Papa Francesku: Ndihmoni të rinjtë shqiptarë të mos largohen nga vendi

Lajme

Papa Francesku: Ndihmoni të rinjtë shqiptarë të mos largohen nga vendi

Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 20:14

Polici i bën thirrje për të ndaluar, shoferi derdh breshëri plumbash në drejtim të tij

Papa Francesku ka pritur sot në një audiencë private një delegacion të shtetit shqitpar kryesor nga kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi së bashku me një përfaqësi të besimeve fetare shqiptare e arbëreshe.

Shqipëri është pjesë integruese e Evropës e përmes traditave të saj më fisnike, dokumenton origjinën e qytetërimit të saj”, është shprehur Ati i Shenjtë gjatë këtij takimi.

“Megjithatë ky vend, tha Papa Francesk, kërkon një zhvillim të vërtetë e të balancuar në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin rrugën e emigracionit duke çuar në dobësimin e forcë e aftësive të vendit që janë thelbësore për zhvillimin e saj human e civil.

“Lidhja antika e miqësie dhe marrëdhënieve mes Shqipërisë e Vatikanit sot është ripërtërirë”, tha Ati i Shenjtë duke e vlerësuar Shqipërinë si një vend me histori të lashtë e të lavdishme.

Gjatë këtij takimi Papa Francesku ka përshëndetur komunittin italo-shqiptarë të arbëreshëve si dhe ka vlerësuar klimën e respektit e të nesimit reciprok që ekziston në Shqipëri mes katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve.

“E kjo bashkëjetesë fetare, është një e mirë e çmuar për vendin e për paqen ” tha ai.

Image

Pjese nga fjalimi i Papa Franceskut: 

Të dashur vëllezër ipeshkvij e meshtarë,

vëllezër e motra,

me kënaqësi të veçantë, ju uroj mirëseardhjen juve, që keni ardhur këtu me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së heroit tuaj kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Përshëndes me mirënjohje të pranishmit dhe, me mendje, edhe gjithë shqiptarët, në atdhe e në vende të tjera të botës, të cilët, në emër të lidhjeve të lashta  të miqësisë e të marrëdhënieve të vazhdueshme, e shohin gjithnjë me dashuri Selinë e Shën Pjetrit. Në këtë kuadër, më pëlqen të kujtoj se 50 vjet më parë, Shën Pali VI deshi të presë një përfaqësi të shqiptarëve.

Shqipëria, tokë me histori të lashtë e të lavdishme, është pjesë përbërëse e Evropës dhe përmes traditave të saj më fisnike e më jetësore dokumenton zanafillën e vetë qytetërimit të saj. Sot, kujtojmë e kremtojmë Gjergj Kastriotin Skënderbeun, bir heroik i një populli të fortë e bujar, që mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin “Athleta Christi”. Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar, si edhe interpretues në nivelin më të lartë i vlerave të besnikërisë së ndershme ndaj impenjimeve të ndërmarra lirisht.

Rëndësia e veçantë e figurës dhe e veprës së Kastriotit përfaqësohet mirë në flamurin tuaj, me shqiponjën e zezë dykrenore në sfodin e kuq, bërë sipas stemës së heroit. Pak herë në histori, një individ i vetëm ka arritur t’i mishërojë kaq qartë e kaq gjerësisht virtytet e një populli, deri në atë pikë sa është e vështirë t’i kuptohet shpirti, pa u ndalur e pa marrë parasysh parimet dhe vlerat, që e frymëzuan atë personazh të veçantë.

Pas vdekjes së heroit dhe pas pushtimit të Shqipërisë, shumë shqiptarë preferuan të emigrojnë dhe shumë prej tyre u vendosën në Itali, në qendër të gadishullit e në jug, sidomos në Kalabri e Sicili, duke u dhënë jetë Rretheve kishtare shqiptare të Ungrës, të Horës së Arbëreshëve dhe të Grotaferratës.

Prania, në takimin e sotëm, të një grupi arbëreshësh, pra, italo-shqiptarësh, me traditat dhe shprehjet e tyre gjuhësore përçuar prej shekujsh, na bën të imagjinojmë atmosferën e Shqipërisë së Skënderbeut dhe na konfirmon se heroi kombëtar mbetet urë e vlefshme për ruajtjen e lidhjeve të frytshme të arbëreshëve me tokën e tyre të origjinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat