishte në vendin e tij,” tha Tufegdziq.

Vdekja e një “bushtre informacionesh”

Serbi i tretë me lidhje në Afrikën e Jugut, që u vra këtë vit, ishte George Darmanoviq, një agjent i sigurisë shtetërore në Afrikën e Jugut dhe ndërmjetës i mafias.

Ai u qëllua jashtë një gjykate në lagjen Beogradi i Ri të kryeqytetit serb nga dy burra me një motor në maj, më pak se dy javë pasi u vra Gjuriçiq.

Darmanoviq kishte lidhje të mira dhe të larta në Afrikën e Jugut dhe luante një rol tepër të rëndësishëm që kalonte midis strukturave zyrtare të inteligjencës dhe njerëzve në botën e krimit, tha Wiener.

“Ai me sa duket kishte motivet e tij dhe axhendat e tij politike, por ishte shumë i suksesshëm në punën në të dyja palët dhe duke kaluar informacione nga krimi i organizuar te shteti dhe anasjelltas,” tha ajo.

Bolhuis tha se kjo mund të ketë qenë arsyeja për vdekjen e tij: “Darmanoviq ishte shndërruar në objektiv tre vitet e fundit sepse ai ishte një njeri me një reputacion shumë të keq,” shpjegoi eksperti i sigurisë.

“Ne përdorim termin ‘bushtër informacioni’ për njerëz të tillë. Ai i shiste informacione kujt të mundte – qofshin ato autoritetet, policia, një bandë, një bandë tjetër apo edhe brenda bandës,” shtoi ai.

Bolhuis shpjegoi se Darmanoviq punonte duke mbledhur informacione për këdo që e punësonte atë, por në të njëjtën kohë kalonte informacione edhe në anën tjetër, dhe më pas gjithashtu ia shiste ato informacione edhe policisë.

Wiener tha se Darmanoviq gjithnjë dukej se kishte një skup për çdo gjë që ndodhte në Afrikën e Jugut dhe shumë njerëz flisnin me të, që nga zyrtarët e inteligjencës e deri te hetuesit privatë. Ai ishte një figurë e rëndësishme që shpërndante informacione, edhe pse nuk ishin gjithmonë të sakta, thanë burimet në Afrikën e Jugut.

Darmanoviq kishte jetuar në Serbi për katër vitet e fundit para vdekjes së tij, por ai gjithmonë e kishte gishtin te pulsi në Afrikën e Jugut, sipas Wiener. “Ai ishte shpesh i pari që më lajmëronte për zhvillimet lokale. Kohët e fundit merrja shumë mesazhe për të në përgjigje të informacioneve që kishin dalë në Ministrinë e Krimit. Ai dinte gjithçka për çdo gjë, por shpesh përpiqesha të sqaroja gjithçka që kisha për të thënë dhe jo gjithmonë ishin informacione të qarta.”

Megjithatë, ajo tha se nuk priste që Darmanoviq të vritej.

“Nuk isha në dijeni të ndonjë lloj goditjeje që ishte urdhëruar ndaj tij atje dhe mendoj se shumë njerëz u habitën,” tha ajo.

“Këtu në Afrikën e Jugut ka shumë fjalë për personin që mund të jetë përgjegjës dhe mund të ketë lidhje me luftërat e trafikimit në industrinë e sigurisë në Keip Taun. Por, të jem e sinqertë, mendoj se duhet të ketë të bëjë me punët e tij në Serbi. Unë nuk besoj se dikush në Afrikën e Jugut do të kishte qenë në gjendje ta kryente vrasjen në Serbi,” shtoi ajo.

Lidhja e pakuptueshme me Arkanin

Më 17 korrik të këtij viti ndodhi një vrasje e tretë e një krimineli serb të emigruar në Afrikën e Jugut, Darko Kuliq, i cili vdiq në një shkëmbim zjarri me makinë në Johanesburg. Mediat e Afrikës së Jugut kanë raportuar se duket se të tri viktimat njiheshin me njëri-tjetrin.

Një burim nga policia e Afrikës së Jugut tha për BIRN se ata po “hetojnë nëse vrasjet e Miki Gjuriçiq, Gorgi George Darmanoviq dhe Darko Kuliq kanë lidhje me njëra-tjetrën”.

Pastaj më 24 shtator, një person i katërt u vra. Gjorgje “George’ Mihaljeviq, një biznesmen i njohur me origjinë serbe/malazeze me lidhje me botën serbe të krimit në Afrikën e Jugut, u qëllua për vdekje në Johanesburg nga dy burra me motoçikleta. Mihaljeviq, me sa duket, ishte mik i mirë me Kuliqin e vrarë dhe gjithashtu e njihte Darmanoviqin.

Mediat serbe kanë sugjeruar se vrasjet ishin një hakmarrje e vonuar për vrasjen e kryekomandantit Arkan në vitin 2000, por ekspertë të Afrikës së Jugut besojnë se kriminelët që u larguan nga Serbia vdiqën sepse hynë në konflikt me gangsterët vendas pasi hynë në biznes në vendin e tyre të adoptuar.

Mile Novakoviq, ish-shefi i Administratës së Policisë Kriminale të Serbisë, tha se ai mendon se vrasjet e Gjuriçiqit dhe Kuliçit në Johanesburg dhe Darmanoviq në Beograd nuk kishin lidhje me vdekjen e Arkanit.

“Kanë kaluar 18 vjet që nga vrasja e Arkanit dhe tani s’ka më asnjë që do t’i interesonte të merrte hak për ‘komandantin’, siç e quanin ata. Vrasja e Gjuriçiqit në Johanesburg ishte një përballje lokale,” këmbënguli Novakoviq.

Tufegdziq tha gjithashtu se ishte i sigurt se vrasjet nuk ishin hakmarrje për vdekjen e Arkanit. “Këto teori përrallë janë pa merita,” deklaroi ai.

Bolhuis tha se gangsterët serbë erdhën në Afrikën e Jugut sepse është një “vend fitimprurës për krimin”, me “policë dhe zyrtarë të tjerë të korruptuar”, por ndonjëherë gjejnë se vendi ku ata shkojnë për t’iu fshehur sistemit të drejtësisë në vendin e tyre është më i rrezikshëm sesa një dënim me burg në Serbi.

“Pres të lëndohen më shumë njerëz. Nuk ka më drejtësi dhe nder midis kriminelëve. Vjen një pikë që ata i kundërvihen njëri-tjetrit,” tha eksperti i sigurisë në Afrikën e Jugut. “Nëse ndokush u prek paratë, familjet ose tregon mungesë respekti ndaj tyre, ata do të sigurohen që këta njerëz të ndëshkohen, zakonisht me vrasje, për të kanosur njerëzit që po bashkëpunojnë.”

“Midis kriminelëve, nuk ka nder,” shtoi ai. “Ata që jetojnë me shpatë, vdesin nga shpata.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat