Fehmi Agani për çështjen e ndarjes: Kosova është një dhe e pandashme

Lajme

Fehmi Agani për çështjen e ndarjes: Kosova është një dhe e pandashme

Nga: Agim Hyseni Më: 11 dhjetor 2018 Në ora: 10:47
Fehmi Agani

“Derisa Serbia të mos gjejë mbështetje në ndonjë shtresë shqiptare, synimet e saj në lidhje me Kosovën janë të dështuara dhe me plot të drejtë sot mund të themi se Serbia luftën në Kosovë e ka humbur" (Agani, 1994).

Nga periudha e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe deri pas Luftës së Dytë Botërore, fillojnë dhe zhvillohen idetë, projektet dhe praktikat për copëtimin e copave të trojeve shqiptare, përfshirë edhe vetë Shqipërinë. Trojet e banuara me shumicë popullatë autoktone shqiptare, u ndanë  nga aneksimet e rianeksimet klasike të dhunshme ushtarake të shteteve përkatëse apo aleancave në mes tyre (ish-MSKS; ish-RSFJ).

“Ndarja e shqiptarëve me krijimin e Shqipërisë në kufijtë e sotëm, ishte një tragjedi e madhe e popullit tonë e cila pamundësoi përparimin në zhvillimin ekonomik, politik dhe kulturor...” theksonte Fehmi Agani (1992). Tragjeditë e mëdha, është thënë, dalin nga portat e kombeve të vogla. Shqiptarët, paraqesin një fenomen se si mbijetuan.

Idetë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës, që nga periudha e okupimit serb e deri në fund të nëntëdhjetave, kanë ardhur nga intelektualët serbë të proviniencës raciste, pavarësisht rreshtimeve të tyre politike. Me pushtimin dhe aneksimin e Kosovës, Serbia “ka zhvilluar një represion të pandërprerë, të gjitha këto në një funksion themelor me qëllim të arritjes së realizimit të atij programi që në Serbi u themelua në vitin 1910, program i ashtuquajtur për Kosovë, i cili parashihte që një prej objektivave kryesore të jetë ndërrimi i strukturës etnike të Kosovës...me dëbimin e shqiptarëve...” (Agani,1994). Kjo ngase ideja e doktrinës së shenjtë serbe, përkatësisht ideja për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve duke shfarosur shqiptarët përmes terrorit sistematik shtetëror serb dhe institucionalizimit të kolonizimit me serbë e malazezë nuk u realizua në plotni. Zgjidhje përfundimtare nënkuptonte dhe nënkupton: Kosova pa shqiptarë. Prandaj Kosova, me shqiptarët që mbijetuan terrorin shtetëror serb dhe mbetën në vatrat e tyre, për ta  u shndërrua në problem në rritje.

Teza për ndarjen e Kosovës është tezë serbe. ‘Babai i nacionalizmit serb’ Dobrica Qosiq, shkrimtar e politikan, është autori i idesë për ndarjen e Kosovës   Dobrica Qosiq njihej si  'Ideolog i pastrimit etnik' siq do e quaj Jasques Delors, kryetari i komisionit të Bashkimit Evropian. Idenë e vet për ndarjen e ka paraqitur në Mbledhje të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë që me 1968. Me rastin e Demonstratave të  shqiptarëve e viteve 80 për Republikën e Kosovës, do të shënojë në ditarin e vet: ”Kosova për një ose dy dekada do të bëhet një shtet shqiptar. Ajo duhet të ndahet me Shqiptarët". Qosiqi me 1992 i ka propozuar ndarjen e Kosovës edhe Warren Zimmerman-it, ambasadorit të atëhershëm amerikan ne Beograd, që një pjesë e Kosovës, pjesa lindore, të mbetet në Serbi. Në këtë kohë Ambasadori Amerikan Zimmerman publikisht e gjykon raportin kolonial të Serbisë në Kosovë dhe deklaron se shkelja e të drejtave të njeriut në Kosovë nuk mund të haset në Evropë. Një qëndrim i tillë kolonialist ishte edhe ideja për ndarje të Kosovës. Po më 1992, si ka publikuar një gazetë italiane, propozimi i Qosiqit ka qenë pak më ambicioz: që pjesa qendrore dhe lindore e Kosovës t’i mbetet Sërbisë, ndërsa pjesa tjetër Shqiptarëve.

Nga vitet e ’90-ta, ideja e ndarjes së Kosovës do aktualizohet edhe nga vendet mike të Beogradit zyrtar dhe asokohe të Qosiqit si kryetar i ish-Jugosllavisë së mbetur (1992/'93). Kështu, nga fundi i vitit 1992, aso kohe kryeministri i Greqisë, Konstantinos Mitsotakis, ka shtruar po ashtu një plan për ndarjen e  Kosovës, që kanë provuar inicimin, bindjen dhe arritjen e një marrëveshje eventuale për ndarjen e Kosovës, që do të nënkuptonte pëlqim për ndarjen e Kosovës në mes të Shqipërisë dhe të Serbisë. Sipas vet Qosiqit Greqia ka qenë "më e interesuara për marrëdhëniet serbo-shqiptare sepse çështja shqiptare ishte edhe çështje greke". Projekti i ndarjes nga Qosiqi ju paraqitet në Gjenevë edhe Sajrus Vensit dhe Robert Ovenit, të cilët e refuzojnë nga frika e ndarjes së  BeH dhe Maqedonisë. Në Gjenevë,  Sajrus Vensi e këshillon Qosiqin: "Mos e shtroni çështjen e Kosovës në dhjetë vitet e ardhshme".

Në një pyetje lidhur me takimin e një grupi, me gjasë, të kolonistëve e pushtetarëve serb nga Kosova, “i  grupit të delegacionit nga Kosmeti me Dobrica Qosiqin mbi njëfarë ndarje të Kosovë-Metohisë” siç është shtruar e  drejtuar nga gazeta Borba e Beogradit, në Janar të ’93-shit, Agani i përgjigjet: ”Kemi dëgjuar dhe përmendet ndarja e Kosovës. E dimë që ideja e tillë ekziston, por kjo për ne është absolutisht e papranueshme. Kosova është edhe në pikëpamje gjeografike, edhe ekonomike dhe shoqërore dhe në çdo pikëpamje tjetër, një tërësi dhe me ndarjen e saj nuk mund të arrihet asnjë zgjidhje” (1993).

Në rrethana  të krizës dhe shpërbërjes së ish-RSFJ-së, kësaj ‘Perandorie të pabarazisë’ siç e quante Agani, si rezultat  i presionit i brendshëm përmes organizimit të lëvizjes paqësore aktive në shkallë vendi, qëndresës e vendosmërisë së  shqiptarëve, kompaktësisë së bindjeve dhe e veprimit të tyre, si edhe presionet e opinionit e shteteve demokratike, veçmas të Presidentit të SHBA-së, Kosova arriti të zhvillojë një lëvizje paqësore aktive masive dhe të fitojë përkrahjen e botës demokratike që deri atëherë pak dinte, nëse dinte për vendin tonë.

Presidenti i SHBA-së George H.W. Bush në përcaktimin e vijave të kuqe për Sërbinë ndaj Kosovës, në letrën e tij të vitit 1992, atëherë presidentit të atëhershëm të Serbisë Slobodan Millosheviç, e paralajmëroi atë të mos shkaktojë me veprimet e veta  një konflikt në Kosovë, ende pjesë nën okupimin e Serbisë, pas shkatërrimit të Jugosllavisë. "Në rast të konfliktit në Kosovë të shkaktuar nga veprimi serb, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të përdorin forcë ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi." (Presidenti George H.W. Bush në letrën drejtuar Sllobodan Millosheviçit, atëherë President i Sërbisë, 25 dhjetor 1992). Ky qëndrim është konfirmuar pas më pak se dy muajve edhe nga Sekretari Shtetërori i ShBA-së, Warren Christopher: "Ne mbetemi të përgatitur për t'u përgjigjur kundër serbëve në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimi serb" (Sekretari i Shtetit, Warren Christopher, 13 shkurt 1993).

Presidenti i SHBA-së George H.W. Bush, vdiq dhe u varros javën e kaluar, me nderimet më të larta shtetërore në SHBA. Në Kosovë u mbajt ditë zie dhe përherë do kujtohet si hero dhe figurë historike me rëndësi kombëtare në vendin tonë dhe ndër shqiptarë. Një shenjë e vogël e respektit të madh u shënua nga mësuesit në të gjithë vendin në Kosovë të cilët i kushtuan orën e parë të mësimit ish-Presidentit Bush të SHBA-ve për kontributin e tij për lirinë e Kosovës dhe marrëdhënieve midis dy vendeve.

Rezultanta e presionit të brendshëm dhe presionit ndërkombëtar të vendeve demokratike me në krye SHBA-të do të bëjnë të tejkalohet bllokada e Kosovës.

“...Duhet t’i jemi mirënjohës asaj pjese të botës e cila na ka sugjeruar të evitojmë luftën për të cilën nuk kemi qenë të përgatitur dhe e cila do të ishte vetëm një aventurë” duke patur parasysh rrethanat, pasojat e mundshme tragjike dhe shembullin e luftës në Bosnje me 200.000 të vrarë e me më shumë se 1.000.000 të shpërngulur.

“Liria është punë shumë e madhe, ka kuptim për të gjallët e jo për të tjerët dhe përderisa  të ketë mundësi njeriu të arrijë diçka pa humbje njerëzore, duhet të provojë vazhdimisht.” Në këto rrethana gjithnjë e më të rënduara lëvizja e shqiptarëve “ka arritur të legjitimojë përfaqësimin politik të interesave të shqiptarëve” (Agani, 1996).

Kosova është e pandashme (1994)

Kosova është e pandashme, është qëndrim i bazuar në të drejtën e patjetërsueshme për vetëvendosje që e shpjegon qartë Profesor Fehmi Agani, sa i përket mundësisë së ndarjes së Kosovës. Argumenton në mënyrë analitike, shpjegon dhe parashikon se: “projektet për ndarjen e Kosovës janë fare të papranueshme. Për shkak të ndërlidhjeve të veta etnike, ekonomike dhe të ndërlidhjeve të tjera, Kosova është e pandashme. Në Mbretërinë Jugosllave Kosova ishte e ndarë në tri banovina, kurse  gjatë Luftës së Dytë Botërore në tri zona të okupuara (të Italisë,  të Gjermanisë dhe të Bullgarisë), megjithatë Kosova ka bërë jetë si një tërësi ekonomike,  shoqërore, madje edhe politike. Fundja, nuk është e mundur ndarja e Kosovës pa zhvendosjen e disa qindra mijë njerëzish. Kush do ta dëshironte apo mund ta pranonte një gjë të tillë?” (Agani, 1994).

Në Kosovën e kohës, pavarësisht peshës së presionit serb nuk ka pasur kurrfarë shtresimesh karshi çështjeve kryesore që kanë pasur të bëjnë me statusin e Kosovës, madje edhe për mënyrën e realizimit të tij. Rreth kësaj çështje në të gjitha partitë politike dhe në mbarë opinionin shqiptar ekzistonte një pajtim i plotë.

Qëndrimet e kryetarit të Republikës, Dr. Rugova, dhe të  kryeministrit “ishin caktuar në mënyrë obligative me Referendumin e vitit 1991 për Kosovën sovrane dhe të pavarur. Përfundimet e referendumit përcaktojnë autorizimet e tyre si dhe përcaktimet e tyre personale rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës”, nënvizonte Agani interpretimin e tij kompetent dhe te përgjegjshëm të autorizimeve obligative të autoriteteve  institucionale te Republikës, pavarësisht nga shpërputhjet eventuale që mund të jenë rezultat i pasaktësive të ndonjë deklarate ose të pasaktësisë së transmetimit të saj.

Qëndrimi i njëjtë i vendosur do të mbahet deri në fund të jetës aq të angazhuar publike dhe do  përsëritet edhe në intervistën e Aganit dhënë Nasa Borba-s më 1998, një vit para çlirimit të vendit: “ Së pari mendoj se Kosova nuk është e mundur të ndahet. Kosova... e paraluftës shtrihej në tri banovina, gjatë okupimit në tri zona okupuese, ndërkaq, megjithatë, ka frymuar me një jetë të përbashkët. Ishte njësi relativisht organike. Së dyti, ju në Kosovë nuk keni komunë ku popullsia serbe është shumicë dhe, për këtë arsye, ndarja do të thotë transferim i mijëra njerëzve andej e këndej. Nuk ka “ transferim human”. Ta përjashtosh dikë nga shtëpia e tij, nga mjedisi i tij, është gjëja më johumane.”

Serbia “më parë do të pranonte ndarjen territoriale të Kosovës sesa protektoratin” (1996).

Në kohëra të paparashikueshme të parashikohen saktë rrjedhat e ngjarjeve, madje të ndikojnë në to në rrjedhat e duhura, është e mundur vetëm nga subjekte aktive dhe studiues e njohës të thellë te realiteti kompleks shoqëror të ndarë në ‘ne’ dhe ‘ata’, në ‘miq’  dhe ‘armiq’, me të gjitha karakteristikat shoqëruese. Gjithnjë në interes të mbrojtjes së të drejtave kolektive dhe individuale njerëzore, pavarësisht origjinës. Në një kohë si kjo, Agani shpjegonte se nuk shihte mundësinë për realizimin e idesë së protektoratit për arsye se “në atë moment që Serbia do ta pranonte protektoratin njëherit do të pranonte se ka marrë fund puna e Kosovës”, dhe vazhdon se Serbia “më parë do të pranonte ndarjen territoriale të Kosovës sesa protektoratin. Por, theksimi i kërkimit të një protektorati ka domethënie ngase  e demonstron përparësinë tonë. Si i këtillë vërtet është shumë i mirë” (Agani, 1996).

Për këto zhvillime i pranojnë ‘gabimet’ e veta vet autorët e Memorandumit serb që inicuan  krimet në ish-RSFJ-në, të Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencës dhe të Arteve ku thuhet se është gabim pse është lejuar  që edhe shqiptarët në Kosovë të quhen Albanci. Pra është fjala për tendencën paramenduar që të krijohet përshtypja se ‘këta’, shqiptarët në Kosovë janë diç tjetër, ndërsa ‘ata’ shqiptarët në Shqipëri janë diçka tjetër; Për krijimin dhe përhapjen përmes termit ‘Shiptar’ të stereotipit racist, ekstrem negativ për shqiptarët.

Pavarësisht oscilimeve të qëndrimeve politike rreth statusit të Kosovës , “Shteti shqiptar dhe vetë doktor Sali Berisha, në të gjitha instancat e ka shtruar çështjen e Kosovës”, nënvizon Agani, “si një prej objektivave kryesore të politikës së Shqipërisë,” i përkushtuar për ta mbështetur Kosovën e për të kundërshtuar të gjitha opsionet për ndarjen e saj.

Kërkesa legjitime për subjektivitetin e shqiptarëve dhe për barazi, si një koncept politik që u shfaq dhe u  artikulua qartë në diskutimet kushtetuese dhe në demonstratat e vitit 1968 për Republikën e Kosovës, që zhvillohet në demonstratat masive më 1981, që vazhdoi me greva e demonstrata kundër suspendimit antikushtetues të Kushtetutës e institucioneve legjitime të Kosovës, u kodifikua si kërkesë gjithëpopullore  dhe u shndërrua në një platformë politike më 1989-1990 kur fillon lëvizja paqësore aktive në shkallë vendi. Këto kërkesa legjitime të shqiptarëve nga forcat e  dominimit e të racizmit institucional serb u refuzuan dhe u ndoqën gjoja si kërkesa për Shqipëri të Madhe. “Pasi s’ishin argumentet, arsyeja, e drejta që të mund t’u kundërviheshin kërkesave normale e legjitime të shqiptarëve, këto kërkesa duhej të pamundësoheshin, madje jo vetëm realizimi, por edhe shprehja, paraqitja e tyre. Kërkesat e shqiptarëve duhej të ilegalizoheshin, t’u merrej e drejta e shfaqjes publike. Dhe për këtë qëllim përdorej etiketa: Shqipëria e Madhe!” (Agani, 1991).

Për aq sa kërkesat legjitime e normale të shqiptarëve  për të drejta e  për barazi do shtrohen për zgjidhje e do shënojnë ndonjë hap përpara (Universitetit, Kushtetuta e vitit ’74...) në një  progresion aritmetik, të drejtë, hap pas hapi, për aq do të shpeshtohet përsëritja e sintagmës ‘Shqipëria e Madhe’ nga Serbia, me një progresion gjeometrik, si  Hitleri që ”akuzon armiqtë e tij pikërisht për ato që haptas i pranon si qëllime të veta! (E.Fromm), që nga ndryshimi i strukturës etnike përmes terrorit shtetëror ushtarak, policor e paramilitar, përmes dëbimit e modelit të kopjuar nga Hitleri i ‘zgjidhjes përfundimtare te çështjes shqiptare’ të Çubrilloviqit e deri te gjenocidi e shfarosja,  kampet e përqendrimit dhe dëbimi i shqiptarëve nga shtëpitë e veta. Si në vendin e origjinës Ideologjia nacional-socialiste si edhe ajo fashiste serbe “shndërrohej lehtë dhe shpesh nga vetëdija e rrejshme në rrenë të vetëdijshme, ishte demagogji e lakuriqur, proklamim i gënjeshtrave” (Agani); sepse vazhdojnë të ju humbin projektet e bazuara në gjenocid shtetëror, e mbi këtë bazë të ju rrezikohen privilegjet kolonialiste të fituara ndaj të tjerëve, dhe  për ta humbja e privilegjeve  vazhdon të përjetohet, vajtohet e të paraqitet si humbje e barazisë me të tjerët. Serbia për aq sa ka dështuar për zmadhimin dhe ruajtjen e ‘Serbisë së Madhe’ për aq do të vazhdojë të luajë rolin e viktimës së rrezikuar nga “Shqipëria e Madhe”—sintagmë e krijuar nga okupatori dhe kuislingët e tyre, “Bullgaria e Madhe”, “Kroacia e Madhe”...

“S’ka dyshim se politika e sotme serbe ndaj shqiptarëve  është një neoqubrilloviqizëm, një variant i ri, por jo edhe i moderuar, i koncepteve të dëbimit ose të reduktimit maksimal të numrit të shqiptarëve në këto troje”, shpjegon Agani në një nga intervistat e shumta përmbajtjesore e të guximshme të kohës.

Me shkatërrimin e ish-Jugosllavisë shqiptarët janë në një situatë mjaft të vështirë, bile, mund të themi se janë në rrezik, pasi tash ndahen të Kosovës dhe shqiptarë të Maqedonisë - shpjegonte Agani në fillim të vitit 1994.”Ndërkaq, sa i përket  pozitës së shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanovc dhe shqiptarëve në Mal të Zi... “Është një dukuri e çuditshme se si këto troje janë ndarë nga Kosova, pasi shqiptarët e Preshevës dhe Bujanovcit në cdo pikëpamje janë të lidhur me Kosovën, edhe si territor një dukuri e çuditshme se si këto troje janë ndarë nga Kosova, pasi shqiptarët e Preshevës dhe Bujanovcit në çdo pikëpamje janë të lidhur me Kosovën, edhe si territor...”. Shqiptarëve të Preshevës dhe Bujanovcit ishin në pozitë të diskriminuar. Ngjashëm ishin edhe “shqiptarëve të Malit të Zi që momentalisht  janë mjaft të diskriminuar duhet t’u njihet autonomia” (1994).

Fehmi Agani, mendimtari më i thellë i angazhuar për pavarësinë e Kosovës, profesori i njohur i shumicës së udhëheqësve shqiptarë të lëvizjes politike për barazi dhe pavarësi në Kosovë e ish-jugosllavi—ku luajti rolin integrues të pa zëvendësueshëm deri më sot,  kryediplomati ynë që gëzonte prestigjin dhe respektin edhe të krye-diplomatëve botërorë si Richard Holbrook e Christofer Hill, studiuesi që çështjen e të drejtës së Kosovës për pavarësi si kusht të çlirimit kombëtar e ngriti në nivel shkencor,  për Kosovën si një dhe të pandarë, bëri miq e përkrahës të shumtë si në mesin e shqiptarëve ashtu edhe në botën demokratike.

Në Konferencën e Rambujes u shqua edhe për angazhimin për gjetjen e zgjidhjes më të mirë të mundshme në rrethanat e luftës, në interes të një Kosove të tërë dhe të pavarur.

Për angazhimet në këtë Konferencë, gjatë bisedës, Profesor Agani pat veçuar rolin konstruktiv veçmas të pjesëmarrësve Jakup Krasniqi, Veton Surroi dhe David Philips, që mbajnë qëndrimet e tyre parimore, të përgjegjshme e të qarta edhe kundër idesë së korrigjimit të kufijve: të ndarjes apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Ndarja e Kosovës kundërshtohet edhe nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) Marrëveshja e Brukselit (19 Prill 2013), si dhe nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës (neni 1, alinete 1 dhe 3).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat