Zbardhen detaje për vrasjen e hajnit në Vetërnik, flasin fqinjët, avokati dhe policia

Lajme

Zbardhen detaje për vrasjen e hajnit në Vetërnik, flasin fqinjët, avokati dhe policia

Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 19:38
Ilustrim, Pronari i shtepise Ridvan Beqiri dhe shtepia ku ndodhi vrasja

4 persona hynë të armatosur në një shtëpi private, por nuk ishin në dijeni që edhe pronari, R.B., ishte i armatosur gjithashtu.

Pasi njëri prej plaçkitësve dështoi të qëllonte mbi pronarin, ky i fundit e vrau atë.

Ngjarja ka ndodhur në orën 21, të martën, kur katër persona që kishin synim vjedhjen, ia mësynë kësaj shtëpie në lagjen Veternik në Prishtinë.

Pasi njëri u vra, 3 të tjerët u arratisën.

Fqinjët nuk kanë dashur të prononcohen para kamerës, megjithatë ata thonë se kanë dëgjuar zhurma.

Ndërsa, në shtëpinë e fqinjit, policia i ka marrë filmimet e kamerave të sigurisë, për ta zbardhur rastin.

Tashmë, shtëpia ku ka ndodhur ngjarja është boshatisur.

Policia, në raportin 24-orësh, pronarit të shtëpisë i referohet si viktima, ndërsa rastin e cilëson si “Tentim grabitje me pasojë vdekje”.

“Viktima mashkull K/Shqiptar, ka informuar se katër persona të dyshuar kishin hyrë brenda shtëpisë së tij dhe njëri nga ta ia ka drejtuar armën viktimës, me ç’rast viktima ka poseduar armë dhe ka shtënë në drejtim të dyshuarit m/sh/k (K.K., viti i lindjes 1976) dhe e ka qëlluar për vdekje. Po ashtu, njëri nga të dyshuarit ka shtënë në drejtim të viktimës mirëpo nuk është goditur. Tre të dyshuarit tjerë kanë arritur që të largohen nga vendi i ngjarjes”, thuhet në raportin e policisë.

Meqë pronari armën e kishte me leje dhe e ka përdorë atë në shenjë mbrojtjeje, nuk është arrestuar.

“Pronari i shtëpisë ka pasur armë legale dhe nuk është arrestuar pasi është vlerësuar se bëhet fjalë për vetëmbrojtje. Të shohim tash si do të rezultojnë hetimet dhe si do të përfundojnë ato lidhur me këtë rast”, ka thënë prokurori Ibrahim Berisha, raporton Ktv.

Rastet e vjedhjeve kanë shënuar rritje kohëve të fundit, duke mos u përjashtuar këtu shtëpitë private e edhe bankat.

Në shumicën e rasteve, plaçkitësit janë arratisur dhe askush nuk merr përgjegjësi për ta.

Avokati Besnik Berisha ka deklaruar se plaçkitësit duhet t’i ndalë shteti, ndërsa pronari që ka qëlluar për vdekje një plaçkitës duhet të amnistohet.

Berisha thotë se është i gatshëm t’i ndihmojë pronarit vetëm që shteti të barrikadohet para rasteve të tilla.

Në shumë raste, ata që ia janë kundërvënë plaçkitësve janë ballafaquar vetë me ligjin.

Vitin e kaluar, Enver Avdyli nga Gjilani, derisa po kthehej në shtëpinë e tij, gjeti dy persona të panjohur teksa po dilnin nga dritarja e shtëpisë. Ai i kishte ndjekur dhe kishte arritur ta kapte njërin të cilin e lidhi me litar.

Por, nga Prokuroria e Gjilanit patën deklaruar se ai ka bërë shkelje gjatë veprimit në raport me të dyshuarin për vjedhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat